6 mijë policë e 100 prokurorë do t’i ndjekin të dielën vjedhësit e votave

Periskopi.com Lajme

Prokuroria e shtetit dhe Policia e Kosovës kanë bërë përgatitjet që procesi zgjedhor të jetë i rregullt dhe të mos ketë tentativa për t’i dëmtuar ato. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës gjegjësisht ai i Prokurorisë Speciale kanë thënë se rreth 6 mijë policë dhe 100 prokurorë do të jenë të angazhuar që procesi zgjedhor të shkojë në rregull deri në fund.

Zyra e BE-së në Kosovë tashmë ka të angazhuar vëzhguesit e saj që do të jenë në tërë Kosovën për të monitoruar procesin e zgjedhjeve, e numri i tyre do të jetë 100 sosh.

Ekipi i vëzhguesve nga Bashkimi Evropian është i pranishëm në Kosovë që nga viti 2013 ndërsa kjo është hera e pestë që ata i vëzhgojnë zgjedhjet në vend.

Në KQZ thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet sa i takon organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Për zgjedhjet e 6 tetorit, KQZ ka certifikuar 25 subjekte, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e djeshme ka akredituar edhe vëzhguesit e fundit dhe numri i përgjithshëm i vëzhguesve shkon në 34 mijë e 586.

Policia ka përgatitur dhe është në zbatim e sipër të Planit Operativ ,,Zgjedhjet 2019”, ku ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës , Baki Kelani i ka thënë se nesër do të jenë rreth 6 mijë policë të angazhuar për ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e tyre.

“Rreth 6 mijë zyrtarë policorë do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve por edhe të tjerë që do të jenë në detyra rutinore policore përfshirë edhe veriun e Kosovës”, ka thënë Kelani pr Express.

Ai po ashtu ka thënë se zyrtarët policorë që do të jenë të angazhuar nesër do të jenë të njësiteve të ndryshme.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka thënë se rreth 100 prokurorë do të angazhohen në nivel të Kosovës.

“Janë diku rreth 100 prokurorë në nivel të Kosovës që do të angazhohen në të gjitha prokuroritë dhe në të gjitha stacionet policore. Në secilën prokurori janë të caktuar prokurorët në bazë të komunave, një prokuror për një komunë është komplet në nivel të Kosovës, diku mund të ketë më shumë diku më pak varësisht prej rajoneve”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se prokurorët do të kujdesen që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të parapara me ligj ndaj personave që mund të shkelin ligjin duke dëmtuar procesin zgjedhor.

“Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, ku janë të përfshirë 11 vepra penale, varësisht prej elementeve që do t’i hasim dhe krimeve të ndërmarra nga persona të caktuar do të reagojmë me kohë, menjëherë me ndalim të personave që do të bijnë ndesh me ligjin”, ka thënë Pula.