Fleckenstein: Dita e liberalizimit të vizave është shumë afër, keni durim

Periskopi.com Lajme

Kosova është duke u përballur me papunësi të lartë, me skemë pensionale jo të qëndrueshme, e po ashtu edhe me financim jo të vazhdueshëm.

Kështu u tha në konferencën “Iniciativa e Dimensionit Social” (IDS) për Ballkanin Perëndimor “Mos përjashtimi i askujt në procesin e integrimeve te BE-së.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se kjo konferencë synon të rrisë dialogun në mes shoqërisë civile, transmeton kp.

“Iniciativa vë theksin në politikat më të mira sociale të punësimit dhe integrimet e tyre në BE që asnjë të mos mbesë prapa. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë bashkëpunim i të gjithëve. Kosova është duke u ballafaquar me një papunësi të lartë, me një skemë pensionale jo të mirë dhe financim jo të vazhdueshëm. Të gjitha këto jemi duke u ballafaquar si ministri. Barazia në mes personave me aftësi të kufizuara është prioritet yni. Ne kemi hartuar tani edhe një koncept dokument vitin e kaluar dhe këtë vit jemi duke bërë një punë të mirë që të fuqizojmë dimensionin social. Qëllimi ynë është ta ndërtojmë atë, duke mbrojtur dhe shtuar barazinë në mes gjeneratave, fëmijëve, grave e burrave”, tha ai.

Knut Fleckenstein, anëtar i Parlamentit Evropian tha se duhet shumë durim në procesin e liberalizimit.

“PE për herë të dytë ka dhënë një votë të qartë dhe besoj se kjo ditë është shumë afër që të ndodhë, pasi e meritoni”, tha ai.

Ndërsa, Elmir Bojaxhiq në emër të ASB-së për Evropën Juglindore, tha se kjo iniciativë është pikësynim global që të tërheqim mbështetjen evropiane për përmirësimin e resurseve njerëzore.

“Kjo bëhet përmes bashkimit të strukturave politike civile të gjithë së bashku. Të shkëmbejmë përvoja mes shteteve duke nxitur erëra të ndryshimit”, tha ai.

Eurodeputeti Fleckenstein: Serbia të mos e pengojë Kosovën në përpjekjet e saj

Periskopi.com Lajme

Kosova duhet të heqë doganat, por edhe Serbia duhet të mos e pengojë Kosovën në përpjekjet e saj, edhe pse nuk e mbështet si shtet, thekson eurodeputeti, Knut Fleckenstein ekskluzivisht për Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Zoti Fleckenstein, qeveria e Kosovës vendosi 100% doganë për produktet serbe dhe boshnjake. Kosova, si reagim ndaj politikës rregullisht bllokuese të Serbisë. Cili është vlerësimi juaj?

Knut Fleckenstein: Bashkëpunimi rajonal në ekonomi është vendimtar. Dogana të reja do të thotë të ecësh gjithmonë një hap mbrapa, në vend që të ecet drejt njëri-tjetrit. Ne i trembemi një ashpërsimi të mëtejshëm të fronteve me doganat e reja, prandaj bëj thirrje, ashtu si e Ngarkuara e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini për vetëpëmbajtje dhe heqjen e doganave nga ana e Kosovës, të cilat shkelin edhe thelbin e marrëveshjes ekonomike, CEFTA. Palët duhet që në dialog të dërgojnë sinjale të paqes dhe bashkëpunimit.

Ka zëra që thonë, se ky hap u ndërmorr nga dëshpërimi a zemërimi për një politikë bllokuese të Serbisë, dhe BE e njeh situatën…

Për shkak të zhgënjimit për refuzimin e anëtarësimit në Interpol, por edhe për shkak të procesit të zvarritur të liberalizimit të vizave, që është për të ardhur keq, nuk duhet të rezultojnë reagime të pamenduara e momentale…

Çfarë po bën BE që situata të stabilizohet?

Bashkësia ndërkombëtare kërkon një Kosovë të stabilizuar, me aftësi duruese, kjo do të kishte efekt pozitiv edhe në procesin e njohjeve të Kosovës si shtet. Por ne presim edhe nga Serbia, që të mos i pengojë përpjekjet e Kosovës drejt një shteti të njohur plotësisht, edhe nëse nuk i mbështet ato. Një fqinjësi e mirë mes të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë është qendrore për paqen në Ballkan. Fillimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë është një sukses historik që i dedikohet Federica Mogherinit. Ne kemi besim në rolin e saj si ndërmjetësuese.

Ngecja dhe zvarritja e proceseve afruese të Kosovës me BE ka shkaktuar një gjendje të mungesës së shpresës në vend, zvarritja e liberalizimit të vizave e shton këtë, megjithëse Kosova i ka plotësuar kushtet…pse nuk bëhet atëherë liberalizimi këtë vit, që me shumë gjasa nuk do të bëhet…

Ende nuk është vendosur përfundimisht, por, nëse liberalizimi i vizave me Kosovën nuk arrihet këtë vit, do të ishte i kuptueshëm zemërimi i madh dhe zhgënjimi në popullsi. Si Komisioni Europian, ashtu edhe Parlamenti Europian pak muaj më vonë kanë dhënë miratimin e tyre për liberalizimin e vizave. Nëse Këshilli i BE, ose thënë ndryshe disa shtete anëtare, nuk e mbështesin këtë pozicion, kjo është tragjike. Arsyet për këtë refuzim janë brenda vetë vendeve refuzuese dhe pjesërisht edhe të një natyre të politikës së brendshme. Vendet anëtare duhet të jenë të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për zhvillimin e Ballkanit. Përparimet e arritura duhet të çojnë tek liberalizimi i vizave, me qëllim që njerëzit aty të mos e humbasin shpresën dhe besimin tek Europa. Edhe vendet anëtare duhet të tregojnë se e mbajnë fjalën.

Në Kosovë thuhet, se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës i ka sjellë më shumë përfitime Serbisë, a mund të çojnë zhgënjime të tilla në zhvillime më të rrezikshme mes dy vendeve?

E njoh këtë shqetësim, me që ra fjala edhe nga pala tjetër, ajo serbe. Askush nuk duhet të gënjejë veten: Vetëm nëse të dyja palët bëjnë progres, dhe arrijnë një zgjidhje përmes dialogut do të ketë një të ardhme të përbashkët brenda Bashkimit Europian.

Zgjedhjet europiane 2019 mund të sjellin shumë ndryshime, nëse forcat e djathta në Parlamentin Europian e rrisin prezencën, a mund të ketë paralizim të proceseve integruese të Ballkanit në BE?

Forcat e djathta, antieuropiane janë forcuar ndjeshëm në vendet e Bashkimit Europoan, e kjo do të reflektohet me shumë gjasa edhe në përbërjen e parlamentit të ri. Por unë pres që edhe pas zgjedhjeve europiane të kemi një mazhorancë të qartë për politikën pro zgjerimit të BE-së.

Të mërkurën u zhvillua debati mbi vendet e Ballkanit në një plenum të vogël në Parlamentin Europian, të enjten pritet miratimi i raporteve për vendet e Ballkanit, cili është vlerësimi juaj për këtë votim?

Debati të mërkurën për raportet mbi vendet e Ballkanit si Serbia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi në thelb merret me prezantimin e gjendjes aktuale në këto vende. Ky debat bazohet në raportet e Komisionit Europian e raportet e progresit përpilohen për të parë, se cilat zhvillime kanë arritur këto vende në kuadër të kualifikimit si vende kandidate të mundshme apo anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian. Ne presim një reagim pozitiv me shumicë në Parlamentin Europian për të gjitha raportet e progresit.

Eurodeputeti gjerman ka një mesazh për vendet që nuk e përkrahin liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Në një intervistë për portalin “European Western Balkans”, deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, i cili poashtu është edhe anëtarit i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe raportues për Shqipërinë, ka deklaruar se kosovarët e meritojnë liberalizimin e vizave. Eurodeputeti porosit vendet e BE’së që të mos shikojnë zgjedhjet e sondazhet, por të vazhdojnë punën në çështjen e liberalizimit të vizave.

Atij iu përmenden raportimet se rreth 10 shtete janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se ky vendim nuk mund të merret brenda këtij viti.

I pyetur se cila është arsyeja e këtyre kundërshtimeve dhe se a e meritojnë kosovarët liberalizimin e vizave, ai deklaroi: “Unë nuk i kam numëruar sa shtete janë kundër. Diskutimi në komision, parlament dhe këshill sapo ka filluar. Të presim dhe të shohim se cili do të jetë rezultati”.

Ndërsa Fleckenstein shprehet i bindur se kosovarët e kanë merituar që t’u hiqen vizat shumë më herët,

“Jam shumë i bindur se populli i Kosovës e meriton liberalizimin e vizave. Ata e kanë merituar këtë edhe më herët. Ata kanë bërë atë që kemi kërkuar prej tyre dhe tash na takon neve që të jemi të besueshëm”, ka shtuar ai.

E, në fund, eurdeputeti gjerman, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të shikoj zgjedhjet, por duhet të vazhdojë punën.

“Sigurisht që nuk mund të garantoj për secilin shtet të Bashkimit Evropian, por nuk duhet që gjithmonë t’i shikojmë sondazhet dhe zgjedhjet, ne duhet ta vazhdojmë punën tonë”. /Express/

 

 

 

Fleckenstein e sheh si alternativë të vetme anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Periskopi.com Lajme

Nuk shikoj alternativë tjetër reale për të ardhmen sesa anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”. Kështu deklaroi sot në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Knut Fleckenstein, i pranishëm në Forumin e Lidhshmërisë, bën të ditur atsh.

“Historia e Bashkimit Europian nisi pas Luftës së Dytë Botërore me 6 shtete, që gjetën rrugë për të zhvilluar lidhshmërinë e tyre. Sot ka 6 vende në Ballkanin Perëndimor që ende nuk janë anëtarë të BE-së. Shtegu më i qartë, është ndërtimi i së ardhmes së bashku edhe nga ana ekonomike, politike e sociale”, tha ai.

Sipas tij, alternativa reale për të ardhmen është anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE.

“Vazhdimisht iu kujtoj kolegëve të mi në Gjermani dhe Parlamentin Europian, se kjo është në interesin tonë. Por ka shumë që mund të arrihet para se anëtarësimi të bëhet realitet. Nëse ky rajon e mendon veten realisht jo si një arkipelag ishujsh, por si një trupë e vetme me forca të qenësishme për ndërlidhjen, këto potenciale mund të zhvillohen”, tha Fleckenstein.

Ai i inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor që ta shohin këtë si një projekt të përbashkët për rajonin.

Duke nënvizuar rëndësinë e ndërlidhjes jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE-në, Fleckenstein solli si shembull rastin që ndodhi në muajin mars të këtij viti, kur sipas tij, “një mëngjes, në mbarë Europën, qytetarët u zgjuan duke parë që ora e tyre digjitale tek e cila varet dhe jeta e tyre e përditshme ishte 6 minuta pas kohës faktike”.

“Kjo çështje ishte e lidhur me mosmarrëveshjen energjetike Kosovë-Serbi dhe kishte efekt në rrjetin energjetik të mbarë Europës, i cili ndikon në orët elektronike që janë të lidhura me këtë rrjet. Pra ne jemi të lidhur në rutinën tonë të përditshme me Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Ndërkohë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, “duhet të kuptojnë potencialin ekonomik që ekziston në këtë rajon, duke formuar një hapësirë më të unifikuar ekonomike”.

 

​Fleckenstein: S’ka përzierje të BE-së, t’i lëmë Thaçin dhe Vuçiq të bëjnë punën e tyre

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Parlamentit evropian Knut Fleckenstein tha sot se Bashkimi Evropian nuk dëshiron të ketë konflikt në komunitetin e tyre dhe se çështja e Kosovës është e rëndësishme, por BE nuk duhet të përzihet.

“Çështja e Kosovës është e rëndësishme, se si të jetojmë në BE, nëse ne nuk do të dimë si të vendosim marrëdhëniet me fqinjët. Ne kemi menduar që Qiproja të hyjë pasi kemi menduar se do ta zgjidhnim problemin me Turqinë, por nuk ndodhi kështu. Andaj, kjo është përvoja jonë se probleme të tilla duhet të zgjidhen”, tha ai.

Fleckenstein theksoi se Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur problemet e tyre.

“Jam i vetëdijshëm se ky është një problem i madh, por nuk ka nevojë të përzihemi. Unë kam respekt të madh për kryetarët Vuçiq dhe Thaçi, të cilët dëshirojnë të gjejnë zgjidhje dhe duhet t’i lëmë ta bëjnë punën e tyre, të mos komentojmë dhe kritikojmë çdo fjalë që ata thonë. Kjo është një çështje shumë e vështirë për Serbinë dhe Kosovën, le të le të bëjnë punën, nëse ka ndonjë propozim për të dëgjuar.

Këshilla ime është, le ta bëjnë punën e tyre të vështirë dhe pastaj të shohim se rezultati mund të arrihet, por jo të bëjmë rekomandime paraprakisht. Mendoj se kjo nuk është etike, nuk do të doja të ndryshoja pozicionin tim me ta”, ka thënë ai për televizionin N1.

PSD takohet me socialdemokratët evropianë

Periskopi.com Lajme

Në kuadër të një vizite në Bruksel, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, nënkryetari Visar Ymeri dhe shefi i Grupit Parlamentar Dardan Sejdiu, takuan eurodeputetë nga grupi socialist i Parlamentit Evropian.

Në takimin me eurodeputetin nga Gjermania dhe kordinatorin për punë të jashtme Knut Fleckenstein, eurodeputetin nga Rumania dhe nënkryetarin e PE-së Victor Boștinaru dhe eurodeputeten nga Sllovenia, Tanja Fajon, njëherit raportuse e PE-së për liberalizim të vizave, përfaqësuesit e PSD-së njoftuan mbi zhvillimet politike dhe gjendjen aktuale në Kosovë, duke theksuar brishtësinë e qeverisë së tanishme.

Eurodeputetët u njoftuan tutje për orientimet ideologjike dhe programore të PSD-së, e cila angazhohet për drejtësi, barazi, zhvillim të qendrueshëm dhe për një Republikë të qytetarëve, në të cilën do të tejkalohen ndasitë etnike.

Me theks të veçantë në këtë takim u bashkëbisedua edhe për dialogun me Serbine dhe nevojen për mbikëqyrje parlamentare të këtij procesi që ka hyrë në fazën përfundimtare, me ç’rast u potencuan rreziqet serioze për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, delegacioni nga PSD theksoi rrezikun për zbehje të ndjenjës proevropiane në Kosovë nëse BE nuk sjell rezultate konkrete në lidhje me premtimet e dhëna nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë proces.

Deputetët evropianë shprehen mirëpritjen e tyre karshi krijimit të PSD-së, duke theksuar se Partia Socialiste Evropiane (PSE) ka qenë qe një kohë në kërkim të një partneri të besueshëm në Kosovë, me të cilin do të mund të punojë në terma afatgjatë. Ata shprehën përkrahjen e tyre të parazervë për PSD-në dhe kërkuan përkrahjen e PSD-së për të avancuar agjendën evropiane në Kosovë.

Në fund, palët u pajtuan për një dialog të strukturuar midis PSE-së dhe PSD-së në shtator, i fokusuar në prioritetet e përbashkëta si dhe pritjet dhe qëllimet e dy palëve në lidhje me bashkëpunimin afatgjatë midis tyre.