Reagon Bahtiri: Arrestimi i Gazmend Morinës, me prapavijë politike

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar ashpër kundër arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina.

Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se dyshon që arrestimi ndaj Morinës është me prapavijë politike.

“Apeloj tek organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e tyre pa u ndikuar nga politika dhe nga interesat e caktuara partiake”, ka thënë Bahtiri dhe ka shtuar se kjo mund të jetë hakmarrje politike ndaj Morinës.

Ndryshe kryeshefi i ndërmarrjes së pastrimit në Mitrovicës, Gazmend Morina, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin e “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

 

Arrestohet kryeshefi i ndërmarrjes së pastrimit në Mitrovicë

Periskopi.com Lajme

Është arrestuar Gazmend Morina, kryeshef i ndërmarrjes së pastrimit në Mitrovicë.

Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, avokati i tij Musa Damati.

Ai ka thënë se klienti i tij është arrestuar dhe ndaluar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Gazmend Morina është ndaluar në mbajtje për 48 ore pas intervistimit në zyrat qendrore të Policisë së Kosovës”, ka thënë Damati.

Sipas tij, prapa këtij rasti qëndron politika,  që me çdo kusht po dëshiron të atakoj punën e Morinës shkaku i denoncimeve të tij të mëparshme për keqpërdorime të cilat kanë ndodhur më herët në këtë ndërmarrje, e që Damati thotë t’i ketë denoncuar kryeshefi i saj.

 

Vjen edhe reagimi i drejtorit të “Unitetit” pas arrestimit për keqpërdorimin e fondeve

Periskopi.com Lajme

Gazmend Morina, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike të pastrimit “Unitetit”, Gazmend Morina, ka reaguar ndaj arrestimit të ish drejtorit të kësaj ndërmarrje, Skënder Tahiri.

Ai ka thënë se dyshimet për keqpërdorime të 200 mijë eurove nuk kanë të bëjnë me periudhën kur ai është vendosur në krye të ndërmarrjes. Këtë ai e ka bërë në profilin e tij në Facebook, të cilin e mban nën emrin “Benni Morina”.

Ja postimi i plotë i tij:

Duke e pare situaten e krijuar pas lajmit te publikuar ne media per arrestimin e ish kryeshefit te ndermarrjes rajonale “Uniteti” dhe nje pjese te qytetareve qe jane te fokusuar vetem ne titujt e mediave, e shoh te arsyeshme te ndaj informacionin se fjala eshte per nje person qe ka udhehequr kompanine para ardhjes time.
Pra, keqperdorimet e supozuara/dyshuara nga policia dhe prokuroria, i perkasine periudhes para zgjedhjes time ne postin e kryeshefit te KRM “Uniteti”, pozite te cilen e mbaje nga data 7 Nentor 2018.
Te gjeturat sipas asaj qe kam informacion, kryesisht bazohen ne raportin e auditorit te bere per vitin 2017.
Une, do te vazhdoje te mbetem i perkushtuar ne krijimin e politikave zhvillimore te kompanise, gjithmone duke u bazuar ne legjislacionin ne fuqi.

Sinqerisht,
Gazmend Morina
Kryeshef Ekzekutiv i KRM “Uniteti”

Nëntë muaj burgim ndaj dy të akuzuarve për sulm ndaj gazetarit Gazmend Morina

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, ka shqiptuar dënim unik prej pesë muaj burgim ndaj të akuzuarit, Nexhat Dedia dhe katër muaj burgim për të akuzuarin, Labinot Krasniqi, për kryerjen e veprave penale “kanosje”, “lëndimi i lehtë trupor” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, pasi që akuzohen se më 26 janar 2016, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor gazetarit Gazmend Morina.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i rastit Ferki Xhaferi, të akuzuarit dhe palët e tjera në këtë procedurë, lidhur me këtë aktgjykim, kanë të drejtë ankese në afat ligjor, pas pranimit të aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Xhaferi, gjatë shpalljes së aktgjykimit i njoftoi të akuzuarit se dënimi me burgim me pëlqimin e tyre, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë, mirëpo dy të akuzuarin nuk shprehën gatishmëri për këtë.

Në shpalljen e këtij aktgjykimi, prezent kanë qenë të akuzuarit Dedia dhe Krasniqi si dhe i dëmtuari Gazmend Morina, ndërsa nuk ka prezantuar prokurorja e rastit, Jelena Marinoviq.

Paraprakisht, këtë të martë, është mbajtur seanca  e shqyrtimit gjyqësor, ku po ashtu është dhënë fjala përfundimtare nga ana e palëve në këtë procedurë.

Prokurorja e rastit, Jelena Marinoviq, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare u shpreh se mbetet në tërësi pranë pretendimeve të cekura në aktakuzë.

Marinoviq shtoi se kërkon nga gjykata që me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese sipas ligjit.

Përveç prokurores Marinoviq, aktgjykim dënues për të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, ka kërkuar edhe i dëmtuari në këtë rast, Gazmend Morina.

I dëmtuari Morina, në fjalën e tij përfundimtare, ndër të tjera tha se faktin se ky sulm ka qenë i organizuar paraprakisht, sipas tij, e dëshmojnë rrethanat se sulmi është bërë fiks në kohën kur ai ka përfunduar orarin e punës dhe prapa objektit të Komunës së Vushtrrisë, ku ai ka punuar dhe ende punon.

Morina duke iu referuar të akuzuarit Dedia, deklaroi se një ditë para sulmit, sipas tij është kërkuar nga i akuzuari në Komunën e Vushtrrisë dhe pasi që nuk e ka takuar atë ditë, e ka vazhduar kërkimin edhe të nesërmen kur sipas tij, edhe ka ndodhur sulmi.

Për më tepër, Morina u shpreh se e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i shkrimeve hulumtuese siç thotë ai, lidhur me keqmenaxhimet e bëra në kombinatin “Trepça”, nga atëkohë menaxheri i këtij kombinati, Ahmet Tmava.

Në fund, i dëmtuari Morina, tha se kërkon nga gjykata që të shpallë një aktgjykim meritor për të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi dhe të njëjtit të dënohen sipas ligjit.

Ndërkaq, i akuzuari Nexhat Dedia, në fjalën e tij përfundimtare u shpreh se sipas tij, tentativë e të dëmtuarit Morina, është ngritja në pozitë përmes shpikjeve dhe provokimeve të ndryshme.

I akuzuari Dedia, është shprehur se respekton Gjykatën pavarësisht vendimit i cili do të merret lidhur me rastin konkret, ngase sipas tij, është hera e parë që gjendet në cilësinë e të akuzuarit.

Kurse, i akuzuari tjetër, Labinot Krasniqi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se ndihet keq për krejt këtë që ka ndodhur, ngase sipas tij e gjitha ka qenë një incident duke mohuar se e tëra ka qenë e planifikuar, siç sipas tij, pretendon i dëmtuari Morina.

Sipas të akuzuarit Krasniqi, atë ditë së bashku me të akuzuarit tjetër Nexhat Dedia, kanë qenë duke shkuar në lokalin e tij, për të cilin tha se gjendet prapa objektit të Komunës së Vushtrrisë, duke cekur më pas se për incidentin në fjalë, ka kërkuar falje nga të afërmit e të dëmtuarit, Morina, për të cilët tha se i njeh mjaft mirë.

Ndryshe, të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 9 gusht 2018, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë  Themelore në Mitrovicë, thuhet se i akuzuari Nexhat Dedia,  më 23 janar 2016, në Shkup, ka kanosur personin tjetër se do ta gjej një e keqe pasi që kishte publikuar një foto në Facebook, së bashku atëkohë me menaxherin e Kombinatit “Trepça”, Ahmet Tmava dhe të akuzuarin tjetër Labinot Krasniqin.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që tani i dëmtuari Gazmend Morina, në foton e publikuar nga i akuzuari Dedia, ka shkruar komentin “nuk paska me pas krizë për Trepçën”, ku pas tre orësh, i pandehuri Dedia e ka kërcënuar të dëmtuarin Morina, se do t’ia sheh sherrin kur të kthehet në Kosovë, duke i thënë “ki me pa se kush jam unë, ke me pas problem për këtë punë”.

Me këtë, i akuzuari Nexhat Dedia, akuzohej se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 i KPRK-së.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se të akuzuarit Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi, në bashkëkryerje më 26 janar 2016, në Vushtrri, i kanë shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarit Gazmend Morina, ashtu që sipas aktakuzës, me forcë kanë hapur derën e automjetit “Fiat Punto”, në të cilin ka qenë i ulur i dëmtuari, me ç’rast kanë filluar ta sulmojnë dhe ta godasin të dëmtuarin me shufra metalike, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, skuqje në laprën e veshit të anës së majtë, në regjionin e shpatullës dhe krahut të majtë me pasoja  të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.