Mësuesja nga Prizreni nuk është në grevë, mban mësim të rregullt me nxënësit e saj

Periskopi.com Lajme

Ka dhjetë ditë që fëmijët anembanë Kosovës nuk po mbajnë mësim për shkak të grevës së mësimdhënësve.

Por një mësuese nga Prizreni ka hequr dorë nga greva për hir të nxënësve. Tash e nëntë ditë, nxënësit e klasës së dytë të shkollës fillore “Xhevat Berisha” në Prizren po mbajnë mësim të rregullt.

Mësuesja e cila nuk ka dashur të flasë para kamerave, ka thënë për TV Prizreni se e përkrahë grevën, por nuk do që të dëmtohen nxënësit e saj.

Kurse drejtori i kësaj shkolle, Samidin Ramadani, ka treguar se mësimdhënësja në fjalë hoqi dorë nga greva qysh në ditën e dytë dhe filloi mësimin.

“Përgjigja ime ka qenë kështu, të gjithëve iu kam thënë, kush do të mbajë mësim, le të vazhdojë, kushtet të gjitha do t’i kenë të plotësuara si në çdo ditë tjetër të mësimit. Pas kësaj përgjigje, ajo ka filluar prej ditës së martë (15 janar) duke mbajtur mësim”, ka thënë Ramadani për Tv Prizreni.

Greva e përgjithshme në arsim erdhi si pakënaqësi e mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave, dhe SBASHK-u ka paralajmruar se do të bëjnë edhe protesta nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre Brenda dy jave grevë.

SBASHK-u ka kërkuar që koeficienti i pagave për punëtorët e arsimit të rritet 30 përqind, ndërkaq qeveria i ka ofruar një rritje prej 0.20 përqind.

Ani pse qeveria ka deklaruar se nuk kanë mundësi buxhetore për më shumë rritje, SBASHK-u nuk është tërhequr ende nga greva. /Periskopi/