Lokaj: Feronikeli duhet të emërojë trajner të huaj, çdo zgjedhje tjetër është hap prapa
Të premten në mesditë u bë e ditur nga faqja zyrtare e Feronikelit se klubi nga Drenasi ka ndarë rrugët me teknikun që i solli shumë suksese skuadrës, Zekirija Ramadani.
Presidenti i klubit, Naser Ramaj vendosi ta shkarkojë trajnerin nga Shkupi, pas paraqitjeve zhgënjyese në parakualifikimet për në Champions League dhe Europa League, shkruan Periskopi.
Ky vendim erdhi pavarësisht se Ramadani udëhoqi skuadrën drejt titullit në Superligë dhe triumfit në Kupën e Kosovës edicionin e kaluar.
I kontaktuar nga Periskopi, analisti dhe gazetari i njohur, Andin Lokaj ka thënë se zgjidhja e vetme për “Niklin” është emërimi i një trajneri të huaj dhe çdo zgjedhje tjetër do të ishte “hap prapa”.
“Feronikeli duhet te angazhojë trajner jashtë rajonit ngase ka mundësi, çdo variant tjetër do të paraqet stagnim ose madje edhe një hap mbrapa,” është shprehur Lokaj.
Pritet të shihet nëse klubi nga Drenasi do ta emërojë trajnerin e ri në një të ardhme të afërt, apo ndihmës-trajneri i parë do ta marrë drejtimin përkohësisht. /Periskopi.com/



