Ia vjedhin në veturë armën djalit të Rifat Jasharit

Periskopi.com Lajme

Elbasan Karaçica dyshohet se i ka vjedhur armën Bashkim Jasharit, djalit të Rifat Jasharit dhe gjeneralit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Më 8 maj të këtij viti në fshatin Komoran, i dyshuari Elbasan Karaçica, në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër Ahmet Kamberi, thyen xhamin e veturës së Bashkim Jasharit dhe ia vodhën një çantë në të cilën Jashari ruante armën e tij “Glock 17”.

Sipas një raporti të Prokurorisë së Shtetit të cilin e ka siguruar Insajderi, Karaçica dhe i dyshuari tjetër me inicialet Ahmet Kamberi, e kanë kryer vjedhjen rreth dy-tre minuta pasi Jashari kishte parkuar veturën dhe kishte dal nga ajo.

“I dëmtuari Bashkim Jashari, pjesëtar i FSK-së, e kishte parkuar veturën e tij Landrover, pronë e FSK-së, dhe pas një intervali kohor prej 2-3 minutave kur ishte kthyer tek vetura e tij kishte parë se i ishte thyer xhami i derës së pasme”, thuhet në raport.

Në çantën e vjedhur, Jashari ruante edhe dokumentet e tij personale.

“Nga ku i ishte marrë çanta e kraharorit në të cilën kishte pasur armën zyrtare Glock 17 dhe dokumente personale”, dyshon Policia.

Ndonëse ndodhen në kërkim, Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i kap të dyshuarit prej disa javësh.

Madje, i dyshuari Elbasan Karaçica, pothuajse çdo ditë sfidon Policinë e Kosovës përmes rrjeteve sociale ku publikon fotografi të tij duke lëvizur lirshëm nëpër Kosovë.