Të paktën 23 të vdekur dhe 11 të lënduar nga shpërthimi i një zjarri në një dyqan në Meksikë

Të paktën 23 të vdekur dhe 11 të lënduar nga shpërthimi i një zjarri në një dyqan në Meksikë

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në një dyqan në Meksikë.

Zjarri ka shpërthyer të shtunën në qendër të qytetit veriperëndimor të Hermosillo, në një degë të Waldo’s – zinxhirit më të madh të dyqaneve me zbritje në Meksikë, raporton BBC.

Autoritetet lokale e kanë përshkruar incidentin si një shpërthim, megjithëse guvernatori rajonal Alfonso Durazo ka theksuar se shkaku i saktë ende nuk është përcaktuar.

Sekretariati i sigurisë publike të shtetit të Sonora ka bërë të ditur se përjashtohet mundësia e një sulmi ose akti dhune të qëllimshëm kundër civilëve.

Mes viktimave ka edhe fëmijë, ndër ta një vajzë 15-vjeçare që ishte mes të lënduarve dërguar në spital.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Sonora-s, Gustavo Salas Chávez, ka thënë për gazetarët se shumica e të vdekurve humbën jetën për shkak të “ekspozimit ndaj gazrave toksikë”. Ai shtoi se nuk ka asnjë tregues që zjarri të jetë ndezur qëllimisht.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, ka shkruar në mediat sociale duke shprehur ngushëllime për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre./Periskopi/

Shpërndaje në: