I zgjerohet oda Kurtit: Adriatik Kelmendi thotë që Kurtit i pëlqejnë burrat e jo gratë në politikë

Periskopi.com Lajme

Periskopi ditë më parë kishte raportuar për trendin shqetësues të gjinisë së zv.ministrave të emëruar deri tash në Qeverinë Kurti. Por, ky trend tashmë ka filluar të kuptohet edhe nga gazetarë të tjerë që nuk e mbështesin verbërisht kryeministrin e ri.

Në artikullin e titulluar “Oda Kurti: Të gjithë zëvendësministrat e Qeverisë deri tash qëllojnë burra”, Periskopi tregoi për emrat e zv.ministrave të emëruara deri në atë ditë, të gjithë prej të cilëve kishin diçka të përbashkët: gjininë.

Edhe gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar për rastin duke thënë:

“Me trendin e filluar të emërimit të zv.ministrave, shumica burra, mjerisht shumë shpejt mund të ulet kuota prej 30 për qind e përfaqësimit të grave në qeveri… Sa filluam të krenohemi!” – shkruan ai.

Në fakt, kuota 30 për qind në Qeverinë Kurti nuk ka qenë asnjëherë dhe kjo mund të evidentohet nga të gjithë njerëzit që dinë të pjesëtojnë. 15 ministri + 2 zv.kryeministra + 1 kryeministër = 18 poste qeveritare. Dhe nga 18 poste qeveritare, 5 iu takojnë grave. Tash, 5/18 bën 0,27, që tregon se përqindja ishte vetëm 27 për qind.

Periskopi fton të gjithë që ta kuptojnë se znj.Vjosa Osmani nuk është pjesë e Qeverisë së Kosovës. Kjo sepse, pozita e kryetares së Kuvendit është pjesë e degës së Legjislativit dhe jo e Ekzekutivit. Kjo është një që mësohet pak-a-shumë në klasën e tretë të fillores.

Po ashtu, Periskopi fton lexuesit e saj që të kuptojnë se në ekuacion duhet të futen edhe dy pozitat e zv.kryeministrave dhe vetë ajo e kryeministrit. Edhe këto poste janë pjesë e Ekzekutivit, madje më të rëndësishmet, dhe askund nuk shkruan që janë të rezervuara ekskluzivisht për burra.

Pra, në postet e rëndësishme qeveritare ulen aktualisht vetëm 27,7 për qind.

Por, edhe emrat e zv.ministrave kanë qëlluar burra. Secili prej tyre më burrë se tjetri. Avni Zogiani, Imri Demelezi, Taulant Kryeziu, Ilir Aliu dhe Visar K.Berisha.

Por, edhe emrat e zv.ministrave të tjerë që pritet të emërohen e që po qarkullojnë në media janë po ashtu burra: Agim Bici, Florian Dushi, Ismet Beqiri, Xhavit Rexhaj dhe Agim Krasniqi.

Kësisoj, deri tash nga 28 vetë që janë pjesë e Qeverisë në funksione kryeministrash, zëvendëskryeministrash, ministrash e zëvendësministrash janë vetëm 5 gra. Pjesëtojeni numrin 5 me numrin 28 dhe do ta fitoni përqindjen 0.17.

E premtimi ishte që do t’i kishim 50 për qind gra në qeverisjen e ardhshme. /Periskopi