Peja me buxhet qeveritar për 90 punëtorë më shumë sesa ka të punësuar

Periskopi.com Lajme

Në takimin e rregullt të Kuvendit Komunal të Pejës, të premten, gjatë shqyrtimit të raportit të te hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin e kaluar, ndër pikat e shumta të nxehta të debatit mes këshilltarëve të opozitës dhe Ekzekutivit të Komunës kanë qenë edhe mjetet e ndara nga buxheti i Kosovës për paga e mëditje dhe shpenzim i karburanteve për automjete.

Reshat Nurboja, këshilltari i subjektit opozitar Alternativa, ka thënë se nga buxheti i Kosovës, Komuna e Pejës ka marrë vjet mjete financiare në emër të pagave për 2 mijë e 225 punëtorë, ndërsa sipas tij, realisht gjatë vitit të kaluar kanë qenë të punësuar 2 mijë 135 punëtorë, përfshirë Administratën Komunale, Arsimin e Shëndetësinë primare.

“Do të thotë se kanë qenë 90 punëtorë më pak. Kjo rezulton se nuk janë paguar 1 mijë e 80 paga për tërë vitin. Pyetja shtrohet se ku janë ato mjete. A iu kanë kthyer buxhetit apo çfarë ka ndodhur me ato mjete”, ka pyetur Nurboja. Këtë çështje e ka potencuar edhe këshilltari i AAK-së opozitare, Arbër Grabovci, sipas të cilit, meqë kanë qenë 90 punëtorë më pak, pse Komuna nuk i ka plotësuar ato vende të pune./Koha Ditore/

Pantina kërcënon koalicionin qeverisës: S’ka vota për buxhet nëse nuk i plotësoni kushtet tona

Periskopi.com Lajme

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, në një intervistë për Periskopin ka folur për seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të hidhet në votim Projektligji për Buxhet dhe kushtet që kjo parti ia ka vënë koalicionit qeverisës.

Pantina ka paralajmëruar koalicionin qeverisës së ata nuk do ta votojnë Projektligjin për Buxhet, nëse nuk plotësohen në tërësi kushtet  e tyre.

“Deri më tani të paktën nga rendi i ditës së seancës, shihet se nga pesë kushte, tri prej tyre do të plotësohen në seancë, si ligi për paga, për dialog dhe komisioni që do ta hartojë reformën në sistemin pensional, ndërsa për tre muaj të hartohet ligji për Qeverinë. Shkarkimi i Rikallos duhet të ndodh para votimit të ligjeve. Ne besojmë se ajo të ndodh. Nëse qeveria ka nevojë për vota të PSD’s duhet t’i plotësojë këto kushte, përndryshe nuk e votojmë buxhetit”, ka thënë Pantina.

Tutje, ajo ka treguar se çka ndodh nëse nesër nuk kalon ky Projektligj.

“Kjo sjell qeverinë në një krizë financiare pasi nuk mund të vazhdojnë me pagesa dhe projekte të parapara në buxhet”, ka shtuar ajo.

Këto janë pesë kushtet e PSD’s për votimin e buxhetit në mbledhjen e nesërme të Kuvendit:

– Ligji për Paga të miratohet në lexim të dytë, së bashku me leximin e dytë të projekt-buxhetit, pra në të njëjtën seancë!

– Ligji për Dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra me datën 24/12/2018.

– Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim, jo më larg se 3 muaj nga sot! Ky ligj duhet ta saktësojë në mënyrë pa-ekuivoke, përveç tjerash çështjen e numrit të zv-ministrave për një ministri. Kërkesa konkrete jonë është që nuk mund të ketë më shumë se 2 zv. ministra për Ministri.

– I nderuari Kryeministër, kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë! Ta keni parasysh që importi kryesor janë gjërat ushqimore, industria e përpunimit të ushqimit, si dhe që fermat e Kosovës kanë nevojë për strategji dhe udhëheqje që ndërton kapacitete për zv. te importeve, e pra edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e vende të reja të punës! Rrjedhimisht, kërkojmë lirimin nga detyra e Ministrit të Bujqësisë i cili nuk po e ushtron këtë detyrë, si dhe emërimin e një ministri që e funksionalizon Ministrinë e Bujqësisë,

– I nderuari Kryeministër, projekt-buxheti i Republikës është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Janë plotë 465 milionë euro në te për skema të tilla! Si PSD, mbetemi të bindur se mund të reduktohet kjo ngarkesë buxhetore!./PERISKOPI

Deputeti i AAK-së thotë se nuk do të ketë probleme në seancën për buxhetin

Periskopi.com Lajme

Blerim Kuçi, deputet i AAK-së, ka thënë se nuk pret që Buxheti 2019 të ketë problem që të miratohet në Kuvend.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se edhe opozita do të votojë pro buxhetit, në seancën që do të mbahet të shtunën.

“Buxheti nuk mendoj që është problem të kalojë. Kam një bindje që edhe një pjesë e opozitës do të votojë edhe pse ishte e zëshme shumë kundër”, ka thënë ai, raporton Koha.net dhe transmeton Periskopi.

Deputetja e PDK-së e bindur se Ligji për Paga dhe Buxheti 2019 do të kalojë të shtunën

Periskopi.com Lajme

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku në “Express Intervistën” ka bërë të ditur se Ligji për Pagat dhe ai për Buxhet ka kaluar të gjitha komisionet.

“Sapo përfunduam punimet dhe votimet në komisionet funksionale dhe të përhershme që e përcjellin ligjin në Kuvend. Sot është votuar në Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Integrime, Komisionin për Buxhet dhe Financa, pra sot Ligji për Pagat dhe ai për Buxhet kanë kaluar. Ka qenë një punë jashtëzakonisht shumë intensive. Të gjitha organizatat buxhetore kanë kërkuar që të kenë koeficient të lartë, pra ishte një presion shumë i madh”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Mahir Yagcilar e Bedri Hamza gjithashtu kanë monitoruar sot këtë proces dhe kanë dhënë një ndihmë të madhe. E edhe opozita ishte pjesë e këtij procesi, ka thënë ajo.

Sipas saj asgjë nuk është finale në Ligjin për Pagat pasi mund të ndryshojë më vonë për kategori të veçanta.

“Në mënyrë unanime është votuar edhe për tre ligje të tjera. Por koncentrimi më i madh ishte te Ligji për Pagat. Nuk është një pasqyrë dëshpëruese, kemi ardhur në një përfundim për mundësitë momentale që kemi, nuk dmth se janë vendime finale. Mund të bëhen ndryshime edhe më vonë për kategori të veçanta”, ka thënë ajo.

Izmaku thotë se çdo njeri ka të drejtë të kërkojë të ketë një jetë më të dinjitetshme, por duhet të shikohen mundësitë që janë.

“Shërbyesit civilë nuk janë trajtuar si mësimdhënësit dhe mjekët. Rreziku është potencial që ne me mbet pa infermierë. Mos të harrojmë faktin se po jetojmë në Kosovë, duke ditur rrethanat financiare që kemi, ne nuk mund të krahasohemi me Zvicër e SHBA. Ne kemi marrë një draft nga MSH-ja, dhe jemi ulë me ekspertë kur janë ndërlidhë amendamentet. Organizimi që ka ndodhur me koeficientët është marrë edhe në bazë të krahasimit me shtetet e nivelit të njëjtë”, ka thënë Izmaku.
Izmaku është optimiste që ka me pas reflektim nga popullata në përgjithësi.

Sipas saj rritja e pagave në kryeministri mund të ketë ndikuar në këto kërkesa nga mësimdhënësit dhe mjekët.

“Gabim e shoh rritjen e pagave në kryeministri. Sot nuk privilegjohet askush. Rritja e pagave me një vendim ka irrituar njerëzit e ndoshta edhe ka shtyrë të bëjnë këto kërkesa. Përgjegjësia nuk është e njëjtë si të punohet në Prishtinë apo në Shtime, por Ligji përcakton se paga të jetë e njëjtë për punën e njëjtë. Kemi pasur dy-tre refuzime, që ligji të hyjë në fuqi pas gjashtë muajsh. Afati optimal është pas gjashtë muajsh, përveç nëse krijohen grupe të mëdha”, ka thënë ajo.

Sipas Izmakut kjo nuk është mundësia e fundit për mësimdhënësit, “kur ta kemi mundësinë e parë do ta bëjmë rritjen e pagës”.

Ajo është optimiste gjithashtu se Buxheti do të miratohet në Kuvend këtë të shtunë.
“Besoj se të shtunën nuk do të ketë problem, nuk besoj se së paku LDK-ja do ta votojë. Ka gjëra të tjera që mund të kemi kundërshtime por për buxhet. Jam optimiste se të shtunën do të votohet buxheti”, ka thënë Izmaku. /Koha.net

Qeveria peng i pesë kushteve të PSD-së për të kaluar buxhetin në Kuvend

Periskopi.com Lajme

Partia Socialdemokrate është e vendosur që të mos e votojë buxhetin e Kosovës për vitin 2019, në lexim të dytë, pa plotësimin e pesë kushteve të vëna për qeverinë e Ramush Haradinajt.

Ligji për dialogun, shkarkimi i ministrit Nenad Rikalo, ligji për pagat, ligji për Qeverinë dhe draftimi i kodit pensional të Kosovës, janë kushtet që janë vënë nga partia e Shpend Ahmetit për ta votuar projektligjin për buxhetin e vitit 2019.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se nuk lëshojnë pe në kërkesat e tyre. Ajo thekson se pa plotësimin e kërkesave të tyre, Qeveria mos të llogaritë në votën e deputetëve socialdemokrat.
Për këto kërkesa të PSD-së, Qeveria kishte dhënë zotim se do t’i realizonte, por deri më tani nuk ka diçka konkrete.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kur është pyetur rreth shkarkimit të mundshëm të ministrit të Bujqësisë ka thënë se kërkesat e PSD-së janë legjitime dhe se do t’i respektojë, por nuk ka dhënë një datë se kur mund të ndodh ky shkarkim.

Qeveria nuk mund të llogarisë në votat e dy partive tjera opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, pasi këto parti tashmë kanë dal kundër buxhetit, madje ato nuk e kanë votuar as në lexim të parë.
Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka konfirmuar tashmë votën kundër projektligjit për buxhetin e këtij viti, që do të dal për miratim në lexim të dytë në seancën e ardhshme.

Hoti ka thënë se problematike është struktura e buxhetit, por edhe qasja që ka përdorur qeveria Haradinaj për ta aprovuar buxhetin e këtij viti. Sipas tij, buxheti është i dëmshëm dhe i keqstrukturuar.

Vërejtje Hoti ka pasur edhe sa i përket ndarjes së shpenzimeve kapitale nëpër komuna, që sipas tij është ndarë në mënyrë të padrejtë. Ai thotë se është bërë diskriminim në investimet kapitale mbi baza partiake, ku ka thënë se në komunat ku udhëheq AAK-ja shkojnë trefish më shumë sesa në komunat ku udhëheq LDK-ja.

As Lëvizja Vetëvendosja nuk do ta votojë buxhetin e këtij viti. Këtë e ka konfirmuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se është më mirë që ky buxhet të mos kalojë fare dhe mos kalimi ta dërgonte në shtëpi qeverinë Haradinaj.

Konjufca është shprehur se ky buxhet nuk adreson çështjet kryesore të Kosovës për të cilat kanë nevojë shoqëria dhe shteti, duke përmendur arsimin dhe shëndetësinë.

Organizatat që merren me monitorimin e punës së Kuvendit kanë pasur vërejtjet e tyre sa i përket mos votimit të buxhetit deri në këtë kohë.

Blerta Aliu nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është duke neglizhuar shqyrtimin e Projektligjit për Buxhetin.

Ndërkaq, analisti Rasim Alija, ka thënë se kushtet e vëna nga PSD, janë të mira dhe do të duhej që Qeveria që t’i përmbushte.

Aliaj është shprehur i bindur se kushtet do të plotësohen dhe buxheti do të votohet.

Qeveria e ka proceduar në Kuvend projektligjin për Buxhetin më 31 tetor, i cili ka arritur që të miratohet në parim në Kuvend më datë 21 dhjetor të vitit që lamë pas.

Përndryshe, përfaqësus të koalicionit qeveritar kanë thënë se buxheti do të miratohet në lexim të dytë deri në fund të këtij muaji./KosovaPress/Periskopi

Nesër në ora 13:00 vazhdimi i seancës për Buxhetin 2019

Periskopi.com Lajme

Nesër nga ora 13:00 Kuvendi i Kosovës rikthehet me disa pika të rendit të ditës, ndër to edhe vazhdimi i seancës për Buxhetin 2019.

Përmes një komunikate për media Kuvendi i Kosovës se në seancën e nesërme në rend të ditës janë këto pika:

I. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, mbajtur më 22 nëntor 2018:

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2, 7 dhe 23 nëntor 2018:

1. Votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës,

2. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore,

Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-067 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-038 për shërbimet postare,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,

10. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,

11. Votimi për Emërimin e 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore,

12. Votimi për shkarkimin e z. Shqiprim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare,

13. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë,

14. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë,

15. Votimi për emërimin e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

16. Votimi i Raportit vjetor të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë për vitin 2017,

17. Votimi i Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare,

18. Votimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi,

19. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2017,

20. Votimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2017,

21. Votimi për Formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala,

22. Votimi i kryesuesit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sipas kërkesës së GP të PSD-së.

III. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 23 nëntor 2018:

Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

Koha për pyetje parlamentare,

Shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Interpelanca e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica, sipas kërkesës së deputetit Faton Topalli, mbështetur edhe nga 11 deputetë nga GP i PSD-së, në lidhje me vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendin e punës,

Votimi në parim i Projektligjit për peticione,

Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma,

Votimi në parim i Projektligjit për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës,

Votimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

Përzgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

IV. Pika e papërfunduar nga Seanca e jashtëzakonshme, mbajtur më 4 dhjetor 2018:

Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur më 6 dhe 7 dhjetor 2018:

Votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social,

Votimi në parim i Projektligjit për produktet biocide,

Votimi në parim i Projektligjit për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës,

Votimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017,

Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017,

Emërimi i një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media,

10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-136 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria Ag për Projektin e sistemit për largimin e ujërave të zeza për Komunën e Podujevës.

Luten te gjithë gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët e redaksive të akredituar në Kuvendin e Kosovës, që me rastin e përcjelljes së takimeve dhe ngjarjeve të tjera, për të cilat ftohen të raportojnë, të vijnë 15 minuta para se të fillojnë takimet.

Të premten mbahet seanca për Buxhetin

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës pritet që të mblidhet sërish këtë fundjavë ku në rend dite do ta ketë Buxhetin për vitin 2019.

KTV ka mësuar nga burime brenda PDK-së se seanca po planifikohet të thirret për të premten.

Madje, ftesa për të marrë pjesë në seancë u janë dërguar edhe deputetëve të Listës Serbe.

Rritet buxheti: Kurti e pranon, por thotë se nga buxheti po pasurohen veç qeveritarët

Periskopi.com Lajme

Ashtu siç pritej, buxheti i 2019-s është kritikuar nga dy partitë opozitare, LDK-ja e Vetëvendosje, për të cilat buxheti i shtetit është buxhet social e për interesa të bizneseve brenda oborrit të qeverisë dhe nuk paraqet asnjë aspekt zhvillimor.

2.3 miliardë euro është buxheti që u prezantua nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili, pos tjerash, deklaroi se rritja ekonomike pritet të jetë 4.7 përqind, ndërsa në terma realë pritet të jetë 4.1 përqind.

Sipas tij, ky buxhet mundëson projekte për qytetarët dhe është program për reforma sektoriale.

Por, buxheti i tij u përkrah vetëm nga PDK-ja e AAK-ja, për të cilat ai është buxhet zhvillimor dhe paraqet rritjen me të lartë ekonomike.

44 vende pune në një ditë të kësaj qeverie mbyllen, ka thënë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka theksuar se partia e tij nuk e mbështet një gjë të tillë.

Ai tha se, pavarësisht që buxheti është social, nuk u ndahet të varfërve, por atyre që thirren në meritat e së kaluarës, derisa kritika e tij ishte edhe për mosndarje të parave shtesë për FSK-në.

Deputeti Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje, pranon se buxheti ka rritje, por me këtë, sipas tij, po pasurohen vetëm zyrtarët qeveritarë dhe biznesmenët e oborrit qeveritar.

Për të, qeveria e ka bërë shtetin gjobitës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe shërbëtor për oligarkët.

Kritika ndaj buxhetit pati edhe Partia Socialdemokrate. Dardan Sejdiu tha se është i brengosur që ekonomia po reduktohet në infrastrukturë, derisa qeveria nuk ka mekanizma ndaj deficitit tregtar.

Shefi i buxhetit, ministri Hamza, i është kundërpërgjigjur kritikave duke deklaruar se janë vetë këta deputetë që kanë miratuar ligjet duke u thirrur në populizëm, madje ka akuzuar ata se kanë garuar me njëri-tjetrin se cili po jep më shumë për këto kategori.

Sa i përket çështjes së veteranëve, ai ka thënë se numri prej 35 mijë veteranëve është i shtatorit të vitit 2017.

Hamza është kundërshtuar nga Abdixhiku dhe Sejdiu të cilët, në fakt, deklaruan se është qeveria ajo që bën ligje të tilla dhe, sipas tyre, nëse ato ligje janë populiste, është mirë që të bëhet reforma në skemat sociale dhe të kursehen rreth 100 milionë euro, të cilat do të transferoheshin në arsim.

Haxhiu: Buxheti 2019 do të përballet me sfida për shkak të skemave pensionale

Periskopi.com Lajme

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe buxhetin 2019.

Ai në Express Intervistën në KTV, tha se PDK-ja në krye me Kadri Veseli, qysh në muajin maj e ka propozuar platformën për dialog. Por, thotë se nga subjektet tjera politike, kjo platformë u devijua pasi ata nuk e patën të rëndësishme konsensusin nacional.

“Ideja e PSD-së, është e mirë, PDK-ja është e hapur për këtë”, tha ai. Haxhiu tha se Qeveria e ka propozuar Fatmir Limajn në krye të ekipit negociues dhe se PDK-ja e ka përkrahur, porse, askush s’mundet ta minimizoj rolin e Thaçit.

“Roli i presidentit Thaçi, e përcakton Kushtetuta. S’mundet me një ligj apo propozim t’i zvogëlohet roli i tij”, tha ai.

Haxhiu gjithashtu tha se fokusi i të gjitha subjekteve politike duhet të jetë se si të ndalet Serbia e jo Thaçi, sepse sipas tij, Kosova nuk rrezikohet prej Hashim Thaçit por Serbisë.

Për idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh, Haxhiu tha se askush s’mund ta bëjë korrigjimin. “Duhet të jenë 2/3 e Kuvendit. S’mundet një njeri i vetëm të bëjë korrigjim të kufijve. Kjo është më shumë dëshirë e disa mediumeve për klikime e shikime. Kosova është shtet i pavarur e nuk do të lëvizet asnjë pjesë toke”, tha ai.

Haxhiu foli edhe për punën në Kuvend. Tha se shpeshherë puna në Kuvend po dështon për shkak të mungesës së kuorumit, por kjo thotë po ndodh sepse ka shumë deputetë të papërgjegjshëm.

Tha se Kuvendi ka vendosur të bëjë publike pas çdo seance, mungesën e çdo ministri që nuk i përgjigjet pyetjeve parlamentare. Më pas, ata të ftohen në interpelancë një nga një, e më tutje të merren vendime për ta.

Për buxhetin 2019, Haxhiu tha se është për t’u admiruar.

“Kur krahasojmë me atë të viteve paraprake, jemi shumë më mirë. Me ardhjen e Bedri Hamzëz si ministër, ka ndryshuar shumë buxheti pozitivisht”, ka thënë Haxhiu duke kritikuar kohën kur Ministrinë e Financave e ka udhëhequr LDK-ja.

Buxheti mbi 2 miliardë euro për vitin 2019, tha Haxhiu, sfidë do të ketë skemat pensionale.

Kujtojmë se në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku diskutua për buxhetin, Ministri i Financave, Bedri Hamza ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019, duke thënë se ky buxhet do të jetë 2 miliardë e 355 milionë euro.

LDK nuk e përkrah buxhetin e vitit 2019: Ka përplot gabime

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë kundër projekt buxhetit për vitin 2019.

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se investimet nëpër sektorë nuk janë të arsyeshëm dhe se nuk përbëjnë zgjidhje për problemet aktuale.

Ai ka pasur kritika edhe në buxhetin e ndarë për skemat sociale, për të cilin ka thënë se investimi në këtë sektor ka tejkaluar të gjitha parashikimet.

Po ashtu, Abdixhiku ka përmendur edhe ndarjen e buxhetit për pensionet e veteranëve të UÇK-së, duke përmendur edhe skandalet me keqpërdorimet e listave.

Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për faktin që në këtë projekt nuk përfshihet rritje e buxhetit në plan 3 vjeçar për Ushtrinë e Kosovës.

Si i tillë, është shprehur Abdixhiku, Lidhja Demokratike nuk e përkrah buxhetin për vitin 2019.

Hamza: Paratë për Ushtrinë e Kosovës janë të sigurta

Periskopi.com Lajme

Ministri i Financave Bedri Hamza, ka thënë se paratë për ushtrinë e Kosovës janë të sigurta dhe nuk ka përse të ketë shqetësim për këtë çështje.

Ministri Hamza deklaroi se të gjitha kërkesat për ushtri janë plotësuar dhe paratë janë të garantuara për 3 vitet e ardhshme.

Ai në RTK, shprehu bindjen se me buxhetin e vitit 2019, do të ketë rritje në shumë sektorë e veçanërisht në arsim, shëndetësi e mbrojtje, dhe kërkoi që të ketë sukses e jo çdo herë të ketë ankesa.

Ministri Hamza, ishte kritik për ndërmarrjet publike të cilat tha ai nuk po i menaxhojnë siç duhet.

Sipas tij ka vend për përmirësime dhe shteti të marr dividenta nga to e jo të ketë kërkesa për subvencionim të tyre nga shteti.

Sa u përket pagave ai kërkoj që të respektohet protokolli i shtetit, dhe paga më e lartë të jetë e presidentit e pastaj e zyrtarëve të tjerë e jo siç po ndodhë.

Hamza tha se nuk po pranon të marrë pagën më rritje, duke deklaruar se për këtë ka dhënë fjalën e tij qysh në fillim të këtij debati.