Trashet zullumi: Pas rrymës, shtrenjtohet edhe uji i pijshëm

Trashet zullumi: Pas rrymës, shtrenjtohet edhe uji i pijshëm

Qytetarët e Kosovës po marrin lajme aspak të mira këto 24 orët e fundit sa i përket çmimeve. Përveç atyre ushqimore muaj më parë, dje u rrit çmimi i rrymës, ndërkaq sot, është paralajmëruar edhe ngritja e cmimit për ujin e pijshëm.

***

Nga një janari i këtij viti, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për metër kub uji në disa prej qyteteve të Kosovës. 

Ujin për 1 cent më shtrenjtë do ta paguajnë në fund të këtij muaji konsumatorët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, KRU “Gjakova”, ndërkaq ata të KRU “Bifurkacioni” do ta paguajnë 2 centë më shtrenjtë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Rregullator, rritje ka pasur vetëm në tarifat për ujin e pijshëm, derisa në ato për ujin joshtëpiak ka pasur ulje prej dy centë.

Ndërkaq ndryshime në faturë nuk do të kenë konsumatorët e KRU “Hidrodrini” në Pejë, KRU “Mitrovica” e “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një qytetar shpenzon rreth 90 litra ujë në ditë.

Në Kosovë, 78 për qind e popullatës furnizohet me ujë të pijshëm përmes sistemeve publike të menaxhuara nga kompanitë rajonale të ujësjellësit. Qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.

Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok, Batllava në Podujevë, Badoci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibri në Mitrovicë, Morava e Binçës në Anamoravë dhe Lepenci në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.

 

Shpërndaje në: