A do të ketë rrahje me karrige në Kuvendin e LDK-së – Anton Quni ka një mendim më ndryshe
Dy ditë para Kuvendit zgjedhor të 3 gushtit, do të mblidhet sërish Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Anton Quni, për Periskopin ka folur për procesin e brendshëm zgjedhor, mundësinë e përçarjes në parti shkaku i pakënaqësive dhe emrat që po përmenden si kandidatë të mundshëm për kryetar të partisë.
Quni në një deklaratë dhënë Periskopit ka thënë se si Kryesi kanë takime të rregullta dhe se në to po diskutohet edhe për zhvillimet e fundit në parti.
Kryetari i Degës së LDK’së në Prizren ka folur edhe për pretendentët për kryetar të partisë.
“Është normale që në një proces demokratik, disa anëtarë, aktivista e personalitete të deklarohen për vetë vetën apo ta preferojnë ndonjë kënd”, ka thënë Quni për Periskopi.
Ai ka bërë të ditur se ka një kandidat të preferuar për të cilin do të votonte, por nuk ka pranuar ta bëjë publik.
Ai është i bindur se edhe pas 3 gushtit, LDK do të mbetet unike dhe se nuk do të ketë përçarje apo rrahje me karrige, siç po pretendohet.
“Nuk shoh asnjë faktor që mund të ndikojë në përçarjen e LDK’së. Nk e di pse po e potenconi përçarjen, çdo gjë do të shkojë në rregull, janë disa mundësi për zgjedhjen e kryetarit, me marrëveshje të brendshme apo me mundësinë e votimit. Njëra nga këto do të praktikohet, dhe secila prej tyre është e pranueshme për ne”, ka thënë Quni tutje për Periskopin.
Ai ka folur edhe për normën e statusit të LDK’së se një kandidati i duhen 177 vota të delegatëve për t’u hedhur në votim në Kuvend zgjedhor.
Lidhur me pretendimet e ish-kryetarit të LDK’së, Fatmir Sejdiut se kjo normë është joligjore, Quni ka thënë se duhet të merren ekspertët e fushës.
“Ndoshta edhe ndryshon kjo normë, por ajo nuk e atakon askënd me emër e mbiemër, ajo vlen për të gjithë njësoj…nëse është jokushtetuese, atëherë kjo çështje duhet të trajtohet nga ekspertët e fushës”, shtoi ai.
Ai refuzoi të përgjigjet kur u pyet nëse e di se cili nga pretendentët ka më së shumti vota të delegatëve.
Ndryshe, mbledhja e Kryesisë së LDK’së do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 13:30.
Po ashtu, sot u njoftua edhe për orën dhe vendin se ku do të mbahet Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i kësaj partie – raporton Periskopi.
Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa ka njoftuar se Kuvendi do të fillojë në ora 10:00.
Ai ka bërë të ditur se regjistrimi i delegatëve do të fillojë nga ora 09:00.
“Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i LDK-së mbahet më 3 gusht 2019 në Hotel Emerald dhe fillon nga ora 10:00, regjistrimi i delegatëve fillon nga ora 9:00”, ka shkruar ai në Facebook.
Në Kuvendin e së shtunës, LDK do të zgjidhë kryetarin e partisë, nënkryetarët, sekretarin e partisë dhe anëtarët e Kryesisë.
Tashmë janë përfolur disa emra të kandidatëve të mundshëm për të parin e partisë. Në mesin e tyre janë: Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Gazmend Muhaxheri e të tjerë.
U raportua se mbledhja e para disa ditëve me kryesinë e ngushtë të LDK’së rezultoi pa marrëveshje finale mes kandidatëve që pretendojnë të zgjidhen kryetar./PERISKOPI



