Krejt çka ndodhi mbrëmë, prej debatit të ashpër deri te përleshja fizike e Molliqajt me Abazin

Periskopi.com Lajme

Në përleshje fizike ka përfunduar debati mes dy kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi dhe atij nga koalicioni PSD-AAK, Dardan Molliqaj.

Gjatë një debati në Pressing, dy kandidatët për deputetë ishin tensionuar disa herë, por që nervozizmin e madh e kishin shfryrë menjëherë pasi kishin dalur nga studio televizive.

Fjalët e Haki Abazit për përleshjen: “Kam qenë duke dalur nga koridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe dojshim me m`goditë. Ka hy Rexhep Hoti në mes dhe qashtu njëfarë situate e pakëndshme e kapjes për fyti e qisi senesh. Edhe një goditje në këmbë sdi ka më ka ardhë se ishte një situatë komplet jo e mirë”, kishte thënë Abazi.

Fjalët e Molliqajt për përleshjen: “Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj pas incidentit.

Vetëvendosje e quan bandit Dardan Molliqajn:

“Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë”

“Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”, thuhet në deklaratën e VV-së.

Policia e Kosovës ka intervistuar mbrëmë të dyshuarit:

“Më datë 11.09.2019, rreth orës 22:55, Policia ka pranuar informatën lidhur me një incident në Fushë Kosovë, dhe njësitet e stacionit kompetent policor menjëhërë kanë dal në vendin e ngjarjes, ku aty kane takuar njërin nga personat e përfshirë i cili është në proces të intervistimit dhe tani janë duke ndërmarr të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, në mënyrë që në konsultim me prokurorin kompetent të ndërmerren veprime të mëtutjeshme”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha.

Fjalët e moderatorit se çfarë ndodhi pas debatit:

I kam pershendetur te gjithe mysafiret dhe jam bere gati per ta nisur pjesen e dyte. Papritmas e kam degjuar nje zhurme te madhe ne studio, jam kthyer dhe kam pare teksa plandosej per dysheme z. Haki Abazi. Kam dale me nxitim ne koridor dhe kam mundur ta shoh z. Dardan Molliqajn teksa hynte ne lift dhe z. Rexhep Hotin qe ishte ne koridor. Nuk kam mundur te bisedoj me z. Molliqaj, as me z. Hoti. Nuk e kam pare situaten çfare ka ndodhur pasi qe isha ne studio dhe ngjarja ka ndodhur jashte saj.

Z. Abazi me ka thene se eshte sulmuar fizikisht nga z. Molliqaj dhe shoqeruesi i tij.

Dajaku kërset çdo ditë, e në LDK thonë se ka kaluar koha e rrahjeve – Isa Mustafa, kryeproblemi i partisë

Artina Muçiqi Lajme

Një ndër ngjarjet më të përfolura të javës që lamë pas mbeten përleshjet fizike në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila aktualisht po zhvillon procesin e brendshëm zgjedhor. Përleshjet në këto kuvende zgjedhore tashmë kanë marrë përmasa shqetësuese. Derisa në këto tubime zgjedhore po kurset dajaku çdo ditë, zyrtarë të kësaj partie vazhdon të thonë se në partinë e tyre ka kaluar koha e rrahjeve. Ndër ta, janë edhe shefi i deputetëve të partisë, Avdullah Hoti e sekretari i partisë, Ismet Beqiri. Derisa, i pari i partisë, Isa Mustafa, i cili po cilësohet si dështues i parandalimit të këtyre dukurive, fajin e gjuan te partitë tjera dhe tek mediet. Për zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për Periskopin flasin analistët Belul Beqaj e Imer Mushkolaj.

Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, në një deklaratë dhënë Periskopit ka thënë se përleshjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë pasojë e ambicieve të paepura të kandidatëve në rrethanat e mungesës së standardit të meritokracisë që është pasojë e mungesës së demokracisë së brendshme partiake dhe lojalitetit  ndaj kryetarit të partisë që ia ka ‘lidhur këmbët’ LDK-së.

“Në mosgatishmëri për ta marr përgjegjësinë mbi vete, Isa Mustafa,  po sajon shkaktarë të jashtëm. Edhe sikur të jetë e vërtet, ai duhet të jep përgjegjësi për këtë që po ndodhin brenda LDK-së, apo jo?! Kryeproblemi i shkakut të përleshjeve është pikërisht ai dhe poltronët “besnik” rreth tij. Sikur të kishte përgjegjësi ai do të largohej, meqë po pretendon të vazhdojë në postin e kryetarit , ai do të përfundoj në mbeturinat e  historisë së kësaj partie duke marr parasysh çfarë ka bërë dhe çfarë pasoja do të shkaktojë për të ardhmen e LDK-së! LDK-ja figuron se e para në anketa, jo për shkak të tij sa për shkak të dështimit të plotë të koalicionit dhe disa figurave të reja në  krye me  Vjosa Osmanin dhe disa figurave të përgjegjshme që nuk janë afër kryetarit”, ka thënë Beqaj për Periskopin.

Se kryetari i partisë, Isa Mustafa, është përgjegjës për përçarjet e përleshjet në LDK, e thotë edhe njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolaj.

Ai ia ka rikujtuar Mustafës që si i pari i partisë duhet të marrë përgjegjësi për telashet brenda partisë, e mos ta kërkojë fajtorin në mesin e medieve.

“Përleshjet në LDK tregojnë probleme serioze në këtë parti. Isa Mustafa me çdo kusht po provon ta projektojë ndikimin e vet mbi kuvendin e ardhshëm të partisë, qofte me qellim që të rikandidojë për postin e kryetarit, qoftë për të zgjedhur njerëzit e tij në krye. Përgjegjës për problemet në LDK është Isa Mustafa. Nuk i kane faj mediat”, ka thënë Mushkolaj për Periskopin.

Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, në një publikim të shkurtër në rrjetin social “Facebook” akuzoi mediat dhe partitë tjera për telashet në partinë e tij, e cila duket se kohëve të fundit i ka ‘dalë nga dora’.

“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallalleqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së! Të gjithë duhet ta dijnë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statusin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si Kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen. Për rregullsinë e procesit zgjedhor vendimtare janë dispozitat e Statutit të LDK-së dhe Platforma zgjedhore, e jo konstatimet nga debatet e atyre që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ky reagim i tij erdhi pas përleshjes që ndodhi të enjten në Degën e LDK’së në Prishtinë, te ‘Mati 1’.

Beqaj: Keqmenaxhimin po e bën kryetari i partisë, për shkak të ambicieve të sëmura

Njohësi i zhvillimeve politike, profesori Belul Beqaj thotë për Periskopin se janë disa arsye pse po ndodh ky keqmenaxhim i procesit të brendshëm në LDK.

“Keq menaxhimi është  pasojë e përzgjedhjeve të gabuara në fazën e rekrutimit, miratimit dhe zgjedhjeve ,për shkak se po imponohen  ata që dëshirojnë për të dëshmuar veten duke u treguar lojal ndaj kryetarit dhe grupit të tij,  e jo ndaj interesit të anëtarësisë së gjerë”, thotë ai.

Tutje, ai shton se procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ishte paraparë të përfundonte në maj, por thotë se një gjë e tillë nuk ndodhi pikërisht për shkak të kryetarit të partisë.

“Kjo po bëhet për shkak të ambicies së sëmurë të kryetarit e jo për partinë. Partia do të duhej ta kishte përfunduar këtë proces sa di unë në maj, kjo nuk ndodhi pikërisht  për shkak të kryetarit i cili në zgjedhjet e kaluara premtimin më të madh se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, e shndërroi në mashtrimin më të madh pas elektoral…Ç’është edhe më keq, e bëri HTH kryetar të Republikës, për hir të “institucionalizimit”, të cilit po mundohet t’i hakmerret”, ka thënë tutje Beqaj për Periskopin.

Avdullah Hoti thotë se ka kaluar koha e rrahjeve në LDK, në kohën kur ato ndodhin çdo ditë

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila këto ditë po mban procesin e brendshëm zgjedhor, është duke u përballur me përleshje të shumta fizike dhe kjo ka krijuar një situatë tejet të rëndë në strukturat e saj.

Deri më tash janë raportuar rrahje, intervenime të policisë dhe arrestime, në disa kuvende zgjedhore të LDK-së, siç janë ato në Mitrovicë, Ferizaj e Prishtinë, duke e shndërruar kështu “partinë paqësore” në një “arenë të dhunës”.

Megjithatë, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, po vazhdon me tentimet e tij për ta manipuluar opinionin lidhur me këtë fakt.

Duke kujtuar Kuvendin e LDK-së të vitit 2016, i cili njihet si Kuvendi i Karrigeve, ai ka deklaruar për RTV 21 se partia e tij e ka tejkaluar këtë fazë.

“Kuvendi i vitit 2006 ende ka mbetur në kujtesën e LDK-së, mirëpo që është tejkaluar”, ka thënë Hoti.

Për përleshjet e fundit në LDK, ai ka thënë se “nuk po ndodh asgjë” dhe ka shtuar se disa aktivistë po shprehin një sjellje që është jotipike për LDK-në.

Realiteti është se rrahjet në LDK nuk po kanë të ndalur dhe se Avdullah Hoti, me deklarimet e tij, po vazhdon të mos e thotë të vërtetën.

Në përleshjen që ndodhi në Degën e LDK-së në Mitrovicë, javë më parë, Hoti, ndonëse ishte i pranishëm aty, pat deklaruar se është larguar para se të fillonin grindjet.

Mirëpo, kamerat televizive e patën kapur live, duke e zënë kështu qartësisht në rrenë.

LDK ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur se kush janë kandidatët e saj për ta marrë drejtimin e partisë. Ambiciet e tyre i kanë shprehur Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, por duket se kësaj gare kanë për t’i hyrë sërish edhe Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa.

Beqiri: Askush s’ka me pas kaçik me dëmtu LDK’në

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka shprehur bindjen e tij se nuk do të përsëritet “Kuvendi i Karrigeve” në 2006, që kishte rezultuar me ndarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë në Info Magazine ai kishte thënë se do të dështojë kushdo që tenton ta bëjë një gjë e tillë.

“Jam shumë i bindur që kjo nuk do të ndodhë, po e them prej këtu, po i çoj selam cilitdo që tenton të bëjë diçka të tillë që ka për të dështuar”, tha Beqiri.

“Nuk besoj që ka ndonjë person në LDK, ose ndonjë figurë, përfshirë edhe mua që ‘skam pasur kurrë asi vullneti për të bërë aso përçarje”.

“Po ju them hapur, nuk ka me pas kaçik asnjëri për ta dëmtuar LDK-në”.

“Ajo që ka ndodhur më 2006 është një storie e tejkaluar”.

“Mund të ketë rivalitete, mund të ketë grupime, por vota ka për të folur në fund”.

Beqiri tha se anëtarët e kësaj partie nuk do t’i shkojnë pas askujt që për interesa shumë të ngushta tenton që të dalë në rendin e parë.

“Besoj që edhe anëtarësia jonë, nuk ka për t’i shkuar pas kujtdo qoftë që për interesa shumë të ngushta tenton veç të dalë në rend të parë”.

“I vjen rendi krejt. Duhet të ketë gajret, duhet të ketë durim”, përfundoi Beqiri.

Por, pavarësisht këtyre deklaratave të zyrtarëve të lartë të partisë, përleshjet në kuvende zgjedhore po vazhdojnë. E së fundmi, kjo situatë u ka dalë nga kontrolli totalisht.

Përplasje në Prishtinë mes përkrahësve të Arban Abrashit e Hazir Borovcit

Në Degën e LDK’së në Prishtinë, te ‘Mati 1’ të enjten janë përleshur përkrahësit e deputetit Arban Abrashi dhe Hazir Borovcit, i cili shquhet për ‘komunikimin në varr’ me ish-kryetarin e kësaj partie, presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Kryetar i nëndegës së tretë të LDK-së në lagjen “Mati 1” në Prishtinë është rizgjedhur Avdi Pireva. Megjithatë Pireva, mbështetës i Hazir Borovcit akuzon Arban Abrashin se në LDK po shfaqet me bandë. Ai thotë se skena të ngjashme sikur dy ditët e fundit janë çdoherë kur nuk anojnë për Hazir Borovcin.

Por, Fatos Azemi po pretendon se kishte qenë kundërkandidat i Pirevës dhe se nuk ishte lejuar të futet në kuvend.

Ai po thotë se Pireva si pjesë ekipit të Hazir Borovcit ka mbajtur kuvendin zgjedhor pa njoftuar askënd.

“Nuk ekzistojnë banda në LDK. Thjesht, dikush po besoj që është frikësuar nga numrat e mi si kundërkandidat. Qëllimi im, dhe besoj i të gjithë kundërkandidatëve, duhet të jetë masivizimi i LDK-së, përkatësisht Degës së 3-të në këtë rast”.

“Ekipi i Hazirit (Brozovcit) nuk e ka njoftuar askënd. Madje, shumica nga kryesia e nëndegës Mati 1 nuk kanë pasur informata për kuvendin e djeshëm”, ka thënë ai.

Të nesërmen u raportua edhe për përleshjen e radhës në Kodrën e Trimave, e cila rezultoi me arrestimin e disa personave.

Se sa persona janë arrestuar në atë përleshje dhe çfarë masash janë ndërmarrë ndaj tyre, Periskopi ka pyetur zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës, por ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Përleshje edhe në Ferizaj e Mitrovicë

Më 29 maj, gjatë tubimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në fshatin Koshare të komunës së Ferizajt, ka ndodhur një përleshje.

Rasti ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kishin bërë të ditur se nga përleshjet kishte mbetur i lënduar një person.

“Policia ka arrestuar katër persona, dyshohet se mund të ketë edhe persona tjerë. Është njoftuar prokurori kujdestar, dhe në bazë të urdhrit jemi duke vazhduar hetimet”, thonin nga Policia.

Ndërsa, më 19 maj përleshje në një tubim zgjedhor të LDK’së kishte ndodhur në Mitrovicë.

Mësohet se përleshja ka ndodhur si shkak i pakënaqësive ndërmjet delegatëve të kësaj dege, për shkak të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Në videot e publikuara në rrjete sociale, shihej se në atë tubim kishte qenë edhe shefi i deputetëve të partisë, Avdullah Hoti, por ky i fundit e kishte mohuar.

Përleshja fizike brenda LDK-së kishin filluar vite më parë ku zgjedhjet e brendshme të kësaj partie kishin përfunduar në rrahje me karrige. Pas asaj përleshje, LDK ishte ndarë duke u krijuar partia e re në krye me Nexhat Dacin e quajtur Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD)./PERISKOPI

 

 

Policia jep detaje për përleshjen ku u përfshi kryetari i Deçanit

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media ka dhënë detajet për përleshjen që ka ndodhur dje në Deçan ku ishte i përfshirë kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj.

Në këtë komunikatë shkruhet se me datën 27 mars 2019 në Deçan, në një restorant ka ndodhur një incident në mes të disa personave, të cilët fillimisht janë fjalosur dhe më pas janë përleshur edhe fizikisht.

“Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor në Deçan, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në koordinim edhe me prokurorin e shtetit, për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me këtë rast, i cili është cilësuar ‘lëndim i lehtë trupor’”.

“Janë intervistuar ankuesit (viktimat), dëshmitarët dhe dy persona të dyshuar: V. R. m/k/sh i lindur me 1982 dhe J. B. m/k/sh i lindur 1972. Të dyshuarit janë arrestuar, ku i dyshuari i parë është ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i dytë është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit të shtetit”, shkruhet më tej në këtë komunikatë.

Rasti është duke u hetuar në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit për të sqaruar rrethanat dhe motivin e rastit.

Tollovi në Deçan, dyshohet për përleshje fizike mes kryetarit e disa qytetarëve

Periskopi.com Lajme

Shkatërrimi i disa lokaleve nga inspekcioni komunal në Deçan të mërkurën, ka shkaktuar tension mes qytetarëve dhe kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes i kanë thënë Insajderit se ka pasur përleshje fizike mes kryetarit dhe qytetarëve, por një gjë të tillë e ka mohuar kryetari Ramosa.

Ramosaj ka thënë se nuk ka pasur përleshje fizike mes tij dhe qytetarëve, por ka pohuar se ka pasur përplasje verbale dhe tension.

“Jo, jo nuk ka pas përleshje. Ne i kemi prishur disa lokale dhe është bërë njëfarë tensioni me fjalë por nuk ka pasur asnjë incident. Ka pas tension të fjalëve por jo përleshje”, ka deklaruar Ramosaj për insajderin.

Kryetari i Deçanit po ashtu ka konfirmuar se edhe Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes, por siç ka thënë Ramosaj, ai ishte larguar nga vendngjarja para se të arrinte policia.

“Kur ka ardhur Policia, unë nuk kam qenë aty”, ka thënë i pari i Komunës së Deçanit.

Ndërkaq, në Policinë e Kosovës, Rajoni i Pejës, kanë thënë se ende nuk kanë informata lidhur me këtë rast.

Djali i zëvendësministrit përfundon me krah të thyer pas rrahjes për një vajzë

Periskopi.com Lajme

Për një vajzë, djali i mitur i Zëvendësministrit Bashkim Krasniqit, dhe 18-vjeçari Përparim Dugova, u përleshën fizikisht.

Nga ky konflikt, V.K., 16-vjeçar, mori disa lëndime trupore dhe përfundoi me një dorë të thyer. Zëvendësministri po e konsideron Dugovën djalë problematik, ndërkaq policia mbrëmë ndaloi tre persona.

Djali i zëvendësministrit të MAPL-së, Bashkim Krasniqit, u sulmua ditën e djeshme nga Përparim Dugova, gjatë kohës kur po kthehej në shtëpi nga shkolla.

Rrugës për të shkuar në shtëpi 16-vjeçari ishte me shokët dhe shoqet, e për njërën nga to ndodhi edhe konflikti që përfundoi me thikë e grushta.

Përparim Dugova e akuzoi 16-vjeçarin se ia kishte ngacmuar të dashurën dhe pastaj u përlesh me të.

Djali i zëvendësministrit u sulmua me thikë dhe mori dëmtime të lehta në trup dhe theu dorën si rezultat i incidentit. Përleshja përfundoi përkohësisht me intervenimin e kalimtarëve, e pastaj policia e Kosovës vëri nën pranga tre persona.

Edhe pse V.K. kishte insistuar se vajzën e kishte vetëm shoqe, Përparimi kishte vendosur që për këtë rast t’i qëronte hesapet.

Vetëm dje gjatë ditës, ai fillimisht e kishte kërcënuar derisa djali po kthehej nga shkolla, e pasdite konfliktin e kishte vazhduar edhe kur kishte tentuar të hyjë në shtëpinë e zëvendësministrit.

Pas intervenimit të policisë, që të tre të implikuarit në incident u shoqëruan në stacion të policisë, ku Krasniqi dha deklaratë si prindi i të miturit.

Zëvendës ministri Krasniqi ka zbuluar detaje të tjera të rastit, duke treguar edhe versionin e tij.

“Djemtë janë të moshës 15 dhe 16 vjeçare. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur unë isha në punë. Sulmuesi e ka sulmuar djalin tim me çykë të thikës. Me të parë rastin, disa komshinjtë kanë intervenuar për t’i ndarë pjesëmarrësit në incident” u deklarua ai, duk shtuar se e njeh sulmuesin si djalë problematik, e duke treguar se pse ndodhi rasti.

“Sulmuesi njihet si djalë problematik. Arsyeja e sulmuesit ishte shumë banale. Rasti ka ndodhur kështu: pasi djali im me disa shokë dhe shoqe janë kthyer në shtëpi nga shkolla, sulmuesi e ka sulmuar djalin tim me arsyetimin se ky i ka ngacmuar të dashurën edhe pse djali im e ka mohuar një gjë të tillë duke i treguar se e ka shoqe të shkollës. Edhe pas intervenimit të komshinjëve, sulmuesi ka tentuar përsëri që konfiliktin ta vazhdoj në shtëpinë time. Si rezultat i incidentit djali im ka dorën e thyer dhe ka dëmtime në qafë”, deklaroi ai.

Rastin e kanë konfirmuar edhe policia.

“Mbrëmë rreth orës 23:30 kemi pranuar një informacion se në rrugën “Gjirokastra” në Fushë-Kosovë ka ndodhur një rrahje, ku lëndime trupore kanë pësuar dy persona të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar tre persona meshkuj (te mitur) të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, kanë thënë Flora Ahmeti, nga Policia e Kosovës./Gazeta Express/

Fyerjet dhe përleshjet fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Në seancat e fundit janë shtuar përplasjet e ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Mospajtimet ndërmjet deputetëve të partive të ndryshme në seancat e Kuvendit shpeshherë kanë dërguar deri në përplasje të ashpra, ku nuk po mungojnë as ofendimet ndërmjet deputetëve.

Përfaqësues të partive politike në vend, si dhe njohës të çështjeve politike thonë se gjuha e deputetëve ka degraduar dukshëm në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, shkruan Zëri”.

Për më tepër, përplasjet e ofendimet ndërmjet deputetëve po përcillen edhe jashtë Kuvendit, madje edhe në studiot televizive, të cilat në të paktën dy raste kanë përfunduar edhe me përleshje fizike.

Rasti i fundit ishte ballafaqimi verbal mes Glauk Konjufcës dhe Milaim Zekës.