Muzika e Mozart, Bach dhe Beethoven i bën kirurgët më të saktë dhe më të shpejtë

Periskopi.com Zoya

Kirurgët duhet të dëgjojnë muzikën e Mozart-it, Bach-ut dhe Beethoven-it përderisa janë duke operuar tek pacientët, sugjeron një hulumtim i ri.

Shkencëtarët kanë gjetur se mjekët janë më të saktë dhe më të shpejtë kur punojnë me muzikë klasike në sfond.

Sidoqoftë, efektet që rritin performancën funksionojnë vetëm kur meloditë luhen me vëllim të ulët ose të mesëm.

Results showed doctors are more accurate and faster when they work with classical music in the background

Ekspertët e Universitetit Dundee, të cilët drejtuan studimin, thanë se muzika me zë të lartë mund të jetë e dëmshme për pacientët sepse shpërqendron kirurgët.

Michael El Boghdady dhe kolegët e tij analizuan 18 studime ekzistuese në ‘efektin Mozart’, i cili nuk pranohet gjerësisht.

Disa shkencëtarë thonë se të dëgjuarit e muzikës së lehtë – siç është ajo e prodhuar nga kompozitori austriak – mund të zvogëlojë nivelin e stresit dhe të përmirësojë përqendrimin.

Rishikimi i fundit i teorisë siguroi ‘prova të forta shkencore’ se efekti është real dhe mund të ofrojë përfitime për kirurgët.

Kirurgët heqin tumorin më të madh të trurit në botë

Periskopi.com Shëndeti

Kirurgët në Indi kanë hequr atë që pretendojnë të jenë është tumori më i madh i trurit ndonjëherë.

Një 31-vjeçar thuhet se kishte jetuar për 20 vjet me tumor, pasi ishte i frikësuar t’i nënshtrohej operimit.

Deri në kohën që u hoq, tumori peshonte 5 kg, që mjekët thanë se është më i madhi i regjistruar ndonjëherë në raportet mjekësore.

Kirurgu i tij tha se tumori – që raportet lokale thuhej se ishte kanceroze – ishte pothuajse e njëjtë me të gjithë pjesën tjetër të kokës së tij.

Njeriu i njohur si Sakthivel, është duke u rikuperuar pa probleme.

“Pacienti po shërohet mirë dhe tani është në dietë të plotë. Ai ndihet i liruar nga ‘një barrë e madhe mbi kokën e tij’”, tha profesori Trimurti Nadkarni, i cili udhëhoqi kirurgjinë.

Ndryshe, tumori ishte shfaqur kur Sakthivel ishte 11-vjeç dhe asnjëherë më parë nuk i ishte nënshtruar trajtimit mjekësor.

Pagat nuk iu rritën, megjithatë kirurgët e QKUK’së heqin dorë nga greva

Periskopi.com Lajme

Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë hequr dorë nga greva si formë e shprehjes së tyre të pakënaqësisë për mosrritjen e pagave.

Kolegjiumi i kirurgëve, më 15 shkurt, dy muaj pasi kanë refuzuar të ofrojnë shërbime, patën dalë me deklaratë të përbashkët ku i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që t’i plotësojë kërkesat e tyre më së largu deri më 6 maj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndonëse ka kaluar gati një javë nga konsumimi i afatit të “ultimatumit” dhe nuk janë përmbushur kërkesat e tyre, kirurgët kanë thënë se nuk do t’u rikthehen grevës dhe se për realizimin e kërkesave do të përdorin të tjera metoda proteste.

Përfaqësuesi i Kolegjiumit të kirurgëve, Arbër Morina, në një prononcim për gazetën ka thënë se ndonëse kanë kaluar gati 3 muaj, ende nuk kanë asnjë informatë nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje.

 

Kirurgët e QKUK’së pezullojnë grevën deri në prill

Periskopi.com Lajme

I gjithë plani operativ në klinikat e QKUK-së nga sot do të nisë të realizohet pas rreth dy muaj grevë të kirurgëve të cilët kërkonin paga sa të prokurorëve e gjyqtarëve.

Në mbledhjen e mbajtur sot para disa minutash Këshilli Grevist i Kirurgëve ka vendosur që të pezullojë grevën deri në muajin prill.

Për një gjë të tillë kirurgët kanë thënë se pas pak do të dalin me komunikatë megjithatë burime të gazetës Koha Ditore kanë konfirmuar se tashmë janë pajtuar që për dy muaj të gjendet modaliteti për pagesë shtesë jashtë pagave. Kirurgët kanë kërkuar nga MSH-ja që të kompensohen financiarisht edhe për mentorime klinike e për rrezikshmëri.

Megjithatë një gjë e tillë mund të jetë e parealizueshme për shkak të kostos financiare. Kjo pasi që ligjërisht për rrezikshmëri duhet të paguhen shumë profile mjekësore. Në mesin e tyre janë profilet që punën e tyre e zhvillojnë në mjedise me rrezatime jonizuese siç janë klinika e Radiologjisë, Onkogjisë, Mjekësia Nukleare, reparti i Kardiologjisë Invazive e të tjera.

Me rrezikshmëri konsiderohet edhe Klinika Infektive, e Pulmologjisë, Emergjenca, Psikiatria e të tjera. Pagesa për rrezikshmërinë siç përcaktohet me bazën ligjore për të gjitha shërbimet e jo vetëm për Kirurgjinë do të ketë kosto të lartë financiare. Edhe kërkesa tjetër për kompensim për mentorim klinik ka vështirësi në realizim. Kjo pasi që aktualisht mjekët specialistë që e mentorojnë një specializantë gjatë studimeve marrin kompensim shtesë.

Por, siç ka mësuar gazeta, kirurgët po kërkojnë që jo vetëm mentori i caktuar por të gjithë kirurgët që futën në sallë, ofrojnë shërbime, përcaktojnë diagnoza të shoqëruar nga studentët në specializim të paguhen shtesë për angazhimin e tyre. Një gjë e tillë mund të këtë kosto shumë të lartë duke pasur parasysh që mentorimi klinik bëhet në secilën klinikë të QKUK-së e jo vetëm në klinikat e Kirurgjisë.

Në QKUK që në muajin dhjetor janë duke u kryer vetëm operimet emergjente ndërsa janë anuluar mijëra operime tek rastet elektive (raste të ftohta që operohen bazuar në listën e pritjes).

Kërkesë e kirurgëve ishte që paga të mos u rritet në 1200 euro duke e quajtur pagesë denigruese.

E vetmja pagesë e pranueshme sipas tyre është paga 1800 euro.

 

Kirurgët vazhdojnë grevën, nuk do të ndalen derisa Qeveria t’ia plotësojë kërkesat e tyre

Periskopi.com Lajme

Janë bërë 7 javë të grevës së kirurgëve të Qendrës Klinike Univeristare të Kosovës.

Dje u zhvillua një takim midis  përfaqësuesve të grevistëve  dhe ministrit të  Shëndetësisë, Uran Ismaili, mirëpo nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Në një intervistë për RTV21 kirurgu Arbër Morina , thotë se nuk do të dorëzohen dhe se greva do të vazhdoj derisa qeveria të reflektoj ndaj këresave të tyre.

Kirurgët nuk ndoqën shembullin e mësimdhënësve të cilët pas një marrëveshje të arritur me Qeverinë, ndërprenë grevën.

Ndërkohë, ministri Ismaili ka thënë se rritja e pagave të mjekëve do të jetë më e madhja në rajon.

 

Kirurgjia Torakale në QKUK ndëprenë grevën

Periskopi.com Lajme

Klinika e Kirurgjisë Torakale ka vendosur të heqë dorë nga greva në të cilën kishin hyrë muaj më parë.

Drejtori i kësaj Klinike Saudin Maliqi tha për KALLXO.com se ata kanë reflektuar pas miratimit të ligjit për paga dhe kanë vendosur t’i kthehen punës së përditshme.

“Është marrë një vendin që Klinika e Kirurgjisë Torakale nuk do të jetë pjesë e grevës së mëtutjeshme. Ne nuk është se jemi të kënaqur me pagën por duhet pasur parasysh edhe mundësitë buxhetore megjithatë më mirë është që është bë një ligj të rregullohet diçka se asgjë”, tha Maliqi.

Ai tha se kirurgët duhet të fokusohen që t’i rritin standardet profesionale.

“Nëse rritet rroga 100 përqind le të jemi 100 përqind kirurgë, si në punë si në rregull si në etikë si në qasje profesione”, tha ai.

Maliqi tha se puna në Klinikë do të vazhdojë normalisht me qëllimin që të kryhen operime në mënyrë që numri i referimeve jashtë vendit të jetë sa më i vogël.

Ai tha se pritet nga kirurgët që të punojnë me përkushtim ashtu që numri i operimeve të jetë aq sa është kërkesa nga pacientët.

Përderisa kirurgët torakalë kanë vendosur ta rifillojnë punën, kirurgët e përfaqësuar nga Arbër Morina po vazhdojnë grevën në kërkim të rrogave më të larta.

Kirurgët s’heqin dorë nga greva: Ndihemi të poshtëruar nga Ligji për Paga

Periskopi.com Lajme

U bënë më shumë së një muaj që është duke vazhduar greva e kirurgëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Përfaqësuesi i Kolegjiumit të kirurgëve, Arbër Morina në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë shumë të revoltuar dhe të poshtëruar me Ligjin e pagave të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Morina theksoi se kirurgët ende shpresojnë që do të kenë qasje nga strukturat udhëheqëse.

“Nuk kemi asgjë të re. Greva vazhdon dhe në mbledhjen e sotme kemi vendosur që greva të vazhdoj me të njëjtin ritëm, po shpresojmë dhe besojmë që kemi me pas qasje nga strukturat udhëheqëse, se çka kemi mundësi të ndryshojmë për më tutje. Kërkesën e kemi të njëjtë për rregullimin e koeficientit. Po ndihemi jashtëzakonisht të lodhur, të mërzitur, të poshtëruar, të nervozuar me kahjen dhe rrjedhën që ka marr ligji i fundit me sharlatanizmin dhe pazaret që janë bërë në parlament. Jemi shumë të revoltuar”, tha ai.

Ndërkaq, javën e kaluar Kuvendi i Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim ka miratuar Projektligjin për Pagat.

Ndryshe, sot janë bërë 43 ditë që kirurgët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë hyrë në grevë

Kirurgët përsëri të pakënaqur, kërkojnë paga sa të gjyqtarëve

Periskopi.com Lajme

Të shtunën që shkoi, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e ri për Paga. E një nga kategoritë që ka përfituar më së shumti janë profesionistët shëndetësorë. Sipas Ligjit të Ri për pagat, mjekët specialistë do të paguhen tani plot 1,200 euro në muaj pagë standarde bruto nga afro 600 sa ishte gjerë tani.

Me këto paga, kirurgët kosovarë kanë rrogat më të larta krahasuar me kolegët e tyre në rajon.

Por pavarësisht kësaj, kjo shifër nuk është e mjaftueshme për kirurgët e QKUK’së, të cilët ka një muaj që janë futur në grevë. Ata thonë se grevën do ta vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, rrjedhimisht ngritjen e koeficientit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e quajti historike ditën e shtunë kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin e Ri për paga në bazë të së cilit mjekëve do t’iu rriten të hyrat mujore nga 600 në 1 mijë e 200 euro.

Por siç duket mjekët e QKUK’së, saktësisht kirurgët po e shohin ndryshe nga Ismaili vendimin për paga.

Ata nuk e kanë ndërmend ta ndalin grevën të cilën e kanë nisur tash e shtatë javë deri në realizimin e kërkesës së tyre, rritjen e pagës në koeficientin 10.

Kështu ka deklaruar  gjatë ditës së hënë, Arbër Morina, kirurg, njëherësh përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve në QKUK.

“Meqë Parlamenti i Kosovës, në votimin për Projektligjin për Paga, nuk ka marrë parasysh kërkesën tonë për rritje të koeficientit në nivel të gjykatave dhe prokurorëve e që konsiderojmë është një kërkesë e jona modeste dhe e bazuar në kriteret në bazë të të cilave indeksohen”, deklarojnë kolegjiumi i kirurgëve.

Tutje ata thonë se nuk do të ndërpritet greva deri në realizimin e kërkesave siç thonë ata që të rregullohet koeficienti dhe si krahasim ata kanë marrë kryeprokurorët e shtetit, të cilët janë ranguar në koeficientin 10.

“Ne e vazhdojmë grevën me kërkesën e njëjtën dhe nuk do ta ndërpresim atë deri në realizimin e saj”, thuhet në deklaratën e Kolegjiumit Profesional të Kirurgëve dhe Specialistëve tjera të ShSKUK’së.

E me grevën e kirurgëve nuk po pajtohet Federata Sindikale e Shëndetësisë.  Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate  tha   se nuk ka koment për grevën të cilën pavarësisht rritjes së pagave po e vazhdojnë kirurgët e QKUK’së.

Syla kohë më parë kishte thënë se koeficienti 10, nënkupton pagën deri në rreth 4 mijë euro, nuk i përket standardeve të Kosovës, pasi paga mesatare në Kosovë para miratimit të buxhetit të viit 2019 ishte është rreth 170 euro.

Megjithatë, greva në shëndetësi fillimisht ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor të vitit të kaluar dhe kishte zgjatur vetëm 72 orë. Më pas kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me zyrtarë qeveritarë kishte hapur rrugën për dialog social, duke urdhëruar që greva të ndërpritet. Por, kësaj kërkesë nuk i janë bashkuar mjekët kirurgë, të cilët grevën e nisën më 17 dhjetor dhe pavarësisht thirrjeve për ndërprerje të grevës, ata ende po vazhdojnë.

Ndërkohë, në bazë të koeficientit të ri, mjekët specialistë tani do të paguhen nga 1,200 euro pagë bazë bruto në muaj, nga afro 600 sa ishte gjerë tani.

Por, derisa të vijë koha e kësaj page, mjekët dhe të gjithë shërbyesit e tjerë të cilëve iu ngritën pagat do të duhet të presin disa muaj.

Një nga amendamentet e miratuara dje, thotë se vendimet hynë në fuqi plot nëntë muaj pas publikimit të vendimeve në gazetën zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Kësisoj, pagat me ngritje do të vijnë vetëm në fillimin e tremujorit të fundit të këtij viti.

 

Kirurgët s’e ndalin grevën, kërkojnë dyfishimin e koeficientit

Periskopi.com Lajme

Kriza nga grevat në sektorë të ndryshëm nuk shihen se janë afër fundit

Përderisa sot partnerët e koalicionit qeverisës arritën një marrveshje  Sindikatën e Bashkuar të Arsimit që e ndërpreu grevën në arsim, greva në shëndetësi po vazhdon në disa fusha.

Kirurgët që kanë filluar grevën që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar nuk po heqin dorë.

“Greva vazhdon pa asnjë përjashtim, aktualisht pa asnjë ndryshim me të njejtat kërkesa”  tha Arbër Morina përfaqësues i kolegjiumit të kirurgëve.

Kirurgët po kërkojnë koeficientin 10, nga 5 sa është diskutuar në Ligjin për Nivelizimin e Pagave.

 

Kirurgët specialistë në QKUK paguhen më pak se punëtorët e administratës

Periskopi.com Lajme

Janë ashpërsuar marrëdhëniet e kirurgëve të QKUK-së me shefat e tyre.

Dy muaj pasi kirurgët janë futur në grevë, duke anuluar të gjitha operacionet në përjashtim të atyre emergjente, inatin e tyre, kësaj radhe, thonë ta kenë drejtuar kah vetë administrata e cila i ka punësuar.

E, shkak duket të jetë bërë publikimi i listave të pagave për 175 të punësuarit në administratën e QKUK-së, rrogat e të cilëve sillen nga 500 deri në mbi 1,300 euro, raporton KTV.

Ata ua kanë ofruar mediave të gjitha pagesat për të punësuarit e administratës në dhjetorin e 2018.

Në këto lista vërehet diskrepancë e madhe e rrogave të punëtorëve administrativë me ato të kirurgëve, apo të mjekëve të QKUK-së.

Një zyrtar i lartë në këtë institucion, në dhjetor, llogaritet të ketë punuar mbi 16 orë në ditë, pasi paga e tij prej 772 eurosh është dyfishuar dhe me 31 dhjetor, në llogarinë e tij kanë dalë 1,526 euro, apo 775 në emër të kompensimit.

Shefi i Prokurimit në këtë institucion, në muajin dhjetor, ka marrë pagë hiç më pak se 917 euro.

Shefi i Auditimit, po ashtu, në dhjetor ka marrë pagën bruto prej 1,315 eurosh, e ai i Auditimit të Brendshëm 1 mijë e 31 euro.

I çuditshëm është fakti që Prishtina, edhe pse nuk ka spital rajonal, dhjetëra të punësuar duket se po marrin rrogë si të punësuar në një të tillë.

Një drejtor departamenti në këtë “institucion” që nuk ekziston, mori pagën prej 1,189 eurosh, një tjetër me të njëjtën gradë u pagua 956 euro, e një i tretë 1090 euro, 120 për të cilave ishin kompensim për kujdestari.

Dy herë brenda muajit, është kompensuar një shef i departamentit në spitalin regjional, në vlerat 113 dhe 239 euro, paga e të cilit arrin në 1 mijë 262 euro.

A. Z., i punësuar në ekzekutivin e SHSKUK-së, mori pagë bruto 1,647 euro, 988 prej të cilave figurojnë si kompensim.

Me gradën “punëtor administrativ”, ka pagesa për kujdestari apo kompensim shtesë në vlera prej 540, 385 euro, 167 apo 127 euro, respektivisht edhe rrogat për ta arrijnë në 965, 950, 860 apo 650 euro.

E, që të gjitha këto janë më të larta sesa ato të kirurgëve.

Ndërkaq, shoferi i Basri Sejdiut, drejtor në SHKSUK, ka pagën prej 555 eurosh.

Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm nuk ka pranuar të flasë para kamerave, por nëpërmjet postës elektronike ka theksuar se pagesat e stafit të punësuar në QKUK dhe SHSKUK, bëhen konform legjislacionit në fuqi.

Ata kanë deklaruar se koeficientet e pagave janë të rregulluar në nivel të Ministrisë së Administratës Publike.

“Sipas legjislacionit në fuqi, secili i punësuar paguhet për orët shtesë, përfshirë mjekë, infermierë dhe staf tjetër mbështetës teknik administrativ. Në rastet kur punëtorët kanë punuar jashtë orarit të punës, me kërkesë të institucionit, atëherë institucioni obligohet të paguajë orët shtesë. Në listat e pagave të muajit dhjetor, disa të punësuar kanë marrë dy paga, nëntor- dhjetor, për shkak se kanë qenë punëtorë të rinj, nuk kanë hyrë në listë pagave dhe nuk kanë marrë pagat e nëntorit edhe pse kanë punuar,’ thuhet në përgjigjen elektronike të QKUK-së.

Edhe Inspektorati i Punës, muaj më parë, kishte kërkuar nivelizimin e pagave brenda QKUK-së, pasi kishte vërejtur se ka disbalanc mes pagesave të stafit të administratës e klinikave të ndryshme, pavarësisht që kryejnë punën e njëjtë.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi, i ka thënë KTV-së se SHSKUK-ja ka kërkuar të presin deri në nxjerrjen e të gjitha akteve nënligjore për një nivelizim të tillë.

Anulohen mbi një mijë operacione shkaku i grevës së kirurgëve

Periskopi.com Lajme

Mbi një mijë operacione vetëm për një javë janë anuluar në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak se personeli mjekësor ka hyrë në grevë. Nga data 17 dhjetor 2018 kolegjiumet profesionale të kirurgëve të QKUK-së kanë hyrë në grevë për shkak të neglizhencës së premtimeve të dhëna për miratimin e projektligjit për paga sipas kërkesës së tyre

Përfaqësuesi i kirurgëve, Arbër Morina, ka thënë për “Zërin” se mbi 200 operacione në ditë anulohen në Klinikën e Kirurgjisë për shkak të grevës. Sipas tij, gjatë kohës sa ata janë në grevë do t’i trajtojnë vetëm rastet emergjente.

“Operacionet elektive janë të ndërprera. Parimisht mbi 200 raste elektive çdo ditë dështojnë. Urgjenca vazhdon të kryhet qysh është kryer deri më tani. Për asnjë rast të sëmundjeve që janë jetëkërcënuese për pacientët nuk i kemi ndërprerë shërbimet”, ka thënë ai për “Zërin”.

Rreth 200 operacione në ditë po anulohen për shkak të grevës së kirurgëve në QKUK

Periskopi.com Lajme

Rreth 200 operacione në ditë, aq sa kryhen brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u anuluar për shkak të grevës së mjekëve kirurgë, që po zgjatë tash e tre javë.

Greva në shëndetësi ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë më 26 dhjetor dhe kishte zgjatur 72 orë. Më pas kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla pas takimit me zyrtarë qeveritarë kishte hapur rrugën për dialog social, duke urdhëruar që greva të ndërpritet.

Megjithëkëtë, mjekët kirurgë ishin ata që kishin vendosur ta vazhdojnë grevën. Kërkesa e tyre është rritja e pagës përmes miratimit të Projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë të miratimit.

Arbër Morina, kirurg, i tha Radios Evropa e Lirë se kolegjiumi profesional i kirurgëve ka vendosur që greva të mos ndërpritet. Sipas tij, grevës tashmë i janë bashkuar 157 kirurgë nga gjithë Kosova.

Ndër të tjera, Morina tha se ndonëse është marrë vendimi për ndërprerjen e grevës nga ana e Sindikatës së Shëndetësisë, një gjë e tillë nuk është respektuar nga këta të fundit, pasi që siç thotë ai, kjo sindikatë asnjëherë nuk i ka përfaqësuar denjësisht kirurgët.

“Arsyeja pse kolegjiumet profesionale të kirurgëve jemi në grevë është se Sindikata asnjëherë nuk na ka përfaqësuar denjësisht apo më saktë, asnjëherë nuk e ka çuar deri në fund kërkesën e profesionistëve shëndetësorë, andaj edhe shëndetësia është në gjendjen që është”.

“Ne jemi kolegjium profesional i pa politizuar, pa ngjyrime politike dhe jemi grupi më i madh i intelektualëve të Kosovës. Jemi 157 kirurgë terciarë dhe nuk jemi grup i vogël, dhe nëse quhemi grup i vogël, është për të ardhur keq”, tha Morina.

Sipas Morinës, për këto 20 vjet pas luftës, kirurgët kanë bërë shumë, andaj nënvizon ai, ka ardhur koha që kjo punë të vlerësohet.

“Saktësisht kirurgët po kërkojnë koeficientin 10, nga 5 sa është diskutuar nga ana e Sindikatës, e që aktualisht jemi të ranguar edhe më poshtë”, tha Morina, duke iu referuar koeficientit të pagës.

Ndryshe, për punën që kryejnë mjekët specialistë paguhen me rreth 600 euro në muaj.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha se prej vitit 2010 kur ai udhëheq këtë Federatë, paga e mjekëve është rritur nga rreth 200 euro sa ka qenë në atë kohë, gradualisht në rreth 600 euro.

Ai gjithashtu shtoi se koeficienti 10, që nënkupton pagën deri në rreth 4 mijë euro, nuk i përket standardeve të Kosovës, kur dihet se paga mesatare në Kosovë është rreth 170 euro.

“Kirurgët që janë në grevë, mendoj se janë entuziastë të cilët nuk e dinë realitetin në Kosovë. Kërkojnë pagë deri në 4 mijë euro, e që kjo nuk përket me rritjen ekonomike dhe as me realitetin në Kosovë. Nëse ata mund ta arrijnë këtë përmes Qeverisë, unë do të jem prapa tyre. Por, ata po luftojnë për disa individë, derisa unë si udhëheqës për 14 mijë punëtorë shëndetësorë. Si mundet një kirurg të kërkojë pagë 4 mijë euro, kur paga mesatare në Kosovë është 170 euro”, tha Syla.

Ndërkohë, Arbër Morina thotë se edhe pse janë ndërprerë ndërhyrjet kirurgjike apo operacionet, rastet urgjente po kryhen dhe nuk po cenohet jeta e asnjë pacienti.
“Asnjë rast urgjent nuk ka mbetur pa trajtuar. Janë të ndërprera shërbimet selektive kirurgjike, e që nënkupton që janë ndërprerë 200 operacione ditore në QKUK. Këto operacione nuk janë duke u kryer dhe kjo është pamundësuar për shkak të neglizhencës që po na bëhet”, tha Morina.

Ndërkaq këshilltari për media i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi tha se Qeveria e ka përshëndetur ndërprerjen e grevës nga ana e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.

“Ne jemi duke e përcjellë edhe grevën e kirurgëve në QKUK. Besojmë që menaxhmenti i SHSKUK-së do ta menaxhojë më së miri edhe këtë situatë. Nga ta jemi njoftuar se kanë pasur takime të rregullta dhe po punohet drejt një zgjidhje”, tha Matoshi.

Qeveria pret që grevat në sektorin e shëndetësisë të ndërpriten, në mënyrë që t’i jepet shans dialogut rreth rritjes së pagave, sipas Projektligjit aktual i cili po pret miratimin nga Kuvendi i Kosovë.