Breshëri u shkakton dëme në të mbjellura banorëve të Istogut

Periskopi.com Lajme

Reshje të mëdha të shiut pati sot në gjithë vendin. Madje një pjesë e Klinës pati edhe vërshime, ku uji u fut thuajse në katet e para të shtëpive.

Por përpos kësaj, banorët e Istogut patën edhe breshër.  Madje disa banorë u dëmtuan edhe sa i përket të mbjellurave.

Është bërë e ditur se mbi 1 mijë fidanë të mbjellura, shalqi e shumë pemë të tjera i janë dëmtuar shkaku i këtij breshëri.

Për më tepër shihni fotografitë më poshtë:

Rahovecasit të pakënaqur, kërkuan mbi 4 milionë euro më shumë për kompensim nga dëmet

Periskopi.com Lajme

Dëmi që iu shkaktua fermerëve të Rahovecit nga breshëri e vërshimet nuk do t’u kompensohet as për afër.

Një milion euro që u ndanë nga Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme, nuk do t’i dalin në ndihmë fermerëve të cilët humbën shumë më shumë si pasojë e breshërit e vërshimeve,

Më herët ishte raportuar nga afër për atë se çfarë dëmesh u kishte shkaktuar natyra këtyre bujqve në Rahovec.

E një milion eurot që u ndanë nga Qeveria Haradinaj nuk janë as për afër shumës që u kërkua nga komuna e Rahovecit.

Në bazë të vlerësimeve të bëra në terren, dëmet e shkaktuara kapin shifrën e mbi 5 milionë eurove.

Një shumë e ngjashme u kërkua edhe nga Komuna e Rahovecit për Qeverinë e Kosovës.

Këtë e konfirmoi për lajmi.net drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Berat Duraku.

Ndonëse thotë se janë të kënaqur që Qeveria më në fund ka ndarë një shumë për këtë çështje, Duraku shpreson se edhe mjete tjera do të ndahen për kompensimin e dëmit.

E edhe Haradinaj beson se kjo nuk do të jetë hera e fundit që Qeveria që ai udhëheq ndan fonde për këtë çështje.

Mjetet të cilat u ndanë nga kategoria e shpenzimeve rezervë e gëzuan ndërkaq kryetarin e komunës, Smajl Latifi i cili vjen po ashtu nga partia e kryeministrit Haradinaj, AAK-ja.

“Do të jemi në krah të fermerëve dhe në mënyrë proaktive do të kërkojmë e punojmë së bashku me Qeverinë tonë dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj që të gjejmë mundësi të reja për dëmshpërblim të bujqëve tanë të dëmtuar”, shkruante ai në postimin e tij.

E teksa kompensimi i rradhës nga Qeveria e Kosovës nuk dihet se kur do të ndodhë, ishte pikërisht ky institucion i cili u kritikua shumë për shpenzimin e mjeteve nga kategoria e shpenzimeve rezervë.

Madje për këtë çështje, ishte mbajtur edhe seancë në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria sot nxjerr vendim për fermerët e dëmtuar nga të reshurat

Periskopi.com Lajme

Në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, është miratuar në lexim të dytë projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryesuesja e grupit punues për komplekset memorialë, Ganimete Musliu, ka thënë se projektligji është trajtuar mirë dhe janë plotësuar kushtet për procedim, raporton KosovaPress.

“Besoj se ai ligj ose ai projektligj tani i plotëson të gjitha kriteret dhe nuk kemi ndonjë vërejtje më, sepse e kemi trajtuar bukur mirë në disa seanca dhe kemi ftuar edhe ekspertë të fushës dhe iniciues të ligjit dhe gjithë të tjerë që të bashkëpunojmë dhe ta nxjerrim më të mirën të mundshme”, ka thënë Musliu.

Anëtari i Komisionit Salih Salihu ka ngritur për diskutim edhe çështjen dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore në Rahovec dhe në vendet tjera nga moti jo i qëndrueshëm.

“Kohët e fundit është aktuale, që dëmet që janë shkaktuar nga shiu pa ndërprerë, sidomos për korrjet e grurit, por edhe kultura të tjera janë dëmtuar shumë dhe Ministria përkatëse nuk ka mundësi të sigurojë mjete për kompensim të dëmeve që janë shkaktuar. Unë propozoj që të bëhet një vizit në Shqipëri dhe të kontaktojmë kolegët atje si dhe të shikojmë se si e kanë të rregulluar çështjen e kompensimit të dëmeve”, ka thënë Salihu.

Idenë e deputetit Salihu për vizitën e fermerëve në Rahovec e ka përkrahur edhe kryetari i këtij Komisioni Muharrem Nitaj, i cili paralajmëroi se sot Qeveria do të nxjerrë një vendim për dëmet në bujqësi.

“Me sa pash, Qeveria e ka në diskutim sot marrjen e vendimit për dëmtimin për një pjesë të atyre që janë goditur nga breshëri në disa komuna të Kosovës kohëve të fundit. E kemi propozimin deputetit, Salihu që ta bëjmë një vizitë në Rahovec, unë po sugjeroj nëse kemi mundësi komplet Komisoni ta realizojmë një vizitë në Rahovec. Po të ishte realizuar vizita më herët ndoshta do të mund të kishim dhënë një kontribut që edhe Qeveria ta ketë vendim më normal dhe në përputhje me nevojat e asaj zone”, theksoi Nitaj.

Mirëpo, kundër kësaj vizite ishte deputetja Ganimete Musliu, ngase sipas saj, është vonë dhe nuk asnjë ndikim pozitiv për fermerët e dëmtuar.

“Nuk e shoh si profitabile këtë vizitë tonën të mundshme gjatë kësaj jave në Rahovec, duke pasur parasysh se jemi shumë vonë, sepse Qeveria është në diskutim e sipër të kësaj teme, sot merr vendim dhe ‘ne po shkojmë në Rahovec post mortum’ në këtë rast dhe nuk po shoh të arsyeshme me bë një vizitë veç sa të shkojmë ashtu”, ka theksuar Musliu.

Komisioni po ashtu ka proceduar për në lexim të dytë edhe projektligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike.