​Sejdiu kërkon që mos të vajtojë opozita por të ketë konsensus për dialog

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të Partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka deklaruar se ata nuk besojnë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar.

Sejdiu në një postim në Facebook, ka shkruar se Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale.

“Rrjedhimisht betejën e ka me pushtetin. Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend”, ka shkruar ai.

Komenti i Sejdiut:

Ka kohë që Partia Socialdemokrate e trajton si çështje të rëndësishme zgjidhjen e nyjes në mes Kosovës dhe Serbisë. E në këtë zgjidhje, konsensusi i subjekteve politike fuqizon pozicionin e Republikës së Kosovës.

Qeveria dhe aq më pak Presidenti, nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet, të negociojnë në emër të Kosovës dhe për Kosovën. Vetëm duke qenë Kuvendi i Kosovës bartës i këtij procesi, kemi legjitimitet dhe kredibilitet për ta përfaqësuar Republikën.

Por, derisa në njërën anë e kemi një pushtet të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar, që nuk po e drejton mirë Kosovën dhe në veçanti procesin e dialogut; në anën tjetër e kemi një pjesë të opozitës që krejt çka bën tash e disa muaj është vajtimi dhe ankesat.

Para se disa nga partitë opozitare të flasin për strategjinë politike të PSD-së, ato duhet të përgjigjen për rezultatin e strategjisë së tyre disamujore për rrëzimin e qeverisë, apo përpjekjen për bllokimin e pushtetit? A kanë patur ndonjë sukses me këtë strategji?

E nisën me tryeza të partive politike, pastaj hoqën dorë nga to. Vazhduan me “bojkot” të Kuvendit, pastaj u kthyen në seanca pa asnjë rezultat. E nisën me kërkesën për mocion mosbesimi (edhe pse asnjëherë nuk i dhanë nënshkrimet), përfunduan me një rezolutë që kërkon dorëheqjen e qeverisë! Në fund u kthyen aty ku e nisën: po kërkojnë sërish tryezë të partive politike!

Partia Socialdemokrate i konsideron Qeverinë dhe Presidentin e Republikës së Kosovës përgjegjës për gjendjen aktuale. Rrjedhimisht betejën e ka me pushtetin. Besojmë që së pari duhet të ketë bashkim të opozitës dhe pastaj konsensus për dialogun. Mirëpo, për bashkim të opozitës duhet vullnet politik edhe nga të tjerët. E respekt të ndërsjellë. Sidomos nga subjektet më të numërt në kuvend.

Ne nuk besojmë që zgjidhja është ankesa dhe vajtimi, por angazhimi për të ndërtuar strategji të përbashkët, përballë një pushteti të papërgjegjshëm, arrogant dhe të korruptuar.

Edita Tahiri: Të bëhet Qeveria e unitetit, që të arrihet konsensusi për dialogun

Periskopi.com Lajme

Ish kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet në Bruksel me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se përgjegjësia bie mbi institucionet për procese të mëdha, si çështja e dialogut, por që edhe opozita duhet të japë kontributin e saj.

Ajo ka thënë se për t’u arrirë një konsensus politik në Kosovë për këtë proces, zgjidhja më e mirë do të ishte Qeveria e unitetit, njofton Klan Kosova.

“E kemi traditë që kur kemi bërë  bisedime me Serbinë dhe në Ramubje edhe Vjenë edhe tani përgjithësisht për fazat vendimtare, kemi qenë bashkë. Duhet të mbërrihet unitetit dhe mendoj që përveç bashkëpunimit duhet të bëhet edhe Qeveria e unitetit”.

“Sepse ajo është stimulim që kjo fazë të kalohet. Kështu mund t’i japim mesazhin e qartë Serbisë dhe ndërkombëtarëve”.

“Duhet të gjendet formula më e mirë që të jemi bashkë dhe të fuqishëm në tryezën negociatore. Këtë propozim e kam bërë edhe për bisedimet e Vjenës kur PDK mbeti në opozitë. Po dëgjojë, jo zgjedhje, apo forma tjera, mendimi im është me pragmatik dhe është Qeveria e unitetit”, ka thënë Tahiri në Info Magazine.

Sipas Tahirit në bisedimet në Bruksel duhet të flitet për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe nuk duhet të bisedohet për sovranitet dhe integritet territorial.

“Ato janë të kryera jo vetëm me luftën që kemi bërë por edhe përkrahjen e SHBA-së dhe NATO-s. Duhet të hyhet në përmirësim të marrëdhënieve ndërshtetërore he njohje reciproke, sepse kjo do të sillte paqe edhe në rajon”.

Veseli refuzohet edhe nga Vetëvendosje: Ftesë e pakuptimtë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar udhëheqësit e të gjitha partive politike parlamentare në një takim të përbashkët, me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi.

Veseli ka propozuar që takimi i parë të mbahet nesër në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës. “Spektri politik kosovar, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar dhe i përgatitur. Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në ftesën e kryekuvendarit .

Por, në këtë takim do të jenë të pranishme vetëm partitë e koalicionit qeverisës dhe jo edhe ato të opozitës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ftesa e Veselit është e pakuptimtë, meqë nesër në të njëjtën kohë është edhe seanca plenare ku do të ketë debat parlamentar për procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk besoj që do të marrim pjesë. Ne do të kemi mbledhjen e grupit parlamentar ku do të diskutohet edhe për këtë ftesë, por e konsiderojmë të panevojshme të marrim pjesë, me faktin se tashmë është Kuvendi që do të ketë një debat për dialogun”, është shprehur Haxhiu.

Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky takim i thirrur është veçse improvizim dhe se LDK-ja nuk do të shkojë.

Ftesës së Veselit i jep përgjigje Abdixhiku: Është improvizim, LDK-ja nuk shkon

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar sot udhëheqësit e të gjitha partive politike parlamentare në një takim të përbashkët me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi.

Veseli ka propozuar që takimi i parë të mbahet nesër në orën 10:00, në Kuvendin e Kosovës.

Por, në këtë takim, me sa duket do të jenë të pranishëm vetëm partitë e koalicionit qeverisës dhe jo edhe ato të opozitës.

Koha.net ka kontaktuar me deputetin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se ky takim i thirrur është veçse improvizim dhe se LDK-ja nuk do të shkojë.

“LDK-ja e ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e saj në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Ne konsiderojmë se institucionet e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin për të trajtuar këtë çështje me interes nacional. Prandaj kërkojmë zgjedhje të reja para dialogut. Nuk mund të pranojmë situatën e tanishme ku Qeveria abstenon nga obligimi i saj kushtetues për të udhëhequr me dialogun, e në anën tjetër Presidenti tejkalon kompetencat e veta kushtetuese dhe imponon veten në këtë dialog. Prandaj ne pranojmë vetëm zgjedhjet e reja dhe asnjë improvizim tjetër. Ky takim është veçse improvizim. Tryezat e spektrit të brendshëm politik janë shterur tashmë dhe nuk kanë më kuptim”, tha Abdixhiku.

Në anën tjetër, deputeti tjetër i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se Kadri Veseli bashkë me Hashim Thaqin, në 2017-ën, pa paralajmërim e quan vendin në zgjedhje dhe dërguan LDK-në në opozitë, duke thyer gjitha marrëveshjet të shkruara e të pashkruara.

“Ata e deshën LDK-në në opozitë, prandaj lëreni LDK- në të luajë rolin e saj opozitar. Ne sjemi servis i tyre, kur të ju duhemi në raste, të shndërrohemi në makina të votimit. Sot 42 deputetë shqiptar udhëheqin vendin me pakicat destruktive kurse nga 58 deputetët shqiptarë presin t’iu rrimë gaditu me votat tona në keqeverisjen, zhvatjen dhe zhbërjen e shtetit. Koha është për tryezë për zgjedhje e jo për zgjidhje”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Portali ka provuar të kontaktojë edhe me deputetë të VV-së dhe PSD-së, për të mësuar se a do të pranojnë të shkojnë në këtë takim, por nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, kujtojmë se thirrjeve për një konsensus dhe kompromis të brendshëm politik rreth kësaj faze të dialogut, spektri politik opozitar vazhdimisht u është përgjigjur negativisht.

Ndërkaq, takimi i thirrur nga Veseli për të hënën do të jetë i mbyllur dhe secili subjekt politik do të përfaqësohet në bazë të formatit 1+1.

Ftesa e plotë:

Me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që në këtë proces të rëndësishëm të kemi pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, kam kënaqësinë t’iu ftojë në një takim të përbashkët mes udhëheqësve të partive politike parlamentare.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, njohjen reciproke, si dhe të sigurojë ulësen e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Spektri politik kosovar, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar dhe i përgatitur.

Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në këtë proces të rëndësishëm.

Takimi i radhës mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet në fillim të muajit shtator në Bruksel.

Presioni ndërkombëtar pritet ta shtyjë përpara konsensusin kombëtar

Periskopi.com Lajme

Njohësit e proceseve politike në vend presin të shtohet presioni ndërkombëtar mbi subjektet politike për arritjen e një konsensusi kombëtar për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Imer Mushkolaj dhe Behxhet Shala kanë bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se duhet të ketë një pajtueshmëri mes partive për disa çështje.

Sipas tyre, tryezat e deritanishme të partive politike rreth arritjes së një konsensusi kanë qenë të dështuara për faktin se nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

“Presioni ndërkombëtar veçse ka filluar. Presioni ndërkombëtar do të bëhet edhe më i fortë me kalimin e javëve. Është i domosdoshëm të arrihet një pajtim më i madh në këtë proces. Pavarësisht prej deklarimeve që janë për konsum të brendshëm, pres që LDK-ja së shpejti të bëhet pjesë e procesit. Z. Mustafa si kryetar i LDK-së me muaj është i informuar prej dorës se parë se çfarë po ndodh, kështu që besoj se LDK-ja do të bëhet pjesë e procesit. Nuk pres që pjesë e këtij procesi të bëhen të gjitha partitë politike, sepse nuk është e mundur. Por, do të arrihet njëfarë konsensusi që shumica e spektrit politik ta përkrahë dialogun”, ka thënë Mushkolaj.