ARKEP ndalon shitjen e numrave të ZMobile

Periskopi.com Lajme

Përmes një njoftimi për media, ARKEP-i bën me dije se Bordi i këtij institucioni sot gjatë ditës ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes Dardafon.net (Z-Mobile), për të kërkuar sqarimet e nevojshme në lidhje me procesin e tranzicionit pas mos-vazhdimin e raportit komercial ndërmjet palëve.

Në njoftimin për media thuhet se Bordi i ARKEP-it është njoftuar nga këto ndërmarrje me veprimet e ndërmarra deri me tani, pas njoftimit për mos-vazhdimin e raportit komercial nga Telekomi i Kosovës.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi si dhe me qellim te zbatimit të plotë të Kornizës Rregullatore, ARKEP-i ka kërkuar që deri në përmbyllje të procesit: Palët e involvuara në këtë proces të mos-ndërmarrin veprime të njëanshme të cilat do të mund të dëmtonin konsumatorin, me të cilën kërkesë janë pajtuar të dy palët”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në njoftim bëhet me dije se ARKEP-i, i ka kërkuar operatorit Dardafon.net që gjatë kësaj faze të mos vendos në treg SiM kartela të reja, të mos krijojë pako/produkte të reja si dhe të mos hyjë në kontrata të reja me konsumatorët.

“Bordi i ARKEP do ta njoftojë opinionin me kohë për çdo hap që do të ndërmarrë në lidhje me këtë proces të cilin është duke e trajtuar me prioritet të lartë. Pas marrjes së informacioneve shtesë nga operatorët gjatë ditëve në vijim dhe analizimit të praktikave evropiane, ARKEP do të marrë vendime nëse janë të nevojshme në lidhje me këtë proces, sidomos me qëllim të ruajtës së vazhdimësisë së shërbimit për konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Deri në 30 mijë euro gjobë për operatorët që nuk zbatuan kodin

Periskopi.com Lajme

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike Postare (ARKEP) kësaj here nuk ka qëndruar “symbyllur” karshi operatorëve të telefonisë mobile që nuk respektuan 31 tetorin si afat të fundit kohor për zbatimin e kodit shtetëror në tërësi.

Përveç vërejtjes përfundimtare, Bordi i këtij institucioni nga mesi i janarit të vitit të ardhshëm do të aplikojë masën ndëshkuese ndaj operatorëve prej 10 mijë eurosh në muaj e që potencialisht, duke iu referuar deklaratave të drejtorit të Bordit të ARKEP-it Kreshnik Gashit, mund të shkojë deri në 30 mijë euro.

Kështu ka paralajmëruar drejtori i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

ARKEP do të dënojë kompanitë telefonike që s’do ta përdorin vetëm kodin +383

Periskopi.com Lajme

Kanë filluar procedurat për zbatim të sanksioneve ekonomike për operatorët që nuk kanë ndërprerë përdorimin e kodeve të huaja shtetërore telefonike.

Bordi Drejtues i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar nivelin e zbatimit të kodit telefonik shtetëror 383.

Si rezultat, në këtë takim sipas kryetarit të ARKEP, Kreshnik Gashi, është vendosur që në respektim të ligjit për komunikimet elektronike t’i shqiptohet vërejtja e fundit për zbatim të kodit të gjithë operatorëve dhe të përcaktohet masa sanksionuese në shumë prej 10 mijë euro në baza mujore efektive prej datës 15 janar 2018 për operatorët që nuk largojnë kodet e huaja nga përdorimi.

“Operatorët e telefonisë mobile me vendimin e sotëm, duhet ta din se në rast se hyjnë më datën 16 janar të vitit 2019 pa larguar kodet aktuale të telefonisë që janë në përdorim si kode paralele si kodi 377 dhe kodi 386, ata do të gjobiten në baza mujore prej 10 mijë euro”, ka thënë Gashi, për Kosovapress.

Gashi ndër të tjera ka thënë se vërejtja e fundit është masë e domosdoshme fillestare për përcaktim të sanksioneve. Ai ka shtuar se ARKEP po ashtu ka trajtuar kërkesat për shtyrje të afatit të largimit të kodeve të huaja në përdorim në Republikën e Kosovës si kode paralele, respektivisht kodit 377 nga operatori Telekomi i Kosovës dhe kodit 386 nga operatori IPKO dhe ka vendosur që të mos pranojë kërkesat për shtyrje të afatit.

“Të dy operatorët kanë kërkuar që fundi i vitit 2019 të jetë koha kur ata mund të largojnë kodet huaja për përdorim në Kosovë. Operatori i Telekomit të Kosovës e ka bërë një kërkesë të tillë për shkak të problemeve financiare që ata kanë dhe mos investimet e domosdoshme që janë për funksionalizim të plotë të Kodit, ndërsa te operatori IPKO, ata kanë bërë ndryshimet e nevojshme në centralet e tyre, mirëpo kanë kërkuar që Kodi 386 të jetë si Kod alternativ”, ka thënë ai.

Në takim është konstatuar progresi i arritur në drejtim të zbatimit të plotë të kodit 383, me theks të veçantë në heqjen nga përdorimi të kodit 381 si dhe hapjen për përdorim të kodit 383 nga operatorët si për thirrjet e origjinuara nga Kosova e po ashtu në thirrjet e terminuara në Kosovë.

Ndryshe, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) iu pati dhënë dy afate shtesë, i fundit deri më 31 tetor që këta operatorë t’i largojnë nga përdorimi kodet e huaja +377 dhe +386.

 

ARKEP kërkon zbatimin e kodit telefonik përndryshe do të gjobiten operatorët

Periskopi.com Lajme

Kodi i ri shtetëror +383 ende nuk po zbatohet në plotësisht nga operatorët e telefonisë mobile, Vala dhe Ipko. Për këtë Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) iu pati dhënë dy afate shtesë, i fundit deri më 31 tetor që këta operatorë t’i largojnë nga përdorimi kodet e huaja +377 dhe +386, në të kundërtën do të gjobiten 7 përqind nga qarkullimi vjetor i tyre.

Megjithatë, të dy operatorët, Vala dhe Ipko, sërish kanë parashtruar kërkesa në ARKEP për vazhdimin e afatit të implementimit të kodit.

Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, ka thënë se të dy operatorët kanë paraqitur sërish disa sfida, të cilat i kanë në arritjen e këtij afati. Ai thotë se si ARKEP nuk i kanë trajtuar ato sfida në kuperimin formal të vendimmarrjes para ardhjes së afatit kohor, 31 tetor.

Gashi në një intervistë për KosovaPress ka inkurajuar të dy operatorët që të arrijnë këtë afat dhe gjithashtu kërkon nga ta që sa më shpejt ta përmbyllin procesin e largimit të kodeve aktuale, sepse sipas tij, kjo është në të mirën e tyre dhe imazhit të shtetit të Kosovës.

“Ne presim që më datën 31 tetor të këtij viti të implementohet kodi shtetëror telefonik 383 dhe të largohen kodet tjera nga përdorimi. Megjithatë jemi në një konsultim intensiv me Telekomin e Kosovës dhe me operatorin Ipko, si dhe me operator të tjerë më të vegjël që t’i adresojmë sfidat e tyre, në mënyrë që të arrihet kjo zgjidhje. Ne me kalimin e kësaj date, do t’i ndërmarrim të gjithë hapat ligjor që në rast se nuk implementohet kodi me kohë dhe ky implementim nuk ka ardhur si rezultat i sfidave që janë jashtë fuqisë së Telekomit, Ipkos dhe operatorëve të tjerë, atëherë në do të ndërmarrim masa që i parasheh ligji dënime për kalimin e këtij afati, ose mos zbatim të vendimeve të ARKEP-it”, theksoi Gashi.

Mungesa e mjeteve financiare në Telekom, sipas Gashit, nuk duhet të jetë arsyetim ose barriera kryesore për mos zbatim të kodit 383.

“Ajo çka është sfiduese është largimi i kodeve aktual për shkak të kompleksitetit edhe teknik. Megjithatë, data e dhënë nga ARKEP për largimin e këtyre kodeve është data 31 tetor. Pas kalimit të kësaj date, do të shqyrtohet gjendja dhe do të merren masat në përputhje me ligjin… Sfidat financiare për gjithë sektorin, posaçërisht për operatorin Vala janë realitet, ku me sfida të tilla përballen shumë operatorë, edhe në rajon, kështu që nuk duhet të jetë kjo arsyeja për mos implementim të kodit… ne do të bëjmë të pamundurën që të arrihet ky afat”, ka thënë Gashi.

Kreu i ARKEP ka thënë se kërkesa e IPKO-së për zgjatjen e afatit është për çështje biznesore të saj, ndërsa kërkesa e Valës është për shkak të një kontratë ndërkombëtare që ka. Mirëpo, Gashi shtoi se ende nuk është marrë vendim për këto kërkesa nga ARKEP.

“Një prej sfidave që Ipko e ka paraqitur është se me hapjen e dy kodeve, edhe kodit 383 dhe 386, ende një pjesë e madhe e trafikut kalon nëpërmjet kodit 386, dhe ata frikohen se nëse mbyllet ky kod, do të ketë mundësi që të ketë thirrje të humbura. Do të thotë është një aspekt biznesor që ata të kërkojnë një afat shtesë.  Mirëpo, ende nuk është trajtuar një kërkesë e tillë, do të presim datën 31 tetor dhe pas kësaj date do të marrim vendimet tona të cilat do të jenë plotësisht të bazuara në ligjin për Komunikime Elektronike dhe Postare…Kërkesa e Valës është e lidhur me zbatueshmërinë teknike të kodit në centralin e Valës dhe është e lidhur me kontratat ndërkombëtare që ata kanë, është e natyrës pak më ndryshe se IPKO-së”, theksoi Gashi.

Ai ka thënë se zbatimi i Kodit është prioritet shtetëror, sepse ARKEP dhe Qeveria e Kosovës janë të obliguara që të raportojnë për zbatueshmërinë e kodit, gjatë implementimit të MSA-së.

“Ligji për Komunikime Elektronike dhe Postare përcakton që autoriteti ka të drejtë që t’i dënoj operatorët për mos zbatim të vendimeve të ARKEP deri në masën maksimale prej 7 përqind të qarkullimit vjetor të një operatori. Këto masa janë radikale dhe bëhen për raste kur kemi të bëjmë me zbatim të qëllimshëm të vendimeve të rregullatorit. Megjithatë, zbatimi i Kodit është prioritet shtetëror, sepse ARKEP dhe Qeveria e Kosovës, në raportin për implementimin e MSA, raporton për zbatueshmërinë e kodit 383. Prandaj, është në shumë dokumente strategjike zbatimi i Kodit dhe si i tillë është prioritet shtetëror, andaj, kërkojmë që më shpejt të implementohet”, theksoi ai.

Afati i përcaktuar më herët nga ARKEP për implementim ishte 1 qershori i këtij viti. Pastaj, afati dytë me kërkesë të operatorëve mobil ishte dhënë deri më 31 tetor. Ndryshe, vlerësohet se kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik, kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

 

​ARKEP: Vala dhe Ipko kanë licencë vetëm edhe pak muaj

Periskopi.com Lajme

Prej muajit gusht të vitit që po vjen të dy operatorëve të telefonisë mobile, Vala dhe Ipko, do t’u skadojë afati i licencave të tyre për operimin në tregun e Kosovës.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi ka thënë se në një intervistë për KosovaPress se data 31 korrik e vitit 2019, është data kur operatorit telefonik Telekomit të Kosovës, i skadojnë të gjitha brezet frekuencore përkatësisht autorizimet për përdorim të këtyre brezeve, ndërsa operatorit telefonik IPKO i skadon pjesa më e madhe e brezeve frekuencore që ata kanë në përdorim.

Ai ka shtuar se ky Grup punës është në fazën e konsulencës ndërkombëtare dhe pritet që deri në janar të vitit të ardhshëm, Autoriteti të ketë vendimin se cilat do të jenë çmimet për brezet frekuencore si dhe si do të jetë mënyra e ndarjes së brezeve të ardhshme për operatorët e rijnë që eventualisht do të mund të hynin në treg gjatë vitit 2019 ose nga fundi i këtij viti.

Kërkohet dënimi i operatorëve që nuk kalojnë në +383

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik mbështetjen e tyre për t’i dënuar operatorët telefonik në rast se nuk e bëjnë kalimin në kodin 383 deri më 31 tetor të këtij viti.

Gashi ka thënë se arsyeja se pse nuk është implementuar kodi 383 në qershor të këtij viti është kërkesa e operatorit Vala që ky afat të shtyhet.

Gashi ka thënë se Telekomi i Kosovës pretendon se në investime në sistemin e tyre që duhet të bëjnë janë 3 deri në 5 milionë euro.

Sipas  Gashit gjatë vitit 2017 kanë arritur të ndërprenë sinjalin e të gjithë operatorëve të pa licencuar që kanë operuar në Kosovë, madje edhe në veri të vendit.

Ndërsa, në sistemin postar, Gashi ka thënë se në vitin 2017 ka një rënie të volumit të përgjithshëm të dërgesave. Po ashtu, ai bëri të ditur se Posta e Kosovës ka pasur rënie në të hyrat në shërbimet postare.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal është shqyrtuar projektligji për Produkte të Ndërtimit.

Kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha Shala bëri të ditur se anëtarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami pa  dhënë sqarime ka kërkuar që projektligji për produkte të ndërtimit t’i kthehet Qeverisë së Kosovës.

E për këtë një sqarim e pati anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari Lila e cila u shpreh se ministria e Tregtisë dhe Industrisë po synon që Departamentin e Ndërtimit ta kthej përsëri nën kompetencat e saja, ndonëse ky departament ka kaluar në Ministrisë Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sa ishte ajo në udhëheqje të MTI-së.

Përfaqësuesi i MTI-së Gurakuq Kastrati ka sqaruar se kjo Ministri ka kompetenca për mbikëqyrje të prodhimeve për ndërtim  duke filluar nga dizajnimi e deri tek vendosja e tyre në treg.

Këtë projektligji anëtarët e Komisionit u pajtuan që ta shqyrtojnë në një mbledhje tjetër./KosovaPress/