Izmaku: LDK nuk e do Vjosa Osmanin kryeministre, duan ta shuajnë politikisht

Periskopi.com Lajme

Kandidatja e PDK-së për deputete, Xhevahire Izmaku ka thënë se kandidimi i Vjosa Osmanit është hile e subjektit të LDK-së.

Ajo shtoi se LDK-ja dëshiron ta shuajë politikisht Vjosa Osmanin, e nuk e do për kryeministre, njofton Klan Kosova.

”Vjosa Osmanin e kam mike,  kam pasur bashkëpunim profesional. E kisha vlerësuar sikur mos të isha vet kandidate edhe të ishte me të vërtetë kandidimi i saj tamam fer që s’bëhet për hile të subjektit politik vet do t’ja jepja votën.  LDK ka vendosur të mos e bëjë Vjosa Osmanin për kryeministre. LDK nuk e mbështetë Vjosa Osmanin për kryeministre”.

”Sot kam pa deklaratën e saj të ripostuar nga qytetarët e saj në facebook, qasja e saj dikur ndaj Isa Mustafës ishe e rëndë. Jam e sigurt që edhe liderët e tjerë nën hije të LDK-së nuk kanë me guxu’, e nuk kanë me dëshiru’ ta lënë Vjosa Osmanin të bëhet kryeministre. Nuk kanë vendosur ta bëjnë kryeministre, kanë vendosur ta shuajnë politikisht”.

Xhevahire Izmaku nga Partia Demokratike e Kosovës, foli edhe për pjesëmarrjen e gruas në politikë derisa tha se pjesëmarrja nuk është aspak rrugëtim i lehtë.

Izmaku në Analizën Zgjedhore theksoi që në subjektin ku ajo punon përfaqësimi i gruas në politikë është deri në 40% ndërsa pohoi që për një përqindje më të madhe askush nuk mund ta detyrojë asnjë grua t’i hyjë kësaj fushe, njofton Klan Kosova.

”U bënë 20 vjet që unë jam pjesë e PDK-së. Kam qenë shumë e re kur kam hyrë në PDK, nga fusha e gazetarisë si një luftëtare e luftës. Vetëm me pushtetin lokal e sheh politikën se si materializohet sepse aty përkthehet e mira dhe zhgënjimi. Kam dalur fituese për tri herë radhazi, e falënderoj shumë Vushtrrinë dhe gjithë qytetarët  e Kosovës për votat”.

”Nuk është aspak e lehtë gruaja në politikë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë sepse është një rrugë e gjatë dhe do të gjesh shpesh herë zhgënjim. E njoh organikisht qysh funksionon PDK. Përfaqësimi i grave është 40%, kemi të rinj 60% dhe pjesë e listës tonë janë artiste, sportiste”.

”Nëse ato nuk e ndjejnë të marrin pjesë në një aktivitet politik, s’kemi nevojë me i ftu. Sepse politika nuk është thjeshtë profesion. Nganjëherë edhe është e vështirë për ta pranuar suksesin, kam luftuar për të drejtat e mia, të drejtat e qytetarëve kam kërkuar ndihmë nga koleget e mia”.