Behgjet Shala: Jam i gatshëm të përballem me akuzat e prindërve të Astrit Deharit

Periskopi.com Lajme

Sot është publikuar ekspertiza e Institutit Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

E sipas kësaj ekspertize, dyshohet se Astrit Dehari është vrarë.

Avni Dehari, babai i Astritit me të marrë raportin është deklaruar rreth rastit, ku në mesin e atyre që sipas tij kanë neglizhuar rastin e vdekjes së djalit të tij, ka përmendur edhe Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, konkretisht kryetarin e këtij këshilli, Behgjet Shalën.

Madje, babai i Astritit ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të fillojnë hetimet për personat të cilët janë të përfshirë në këtë rast,

Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka kontaktuar, Shalën, i cili ka thënë se është i gatshëm në çfarë do forme t’u përgjigjet akuzave të prindërve të Astritit, por ka shtuar se asnjëherë vdekjen e tij nuk e kanë cilësuar as si vrasje e as si vetëvrasje.

“Tash prindi i Astrit Deharit ka të drejtë të kërkojë hetime edhe duhet të bëhen hetime, dhe në ato hetime le të përcaktohet përgjegjësia e çdo personi, le të përcaktohet edhe përgjegjësia e Këshillit që ka por edhe mua sepse personalisht unë qëndroj mbrapa çdo informate që ka dalur në atë kohë, pra e thash edhe më herët ne e kemi vetëm një informatë, asgjë më tepër. Tash nuk është e jona me paragjyku rastin, le ti bëjnë hetimet, unë jam i gatshëm me dhënë çdo lloj përgjegjësie, nëse saktësohet një përgjegjësi e çfarë do lloj natyre që është, unë qëndroj prapa saj dhe e marr përsipër çdo përgjegjësi’, ka thënë Shala.

I, pyetur rreth asaj se si i komenton akuzat e babaiti të Astritit, që rasti është neglizhuar nga vet Shala, ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë.

“Ne as nuk e kemi neglizhuar rastin, as nuk kemi bërë asgjë që të fshehim rastin, pra ne kemi dhënë informatë në bazën e asaj që kanë deklaruar të burgosurit aty dhe ajo ka qenë deklaratë e vetme për Astrit Deharin ku asgjë nuk paragjykohet”, ka shtuar Shala.

E, derisa tashmë pas kësaj ekpertize është shfaqur situatë e re, Shala ka thënë se duhet patjetër të bëhen hetime.

“Le të bëhen hetime, është një situatë e re, të sqarohet rasti deri në fund. Ne nuk jemi as prokuori, as gjykatë, nuk jemi as polici hetuese, ne jemi Këshill për të Drejtat e Njeriut dhe i bëjmë deklaratat në bazë të informatave që i marrim nga aty pa e paragjykuar rastin”, ka pohuar ai.

Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara në burgun e Prizrenit më 5 nëntor të vitit 2016.