LDK dhe Vetëvendosje gjithnjë e më afër, ja deri ku kanë arritur bisedimet
Takimet mes LDK-së e lëvizjes “Vetëvendosje” duket se i kanë kthjelluar edhe më shumë qëndrimet e të dy taborëve politikë.
Ata kanë vendosur të hapin një kaptinë të re që lë pas të gjitha kundërshtimet politike që i kishin në të kaluarën, duke i hapur rrugë bashkëpunimit.
Të paktën kështu janë shprehur përfaqësues të të dyja partive politike, të cilët thonë se tashmë janë gjetur më shumë pika që i afrojnë këto subjekte sesa që do t’i largonin.
Si pikë të përbashkët kanë përmendur programin kombëtar.
Ata kanë pranuar se nga të dyja palët ka sens politik për t’u afruar.
Shkodran Hoti, zyrtar nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se në takimin e dytë me LDK-në është diskutuar për harmonizimin e programeve, por akoma nuk është arritur ndonjë përafrim programesh.
Ndërkohë, edhe nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri, në një intervistë dhënë Periskopit, ka deklaruar se deri tani janë mbajtur dy takime mes VV’se e LDK’së dhe se ato do të intensifikohen.
Haziri ka thënë se aktualisht janë në fazën e bisedimeve për çështjen e programeve por ka thënë se shpejt do të hapet edhe një kaptinë e re bisedimesh.
“Ky ka qenë takimi i dytë mes subjekteve politike, takimi i parë ka qenë mes liderëve, jemi në pikën e njëjtë, jem në shkallën e njëjtë në pikat programore që ekzistojnë mes dy subjekteve politike. Cilat janë ato rrugë që mund të na ofrojnë në defiminim e këtyre politikave dhe natyrisht që ne do të punojmë në nivel të profesionistëve apo në nivel teknik që në të ardhmen ti përafrojmë ato që na përkasin si subjekte politike. Dhe në të ardhmen, ato çështje që kanë peshë politike do të diskutohen në nivel të liderëve në mënyrë që me pa mundësinë e hapjes së një kaptine të re bashkëpunues mes LDK’së dhe Vetëvendosjes sepse historiku jonë është kundërshtues deri në këtë pike”, ka thënë Haziri për Periskopin.
Madje Haziri, ka thënë se emri i kryeministrit, nuk do të paraqesë ndonjë problem.
“Nuk besoj se emri i përveçëm ka me qenë ndonjë pengesë bashkëpunimi mes LDK’së dhe Vetëvendosjes e nuk besoj se as kjo çështje do të na ndajë. Çështjet që janë me prioritet ne mund t’i diskutojmë edhe tash por një herë jemi duke diskutuar kryesisht çështje që kanë të bëjnë me programin e partive.
Deri atëherë nuk kam çka them më shumë por deri tani këto parime janë komode”, ka thënë Haziri. /Periskopi/



