Këshilli i Pavarur anulon konkursin për drejtor të burgjeve, por MAP-i e apelon atë në Gjykatë

Periskopi.com Lajme

Është institucion që merret me drejtësi, por aty lejohen të bëhen shkelje të saj.

Ministri Abelard Tahiri nuk e ka respektuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili e obligon atë dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagcilar, që të anulojë konkursin për drejtor të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, raporton KTV.

Kështu, Nehat Thaçi, i cili u emërua nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti drejtor i burgjeve, ishte në listën e ngushtë bashkë me dy persona të tjerë.

Por, konkursi u anulua me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, javë më parë, pas ankesës së Ali Gashit, i cili pretendon se ishte eliminuar padrejtësisht nga lista.

Sipas vendimit të këtij Këshilli, Nehat Thaçi diplomoi në Fakultetin Juridik në një kolegj privat në vitin 2016 dhe arriti të futej në listën e ngushtë e më pas edhe të zgjidhej në pozitën e drejtorit.

Kriteret e konkursit kanë paraparë që drejtori i ri të ketë së paku 8 vjet përvojë pune pas diplomimit.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Administratës Publike jo vetëm se nuk e ka anuluar konkursin pas këtij vendimi të Këshillit Mbikëqyrës, por të njëjtin e ka dërguar në Gjykatë.

Megjithëkëtë, sipas këshillës juridike në vendimin e KPMSHCK-së, dërgimi i rastit në Gjykatë në këtë rast nga Ministria, nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit për anulim të konkursit për drejtor të burgjeve.