Rama: Nuk është qëndrim i Albin Kurtit për politikë të jashtme të unifikuar Kosovë-Shqipëri, këtë e kemi pasë denbabaden

Periskopi.com Lajme

Kryeministri shqiptar, Edi Rama është pyetur rreth një deklarate të kreut të VV’së, Albin Kurti se  politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jetë e unifikuar.

Rama në Top Channel ka thënë se ky nuk është qëndrim i Kurtit dhe se kjo ka qenë ‘denbabden’

‘’Ky nuk është qëndrimi i Albin Kurtit. Kjo është një aksiomë që e ka karakterizuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, denbabaden. E unifikuar ka qenë politika e jashtme e Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk e di për çfarë bëhet fjalë, mbase duhet shpjeguar që politika është strategji dhe taktikë. Përshembull, meqë ra fjala më parë për konsultimin apo për unifikimin.’’

‘’Së pari njëherë parafytyroni një moment, jo ju, po ta përfytyrojnë qytetarët e Kosovës që një degë e Partisë Socialiste natyrisht me miratim nga kryesia dhe nga unë të bëjë protestë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe të thotë “nuk është koha për të festuar është koha për të reflektuar” dhe të bëjë një fletë-rrufe që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë? Çfarë do të ishte kjo, në raport me pretendimin për politikë të jashtme të unifikuar dhe për strategji të përbashkët dhe për bashkëpunim?
Megjithatë unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum ku kam qenë dhe vetë dhe e kam shumë mirë parasysh, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur të votojnë, por fillon dhe bëhesh jo menjëherë pasi ke hyrë në zyrë.’’/PERISKOPI/