Enver Hoxhaj para 6 muajsh promovonte bizneset serbe në Prishtinë, sot fton të bojkotohen ato

Periskopi.com Lajme

Në prill të këtij viti, Oda Ekonomike e Kosovës kishte organizuar një Panair të bizneseve, në të cilin më së shumti hapësirë u ishte dhënë bizneseve serbe. Në Panairin e dominuar nga bizneset serbe, nuk kishte marrë pjesë asnjë biznes nga Shqipëria. Pjesëmarrja e bizneseve serbe në atë Panair ishte promovuar vazhdimisht nga zyrtarë qeveritar, të cilët ditë më parë votuan vendosjen e taksës prej 10 për qind për produktet serbe dhe boshnjake. Njëri nga ta ishte edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. Ai dikur promovonte bizneset serbe e shijonte rakinë e tyre, ndërsa sot u bën thirrje qytetarëve t’i bojkotojnë ato produkte, shkruan Periskopi.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kjo masë nënkuptonte taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën.

Për vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake votoi edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili dikur promovonte bizneset serbe.

Pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e taksës, Hoxhaj kishte kërkuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bojkotojnë produktet serbe, dhe t’i zëvendësojnë ato me produkte vendore apo të vendeve tjera.

Por, pikërisht Hoxhaj muaj më parë në Panairin e Bizneseve që u mbajt në Prishtinë, kishte përgëzuar pjesëmarrjen e bizneseve serbe aty.

Madje, Panairi i organizuar në prill nga Oda Ekonomike e Kosovës ishte dominuar nga produktet serbe, gjë që e kishte mirëpritur edhe Hoxhaj.

Në atë panair, ai madje kishte përzgjedhur të shijonte rakinë e një biznesi serb.

Gjatë tërë Panairit, Hoxhaj kishte qëndruar më i afërt me bizneset serbe dhe kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cedaz, me të cilin vendosi të festonte hapjen e Panairit në Kosovë.

Por, Hoxhaj ndryshoi qëndrim për pak muaj.

Tani, ai përpiqet t’i marrë lëvdatat për vendimin e fundit të Qeverisë i cili goditi importuesin më të madh në Kosovë [Serbinë], ku sipas të dhënave zyrtare janë rreth 400 milionë euro në vit që importohen produkte nga ky shtet.

Vendimi i Qeverisë është ende në fuqi, andaj tani ai që dikur promovonte bizneset serbe, sot u bëjnë thirrje hipokrite qytetarëve që t’ua bojkotojnë produktet.

Gjatë vizitës në atë panair, Hoxhaj nuk kishte thënë asnjë fjalë të vetme për mospjesëmarrjen e bizneseve nga Shqipëria, të cilat kishin vendosur ta bojkotojnë.

Kështu në atë Panair, nga 174 kompani, prej tyre 70 ishin nga Serbia dhe vetëm një nga Shqipëria./PERISKOPI