“Bllokimi i miellit të Kosovës nga Shqipëria u bë për shkak të konkurrencës”

Periskopi.com +18

Barrierat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë vazhdojnë të mbeten probleme që pengojnë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy vendeve.

Autoritetet në Shqipëri së fundi kanë bllokuar 30 tonë miell gruri të ardhur nga Kosova. Bllokimi thuhet se është bërë në kuadër të masave të përforcuara për sigurinë e cilësinë ushqimore, të produkteve që importohen.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, nuk janë prononcuar rreth kësaj çështje.

Por, që sipas përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve kjo ndalesë nuk ka të bëjë me cilësinë e miellit, por për shkak të konkurrencës.

Muhamet Ferizi, kryetar i kësaj Shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se mielli i Kosovës është cilësorë dhe plotëson standardet.

“Pas luftës në Kosovë është hapur tregu i Shqipërisë për produktin e miellit dhe ata e panë rrezikun nga konkurrenca, për atë edhe bëjnë ndalesa të tilla. Edhe pse ekziston marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA, Shqipëria ka miratuar edhe një vendim tjetër për produktin e miellit, e që ai vendim nuk ka të bëjë as me standardet tona, e as të Shqipërisë, e as të Bashkimit Evropian. Niveli i proteinës që rezultoi të ishte në miell mbi 11 për qind, ne themi se i plotëson standardet, por Shqipëria thirret në vendimet e tyre vetëm që të mos të kenë konkurrencë. Ne kemi biseduar, por bisedat nuk kanë dhënë efekt”, thotë Ferizi.

Barrierat që Shqipëria ka vendosur për produktin e miellit, thotë Ferizi, janë të vazhdueshme dhe se vështirë se mund të bëhet një zgjidhje.

“Këtë pengesë që kemi do ta kemi përsëri pasi që bisedat e përfaqësuesve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë korrekte. Kosova duhet të veprojë me masa të ngjashme dhe të ndalojë produktet e Shqipërisë në tregun e Kosovës”, thotë Ferizi.

Në anën tjetër, Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tha për Radion Evropa e Lirë se në tregtinë ndërkombëtare duhet të respektohen rregullat dhe cilësia për të cilat dakordohen pjesëmarrësit në atë marrëdhënie tregtare.

Sipas tij, nëse cilësia nuk ka qenë në nivelin e duhur bëhet edhe refuzimi, por nëse bëhet për qëllime të tjera, atëherë është shkelje tregtare.

“Në marrëdhëniet tregtare duhet të ketë korrektësi dhe duhet të përmbushen obligimet që dalin nga marrëveshja tregtare. Por, nëse Shoqata e Mullisëve ka deklaruar se mielli që e ka pasur për dedikim tregun e Shqipërisë ka qenë i cilësisë së duhur dhe shteti shqiptar e ka refuzuar dhe ka krijuar pengesë në tregtimin e këtij malli, atëherë kjo është e papranueshme”, thotë Keqa.

Ai thotë se edhe përkundër marrëveshjeve dhe takimeve të shpeshta të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, barriera tregtare ka shumë mes dy vendeve.

Kosova dhe Shqipëria, shton ai, do të duhej të intensifikonin raportet tregtare.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një treg të përbashkët, një treg të lirë dhe edhe pengesat më të vogla që dalin gjatë tregtimit, ato duhet të eliminohen dhe të dy shtet të zhvillohen në aspektin tregtar dhe ekonomik”, thotë Keqa.

Shqipëria, jo rrallë herë ka vendosur barriera tregtare prodhimeve kosovare, duke dëmtuar kështu ekonominë e Kosovës.

Ndërkohë, për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore.

Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik.

Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë së fundi po planifikojnë të liberalizojnë lëvizjen e mallrave dhe unifikimin e doganave. Për këtë çështje, të dy qeveritë janë duke harmonizuar dokumentacionet e nevojshme për mallrat që qarkullojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas procedurave të reja që janë në përgatitje e sipër, planifikohet që të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve.

Presidenti Thaçi në kombajë, nis sezonin e korrje-shirjeve në Ferizaj (VIDEO)

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar fermerin Xhevat Uka në fshatin Prelez i Jerlive të Komunës së Ferizajt.

Ai me këtë rast ka nisur edhe korrje shirjet, duke hipur në kombajë dhe e vozitur atë.

Thaçi pasi ia dha një rënd tokës bujqësore me kombajë tha se gjendet aty për të uruar të gjithë fermerët për fillimin e sezones së korrje shirjeve.

“Jam këtu për të uruar Xhevatin dhe gjithë bujqit për fillimin e korrje shirjeve. Kam besim të plotë se do të jetë një sezon i mbarë pavarësisht reshjeve të shumta, por shihet një angazhim i shtuar i fermerëve. Si institucione dhe si president e kam parë të udhës me qenë pranë tyre, me i ofru mbështetje për të plotësuar kërkesat e tyre. Ka shumë rëndësi kjo sezonë, rendimentet të jenë të mira, të standardëve të mira në sasi të viteve të kaluara. Urojë të gjithë fermerët, bujqit për këtë sezonë”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, Fermeri Xhevat Uka është kultivues i rreth 300 hektarëve me grurë dhe rreth 200 hektarëve me misër.

https://www.facebook.com/kosovapress/videos/672117613152397/

Në Ferizaj nis fushata e korrje-shirjeve, afër 4 mijë hektarë me grurë

Periskopi.com Lajme

Sot edhe zyrtarisht ka filluar fushata e korrje-shirjeve në Dardani të Komunës së Ferizajt.

Nga afër këtë fushatë e ka ndjekur edhe kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami.

Me këtë rast, Aliu, ka uruar bujqit ferizajas për fillimin e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2018, pavarësisht asaj që rendimente e grurit janë të pakta për shkak edhe të kushteve atmosferike që kanë mbretëruar në Komunën tonë.

“Kishim një fatkeqësi natyrore të përcjellë me të reshura të shumta, tashmë e dini se të gjitha statistikat flasin që Ferizaj, është qyteti me më së shumti të reshura në nivel të Republikës së Kosovës, por nuk ishte vetëm kjo që bëri dëme, ne kishim edhe stuhi, kishim edhe erëra të fuqishme dhe këtu përfshinë një masë mbi 60 për qind të territorit të Komunës së Ferizajt. Edhe këtu ku jemi sot, kemi pasur këtë atakim nga stuhitë dhe të reshurat dhe sigurisht se rendimentet do të jenë më të dobëta dhe ne presim që sivjet bujqit tanë të kenë rendimente deri në 16 mijë ton në Komunën e Ferizajt, që do të plotësojë 70 për qind të nevojave të konsumit të qytetarëve tanë, në një sipërfaqe prej afër 4 mijë hektarë”, ka thënë Aliu, transmeton kp.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur se qeveria lokale e Ferizajt, do të ketë një kujdes të veçantë për bujqit.

“Edhe sot jemi këtu pikërisht që të shohim nga afër dhe të dëshmoj që do të jemi afër bujqve, thjesht ata që më së shumti jetojnë me punën e tyre janë bujqit dhe jo rastësisht bujqësia është një nga degët që gjithmonë është lënë anash dhe është puna më sektorin e bujqësisë”, është shprehur ai.

Ndërsa drejtori i bujqësisë, Burim Bajrami, është shprehur se në Komunën e Ferizajt, janë të mbjella 3950 hektarë me kulturë të grurit, ndërsa janë angazhuar 100 autokombajna.

“Çmimi për një hektarë korrje nga autokombajnat është 100 euro, ky çmim ndryshon varësisht prej autokombajnave me pronarët e tokave, nuk kemi ndikim shumë por, si rekomandim prej Ministrisë së Bujqësisë ka ardhur që ky çmim të jetë 100 euro”, është shprehur drejtori Bajrami. E nga ana tjetër, Elez Sallahu, është shprehur se gjatë këtij viti nuk ka pasur rendimente të kënaqshme të grurit, për shkak të motit të lig që ka mbretëruar. “Rendimenti nuk është i kënaqshëm për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, por edhe cilësia e grurit nuk është e mirë dhe ka humbje të mëdha, megjithëse rendimentet të na shkojnë me një tonazh afër 4 ton”, ka thënë Sallahu.

Fushata e korrje-shirjeve pritet të përfundojë brenda tri jave, nëse mban mot i mirë dhe pa reshje atmosferike.