Adri Nurellari: LDK-ja nuk përbën ndryshimin, Kurti do të bëjë kompromise për hir të pushtetit

Periskopi.com Lajme

Analisti Adri Nurellari vlerësoi se formimi Qeverisë Kurti është lajm i mirë për demokracinë e Kosovës, ngase rotacionet e pastra, siç i quajti ai, janë dëshmi për konsolidimin e institucioneve kosovare.

Në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës, ai tha se një qeverisje e tille është produkt i sistemit politik të Kosovës.

“Kosova më shumë i ngjan disa vendeve si Beneluksit apo Zvicrës, për sa i përket mënyrës si merret dhe mbahet pushteti, se sa Britanisë ku ka një bipolarizim, bipartizim të shoqërisë. Shtohet këtu edhe dimensioni i Pakos së Ahtisarit ku duhet të ndahet pushteti edhe me pakicat. Vetë sistemi politik e dikton që të behet kompromis, e dikton këtë lloj qeverisje”.

Tutje Nurellari komentoi koalicionin në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së.

“Është interesante se si po e paketojnë ketë koalicion si ndryshim, sikur LDK-ja të ishte diçka e re. LDK-ja është partia më e hershme në trojet shqiptaret, gjëja më e vjetër që kemi është kjo sa i përket organizimeve politike. Dhe e dyta është që nga 20 vjet pushtet 15 vjet janë të LDK-së. Është paksa absurd të thuhet se ka një ndryshim kur gjysma e pushtetit kontrollohet nga LDK-ja”.

Ai theksoi se kreu i qeverisë do të jetë i gatshëm për të bërë kompromise dhe se një gjë e tillë tashmë është parë.

“Ka disa nuanca që për hir të pushtetit janë gjasat e mëdha që Kurti të bëjë kompromise. Kemi parë disa prej tyre, disa zmbrapsje parimore të tij. E pamë njëherë që partia që është krijuar me emrin “Vetëvendosje” kundër neokolonializmit dhe kundër protektoratit e kundër konkuistadorëve të huaj që erdhën këtu, nuk ka me kuptim. Nuk ka kuptim ngaqë thirri Quintin për t’i bërë presion LDK-së për të negociuar”.

“Gjithashtu partia që dëshironte të zhdukte Listën Serbe, e pati më së lehti me përfshirjen e saj në koalicion”.

“Në çdo rast Lista Serbe ka bërë demonstrim force duke penguar, zvarritur, ndaluar, vonuar dhe sikletosur ujditë e mëdha – qoftë votimin e presidentit, qoftë votimin e Qeverisë Mustafa e Qeverisë Haradinaj – kësaj radhe nuk iu dëgjua zëri. Kjo lë të kuptohet që mundësitë për të bërë kompromis janë më të mëdha, por ngelet për t’u parë”.

Sipas Nurellarit vështirësitë në koalicionin VV-LDK mund të shfaqen në lidhje me prirjet e Vetëvendosjes për t’i zhbërë disa veprime të së kaluarës, këtu përmendi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pjesë e të cilave ka qenë LDK-ja.

Ai shtoi se me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit do të fillojë edhe demistifikimi i figurës së tij.