Notat paushall në Prizren – “u ulëm dhe i mbyllëm notat me dy arsimtarë të tjerë”

Periskopi.com Lajme

Gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor e kanë mbyllur pa arsimtar të gjeografisë.

Një kohë, lëndën nuk e kanë dëgjuar nga askush.

Më vonë janë angazhuar vullnetarisht dy arsimtarë dhe vetë drejtori i shkollës.

Në fund, notat i kanë marrë sipas suksesit të përgjithshëm.

Nxënësit e shkollës fillore “Zenun Çoçaj” në Gjonaj të Hasit, janë vlerësuar “paushall” në mungesë të arsimtarit përkatës të lëndës.

Arsimtari i tyre i gjeografisë në fillim të këtij viti shkollor, kishte dal në pension, por ai nuk është zëvendësuar nga askush.

Drejtori i shkollës fillore “Zenun Çoçaj”, Latif Çoçaj tha se pensionimin e arsimtarit të gjeografisë e ka lajmëruar me kohë në Drejtorinë e Arsimit në Prizren.

“Drejtoria e Arsimit është lajmërua me kohë për pensionimin e arsimtarit, mirëpo nuk e kanë sjell asnjë arsimtar tjetër për zëvendësim”, tregon Çoçaj për “PrizrenPress”.

Çoçaj, i cili me profesion është pedagog tregon se në mungesë të arsimtarit është detyruar të kapë ditarin për të mbajtur lëndën e gjeografisë.

“Unë jam detyruar të mbajë orët e gjeografisë dhe dy arsimtarë të tjerë të gjeografisë”.

“Orët i kemi mbajtur si kemi mundur dhe qysh kemi pasur kohë”.

Ai tregon se si janë vlerësuar nxënësit në këtë lëndë.

“Jemi ulur të tretë, unë dhe dy arsimtarët e tjerë të gjeografisë dhe i kemi mbyllur notat”.

“Bashkë i kemi harmonizuar vlerësimet “, tregon ai

Çoçaj thotë se vazhdimisht ka kërkuar një arsimtar të gjeografisë, mirëpo kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga drejtori i Arsimit, Skënder Susuri.

“Herën e fundit jam fjalosë me drejtorin Susuri, pikërisht për mungesën e arsimtarit”.

Ai, tregon një detaj interesant të bashkëbisedimit me drejtorin e Arsimit në Prizren.

“Shkova dhe i thashë kur e ke në plan me sjell një arsimtar në Gjonaj, kurse ai me tha “se sigurt e ke me 1 Maj’”.

“I thash me 1 Maj dërgoje në vendlindjen tënde në Zhur”.

Çoçaj thotë se nga kjo kohë më nuk ka kërkuar arsimtar të gjeografisë.

“Më nuk kam kërkuar. I kemi mbajt vetë orët qysh kemi mundur. Herë unë e herë dy arsimtarët tjerë”.

Mungesa e arsimtarit të gjeografisë në shkollën fillore “ Zenun Çoçaj” ishte ngritur edhe në një mbledhje të SBASHK-ut./PrizrenPress.com/