Incident në Beograd: Daçiq sulmon komisionarin e BE-së për Zgjerim, e detyron ta lëshojë takimin

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shkaktuar një incident në Beograd, të enjten.Shefi i diplomacisë serbe e ka sulmuar komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Të paktën kështu raporton gazeta e atjeshme “Blic”, e cila, sikurse shumë të tjera, kontrollohet nga pushteti, përkatësisht presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas “Blic”, Daçiq e ka detyruar komisionarin evropian që ta lëshojë takimin që po e zhvillonte me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe me ministrat e kabinetit të saj.

Gazeta beogradase shkruan se Daçiq e ka sulmuar në mënyrë verbale mysafirin nga Brukseli, duke e shtyrë atë të largohej nga salla.Një orë para se Daçiq të inkuadrohej në takimin me Varhelyin, biseda e qeveritarëve të tjerë serbë me të po zhvillohej normalisht, shkruan “Blic”.

E përditshmja e Beogradit pohon se në një moment Daçiq ka marrë fjalën dhe ka nisur ta sulmojë me fjalë komisionarin hungarez.Varhelyi raportohet të jetë ndier në siklet, teksa Daçiq e ka porositur të mos e hapë gojën për manastiret serbe në Kosovë dhe për tarifën e vënë nga Kosova ndaj mallrave nga Serbia.

Gazeta beogradase është thirrur në burimet e veta, brenda takimit.