Avokati i Sabahudin Cenës konfirmon se klienti i tij u ftua nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit

Periskopi.com Lajme

Mahmut Halimi, avokati i ish-anëtarit të Zonës operative të Pashtrikut, Sabahudin Cenës, ka folur rreth intervistimit të sotëm të klientit të tij në zyret e EULEX-it.

Halimi ka thënë për Klan Kosovëm se klienti i tij, Sabahudin Cena, është ftuar nga Prokurori i Specializuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Cena sipas avokatit të tij nuk është i akuzuar i Speciales në Hagë, derisa është shfaqur i bindur që as nuk do të ngritet ndonjë aktakuzë ndaj tij po ashtu.

Veç tjerash avokati i Sabahudin Cenës, Mahmut Halimi për Klan Kosovën ka bërë të ditur se klienti i tij do të ketë edhe një intervistim tjetër në zyret e EULEX-it, procedurë kjo e cila do të zhvillohet gjatë ditës së martë.

Detaje të tjera rreth ngjarjes së Sabahudin Cenës me rastin e sotëm të paraqitjes së tij të papritur pranë zyreve të EULEX mund të mësoni në storjen e cila do të transmetohet ekskluzivisht në lajmet e orës 23:00 në Klan Kosova. /Periskopi