Ibrahimi: Me një qasje të tillë duket se Kurti ka frikë nga qeverisja dhe sfidat

Periskopi.com Lajme

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka kritikuar qasjen e LVV-së dhe LDK-së në përpjekjet e tyre për marrëveshje.

Përmes një postimi në Facebook, Ibrahimi ka shkruar se të dy partitë janë nisur nga qasja e arrogancës dhe lakmisë për pushtet.

“Nëse do të kërkonim t’i përkufizojmë se çfarë i ka karakterizuar negociatat ndërmjet LVV dhe LDK për formimin e qeverisë do të mund ta përmblidhnim me dy fjalë- arroganca dhe lakmia. LVV që në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve ka pasur një qasje arrogante, sikur të kishte fituar 51% të votave ndërkohë që LDK, e vetëdijshme për pozicionin e mirë negociator, është munduar që të zhvasë sikur të ishte fituese e zgjedhjeve”, shkruan ai në Facebook.

Me këtë qasje, thotë Ibrahimi, të të dyja subjekteve politike s’do mend se nuk do të mund të arrihej ndonjë marrëveshje, e lërë më ndonjë qeverisje ashtu siç e kishte kërkuar votuesi me 6 tetor.

“Se me një qasje të tillë nuk mund të arrihet një marrëveshje e kanë ditur edhe Kurti e Mustafa. E kjo na qon në përfundimin logjik se asnjëri nuk kanë dashur të bëjnë marrëveshje dhe të qeverisin bashkë. Kurti nga frika e qeverisjes dhe e sfidave që ka përpara e Mustafa nga frika se në një qeverisje të udhëhequr nga Kurti, LDK e tij me shumë plasaritje të brendshme do të venitej edhe më tej. LVV është fituese e zgjedhjeve dhe ka mandatin për formimin e institucioneve. Dështimi për të bërë një gjë të tillë e bën atë fajtoren kryesore dhe kjo duhet të thuhet qartë dhe pa ekuiovoke. LVV nuk mund të fshihet pas asaj se ne deshëm por nuk gjetëm partner. Kompromisi dhe gjetja e partnerëve është pjesë e lojës në të cilën tani rolin udhëheqës e ka LVV dhe ajo duhet të mësojë të luajë në këtë valle”, thotë Ibrahimi.

LDK, thotë tutje ai, nëse nuk e ndien veten rehat në një qeverisje me LVV duhet ta thotë haptas dhe të hapet rrugë për kombinime të tjera.

“Po shihet dhe dëshmohet edhe një herë se vënia e vijave të kuqe në politikë ( sidomos në politikën kosovare) është më tepër një dëshirë se sa qëndrim pragmatik politik. Qofsha I gabuar do të thoshte dikush”, përfundon Ibrahimi.

 

 

“Kosova nuk është në top-listën e prioriteteve amerikane siç ka qenë”

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Bordit të Drejtorëve në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ilir Ibrahimi, duke folur për ndryshimet që kanë ndodhë në skenën politike pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e ka komentuar binomin LDK-Vetëvendosje.

“Ne nuk duhet të fillojmë duke marrë një qëndrim paragjykues sepse edhe subjektet politike në momentin kur janë në opozitë edhe gjuhën edhe qëndrimet i kanë më të ashpra”.

“Në momentin kur vinë në qeveri dhe e marrin përgjegjësinë shtetërore, atëherë çdo parti politike, qoftë e majtë apo e djathtë, i afrohen qendrës sepse kjo është mënyra e vetme për të qeverisur në demokraci. Këtë e shohim edhe në SHBA dhe në vendet europiane demokratike”.

Por, si e sheh ai Albin Kurtin si kryeministër?

“Kemi filluar të shohim moderim të Albin Kurtit në qëndrimet që i ka pasë dhe ky moderim do të vazhdojë sepse është ndryshe të jesh udhëheqës i opozitës dhe ndryshe është të jesh udhëheqës i pushtetit”.

“Ne sapo jemi kthyer nga një vizitë në SHBA ku kemi pasë shumë takime të ndryshme në Kongres, Senat dhe në Departamentin e Shtetit. SHBA-të si një gardian i shtetit të Kosovës janë të interesuar të dinë se çfarë po ndodh në Kosovë dhe pyetja e parë e tyre ka qenë se ‘Çfarë pritni nga zgjedhjet?’.

“Ne si delegacion e kemi pasë një qëndrim që fillimisht zgjedhjet kanë qenë festim i demokracisë dhe kemi pasë ndryshim të pushtetit ku partitë opozitare kanë fituar, derisa partitë e pozitës kanë humbur dhe i kanë pranuar zgjedhjet”.

Ibrahimi në Zona B të Klan Kosovës duke treguar se çfarë ka qenë diskursi i kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë ka thënë se Kosova nuk është më prioritet i SHBA-së ashtu si ka qenë dikur.

“Kosova nuk është në top-listën e prioriteteve amerikane siç ka qenë më parë. Ajo që na ka rënë në sy është që ka kongresmenë dhe senatorë që kanë qenë më të familjarizuar me çështjen e Kosovës dhe i dinë detajet që nga intervenimi i NATO-s dhe deri më tani në zhvillimet e Kosovës”.

“Por, shumë kongresmenë që kemi takuar nuk është se kanë pasë njohuri të madhe. Misioni ynë ishte që t’i njoftojmë kongresmenët dhe senatorët amerikanë që Kosova ka bërë përparim dhe ka pasë zhvillim, qoftë në rrafshin e zhvillimit të demokracisë dhe në atë të ekonomisë”.

“Kosova nuk është një vend që po kërkon ndihmë, por është një vend që po kërkon bashkëpunim”.