Albulena Haxhiu: Qasje e padrejtë nga Vjosa Osmani, posti i kryeministrit nuk vihet në peshore

Albulena Haxhiu: Qasje e padrejtë nga Vjosa Osmani, posti i kryeministrit nuk vihet në peshore

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për Periskopin ka folur rreth afateve kohore të arritjes së marrëveshjes finale me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Haxhiu  ka treguar për pikat e përbashkëta të diskutuara  dhe rreth postit të presidentit, për çka është folur shumë ditëve të fundit.

Albulena Haxhiu, gjatë kësaj interviste po ashtu  i është përgjigjur edhe  Vjosa Osmanit të LDK’së rreth postit të kryeministrit dhe pozitave të tjera në Qeveri.

Intervista e plotë:

Periskopi: Zonja Haxhiu, u raportua se marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të finalizohet të martën e javës së ardhshme. Sa janë afër koalicionit këto dy parti dhe kur pritet  të ndodh formimi i Qeverisë së re?

Albulena Haxhiu: Janë spekulime natyrisht, për shkak se nuk ka asgjë të konfirmuar. Ne do ta bëjmë publike ashtu siç kemi bërë në vazhdimësi gjatë këtyre ditëve për secilin takim të grupeve punuese. Tashmë ne kemi kryer punën tonë dhe u mbetet kryetarëve të partive  që të takohen dhe të finalizojnë çështjen. Kjo nuk mund të jetë e mundur të martën të nënshkruhet dhe të finalizohet koalicioni. Ne si Vetëvendosje jemi të angazhuar që sa më parë të arrijmë këtë marrëveshje’’, ka theksuar Haxhiu. Kemi  pasë dje takimin e fundit të grupit punues. Sa i përket programit qeverisës, kanë mbetë edhe dy tri çështje për t’u finalizuar. Nuk është që kjo ka pasë kundërshtime, por që kërkojnë detajizime se si do të bëhemi me qeverisjen e re. Sa i përket ndarjes së ministrive, pritet që shumë shpejt të mblidhen kryetarët e partive, por jo para të martës sepse kjo është  e pamunduar gjatë këtyre ditëve, për shkak të angazhimeve që i kemi.

Periskopi: Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani deklaroi se s’do ta kenë problem që ta bindin Lëvizjen Vetëvendosje që presidentin ta ketë LDK-ja. Si e komentoni?

Albulena Haxhiu: Mendoj që kjo çështje as nuk ka qenë në kompetencë të grupit punues e as asnjëherë LDK zyrtarisht dhe formalisht nuk e ka bërë këtë propozim. Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë qëndrimi i Vetëvendosjes për sa kohë nuk  e kemi një kërkesë të tillë. Megjithatë, në takimet e ardhshme do t ëjetë temë e diskutimit, mos të them për këtë konkretisht, por për pozicione tjera. Por VV nuk e ka diskutuar asnjëherë këtë çështje, madje as në takimet e grupit punues. Ajo çka LDK ka folur publikisht nuk mund të jetë që pas pas kësaj deklarate të mblidhemi dhe të flasim, përderisa kurrë nuk e kanë adresuar në takime tona. Por askush nuk mund të flasë në emër të Vetëvendosjes. Për ne është e rëndësishme që marrëveshja të arrihet, por natyrisht nuk mund të vendosim kushtëzime as ne e as ata.

Periskopi: A ka ndonjë pikë diskutimi për të cilën ka mospajtime mes VV-së dhe LDK-së?

Albulena Haxhiu: Sa i përket programit qeverisës, nuk kemi pasë çështje për të cilat nuk jemi pajtuar. Ka pasë diskutime në një çështje për drejtësinë dhe disa tema për ekonominë dhe çështje sociale, por jo mospajtime. Vetëm se kemi kërkuar sqarime më tepër dhe kemi pasë mendime të ndryshme, por që kjo nuk do të thotë që kemi mospajtime, sepse do të ulemi dhe sërish do t’i adresojmë. Për çështje tjera, nuk ka pasë diskutim. Jemi pajtuar që të kemi 12 ministri, jo më shumë se 27 ministra, bile tani jemi shumë optimist dhe shpresoj që kjo frymë pozitive të përcjellet tutje.

Periskopi: Vjosa Osmani e LDK-së, ka thënë po ashtu se pozita e kryeministrit është e barasvlershme me katër ministri. A është ky një paralajmërim për VV’në se atyre ju takojnë më shumë ministri?

Albulena Haxhiu: Mendoj që këto nuk janë tema të debateve televizive. Mendoj që është qasje jo e drejtë. Sa i përket kandidatit për kryeministër, tashmë ka folë qytetari i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit. Në këtë kuptim, vullnetin e qytetarëve nuk mund ta shkelë askush prej neve. Ne kemi pasë një përpjekje para zgjedhjeve që të bëhemi bashkë dhe kjo nuk ka qenë e mundur. Prandaj ata duhet ta respektojnë vullnetin e popullit dhe pozicioni i kryeministrit nuk do të vendoset në peshore.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

Shpërndaje në: