Pas reagimit të Liberisë, Pacolli lavdëron diplomacinë kosovare: Ne kryejmë punë pa zhurmë
Pas reagimit zyrtar të Qeverisë së Liberisë, e cila hodhi poshtë raportimet e mediave dhe deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Dacciq, për tërheqjen e njohjes ndaj shtetit të Kosovës, menjëherë ka reaguar kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli.
Ai ka falenderuar shtetin dhe popullin e Liberisë dhe ka thënë se sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk do të ndalen, raporton Periskopi.
“Unë nuk merrem me propagandën serbe, por me punë konkrete për të fuqizuar shtetin tim. Shpifjet dhe falsifikimet e Ivica Daciqit nuk mund ta mposhtin Republikën e Kosovës në rrugën e fuqizimit ndërkombëtar”, ka thënë Pacolli.
Madje ai pati edhe lavdata të mëdha për diplomacinë kosovare, duke thënë se kryen punët pa zhurmë dhe pa u ndikuar nga askush.
“Qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë dhe të sigurt sepse shteti ynë e ka të ardhmen e garantuar. Opinionit publik dhe kritikuesve u them që mos të shqetësohen nga asnjë shpifje që vjen nga Beogradi”, ka përfunduar ai. /Periskopi



