Trajneri i APOEL-it pas triumfit kundër Gjilanit: Mund ta mbyllnim ndeshjen më lehtë

Periskopi.com Sporti

Marinos Ouzounidis është shprehur shumë i lumtur që skuadra e tij, APOEL Nicosia u kualifikua tutje në Ligën e Evropës.

Duke folur për mediat e vendit të tij, Ouzounidis deklaroi se për një moment mendoi se Gjilani do t’i mposhte për të kaluar tutje

“Neve na intereson vetëm kualifikimi, por mund ta mbyllnim ndeshjen shumë më lehtë. Për fat të keq, zgjedhjet tona nuk ishin të mira. Gjëja pozitive është se fituam dhe tani duhet të punojmë përpara”, u shpreh trajneri i APOEL’it.

“Ne kishim frikë se ndeshja do të dilte keq për ne, por në fund gjithçka shkoi mirë”, shtoi tutje trajneri qipriot.

Ndryshe, skuadra e Gentjan Mezanit u mposht me rezultat 0:2 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në takimin e vlefshëm për raundin e parë kualifikues të LE.

Ndeshja në kohën e rregullt mbaroi pa gola, me mysafirët që humbën një penallti të dyshimtë. Al-Tammari (78’) nuk arriti të gjente portën, duke çuar ndeshjen në shtesë.

Lodhja duket se ndikoi te lojtarët e Gjilanit, të cilët pësuan dy gola në ‘extra-time’. Fillimisht, Efrem (102’) i dha epërsinë qipriotëve, para se Ndongala (116’) të vuloste gjithçka.

Megjithë eliminimin, ishte një paraqitje mjaft dinjitoze e Gjilanit, që luajti kundër një skuadër me një buxhet shumë herë më të madh.

Kaq e pati aventura e Gjilanit në Evropë: Eleminohet pas 120 minutave lojë nga APOEL Nicosia

Periskopi.com Sporti

Gjilani luftoi shumë, por në fund ishte i pafuqishëm të parandalonte humbjen 2-0 kundër APOEL Nicoasias në “Fadil Vokrri”, e vlefshme për kualifikimet e Europa Leagues, shkruan Periskopi.

Rezultati pas 90 minutave lojë ishte i barabartë, 0-0, teksa mysafirët humbën një rast të artë në minutën e 78-të kur dështuan të shënojnë nga penalltia, duke qëlluar jashtë portës përmes Tamari.

Gjilanasit u mbajtën mirë deri në përfundim të kohës së rregullt, por në vazhdime u shpartalluan.

Qiprotët shënuan dy herë, fillimisht në minutën e 102-të përmes Efrem dhe pastaj në të 116-tën përmes Ndongala për fitoren 2-0.

Kështu, Gjilani i jep fund aventurës së klubeve kosovare në Evropë, teksa edhe Prishtina u eleminua në kualifikimet për në Champions League. /Periskopi.com/