KQZ-ja me njoftim të rëndësishëm për pagesat e të angazhuarave në zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi për Ekonomia Online se ka persona që ende për arsye të ndryshme nuk i kanë marrë mjetet që u takojnë.

Ai ka listuar disa nga arsyet se pse ende nuk janë paguar këta persona.

“Ka persona që nuk i ka marrë akoma mjetet që i takojnë për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale. Në raste të tilla, këta persona duhet të komunikojnë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve për të paraqitur përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta ridërgojmë për pagesë”, tha ai për EO.

“Numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 22 mijë e 500. Nga ky numër vetëm 500 raste kemi pasur kur mjetet janë kthyer për ndonjërën nga arsyet e lartcekura. Shumë prej tyre janë ridërguar sërish për pagesë”.

Ndërkaq sa i përket listët me emrat e personave të angazhuar si staf ditor në QNR, Elezi tha se lista do të përcillet për në Ministrinë e Financave gjatë javës së ardhshme.

“Gjithashtu, listat me personat e angazhuar si staf ditor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si dhe listat me personat e angazhuar në dërgimin e rezultateve nga Qendrat e Votimit – do t’i përcjellim për pagesë në Ministrinë e Financave gjatë javës që vjen”, tha ai.

 

Shifra interesante nga KQZ: LDK e VV harxhuan më së shumti për zgjedhjet e 6 tetorit

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar sot raportet financiare që partitë politike kanë shpenzuar për fushatën e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit.

Në bazë të raporteve të publikuara del se LDK ka shpenzuar më së shumti, gjithsej 730,146,87 euro, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 451,979,85 euro. E treta për nga shpenzimet del të jetë koalicioni në mes AAK-së dhe PSD me 346,544,15 euro. PDK për fushatë zgjedhore ka shpenzuar 316,346,32 euro, Lista Serbe 26,652,31 euro, ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD ka shpenzuar 115,863,80 euro.

Shpenzimet e partive politike që kanë siguruar ulëse në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës:

Lëvizja Vetëvendosje 451,979.85

Lidhja Demokratike e Kosovës 730,146.87

Partia Demokratike e Kosovës 316,346,32

AAK-PSD 346,544,15

Nisma-AKR-PD 115,863,80

SRPSKA LISTA 26,652.31

Kujtojmë se zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor dhe partia e parë nga këto zgjedhje ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK. Partia e tretë ka dalë PDK, ndërsa e katërta AAK-PSD. Në vendin e pestë është renditur Lista Serbe, kurse koalicioni Nisma-AKR-PD në vendin e gjashtë.

Kuvendi i ri i Kosovës nuk është konstituuar ende, pasi ndërkohë vazhdojnë bisedimet për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këtë javë u dalin pagesat  personave të angazhuar në zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Gjatë kësaj jave pritet që të përmbyllet procesi i pagesës për rreth 22 mijë e 500 persona të angazhuar në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se kanë proceduar për në ministrinë e Financave, listën e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit. Besojmë se gjatë këtyre dy tre ditëve do të përmbyllet transferimi i mjeteve nëpër llogaritë përkatëse”, tha ai pë EO.

Ai ka sqaruar se ka raste kur mjetet janë kthyer për shkak të gabimeve si shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale.

“Sikurse në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje po kemi raste kur mjetet kthehen, çka do të thotë se pagesa nuk bëhet. Arsyet janë të ndryshme dhe të cilat kryesisht kanë të bëjnë me: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale”.

Elezi tha se të gjithë ata që kanë ankesa duhet që t’i drejtohen Komisionit Komunale të Zgjedhjeve.

“Çdo person, të cilit nuk i kanë dal mjetet, duhet të komunikojë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve. Aty duhet të paraqesë përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta riprocedojmë/ridërgojmë për pagesë”.

Keqpërdorimet në zgjedhje, prinë rastet për fotografim dhe keqpërdorim të votës

Periskopi.com Lajme

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura me 6 tetor u vlerësuan nga Bashkimi Evropian si zgjedhjet më demokratike në vend, me përjashtim të disa manipulimeve dhe keqpërdorimeve të votave.Manipulimet dolën në “shesh” në kohën e numërimit të votave.

Shumë vendvotime shkuan në rinumërim shkak i parregullsive dhe manipulimeve me formularët.Të arrestuarit kryesisht po akuzohen për fotografim të votës dhe keqpërdorim të drejtës së votimit, por ka edhe raste të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Këtë po e thonë edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Gzim Shala nga ky Institut tha se vetëm në ditën e zgjedhjeve janë arrestuar 20 persona, 7 prej tyre në komunën e Pejës.

“Sa i përket procesit pasi rezultate kanë filluar të numërohen këtu janë parë një sërë manipulimesh dhe dyshimesh të cilat kanë dalë në publik, sa i përket aspektit të angazhimit të prokurorit të shtetit në ditën e zgjedhjeve në këtë ditë kemi pasur gjithsej 20 persona që janë arrestuar me urdhër të prokurorit të shteti ku numri më i madh i tyre kanë qenë në komunën e Pejës përkatësisht kemi pasur 7 persona të arrestuar. Karakteristikë është që dy personave në komunën e Mitrovicës të cilët janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe të gjithë të arrestuarit e tjerë janë kryesisht për fotografim të votës dhe për keqpërdorim të drejtës së votimit duke pasë parasysh edhe disa raste të cilat janë për pengim të procesit të votimit”.

IKD-ja gjatë monitorimit në Gjykatën Themelore të Gjakovës tregoi se janë trajtuar 4 raste që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Sipas Shalës dy prej tyre janë në proces të rregullt.

“Nga monitorimi ne kemi parë që në gjykatën themelore në Gjakovë janë trajtuar 4 raste që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit dhe ato raste janë trajtuar sipas raporteve ligjore. Dy prej këtyre rasteve janë në proces të rregullt gjyqësor sipas afateve ligjore deri sa dy prej këtyre rasteve kanë përfunduar në një periudhë sipas afateve ligjore, kemi dy aktgjykime ligjore që palët kanë pranuar fajësinë”.Shala shtoi se është e domosdoshme që të bëhet reformë zgjedhore derisa tha se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i fokusuar në trajtimin e rasteve.“Është e domosdoshme që fillimisht të ndodhë edhe reforma zgjedhore nga partitë politike dhe të shfaqin vullnet për të proceduar më tutje me reformën zgjedhore në mënyrë që të eliminohen të gjitha problemet të cilat kanë ndodhur në të kaluarën. E dyta është që Prokurori i Shtetit dhe sistemi drejtësisë të jenë më të fokusuar në kohën para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve në mënyrë që luftimi i këtyre dukurive të jetë sa më gjithëpërfshirës”.

“Por një fakt tjetër është edhe trajtimi i rasteve nga sistemi i drejtësisë, trajnimi me vonesë i këtyre rasteve e humb edhe vet kuptimin e ndjekjes dhe gjykimit të veprave penale derisa edhe politika ndëshkimore në këto raste ka qenë kryesisht dënimi me kusht dhe politika ndëshkimore duhet të jetë në përputhje të plotë me udhëzuesin e gjykatës supreme për politikë ndëshkimore në mënyrë që parandalohen edhe personat e tjerë në kryerjen e kësaj dukurie dhe në momentin kur i bashkojmë këtë tri aspekte atëherë do të kemi një pasqyrë të përgjithshme që në mënyrë meritore të parandalohen të gjitha dukuritë”, shtoi ai, raporton EO.

Ndërsa avokati Tomë Gashi për Ekonomia Online tha se rastet e shkeljeve të rregullave zgjedhore procedohen si raste të rregullta dhe rrallë herë dikush arrestohet apo paraburgoset për çështje të tilla dhe pse ka ndalime për një periudhë kohore.

“Edhe në shtetet më demokratike në botë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme ka raste të shkeljeve ligjore në procedurat e zgjedhjeve. Besoj që edhe në Kosovë kjo ka ndodhur, por jo në masë të madhe dhe sigurisht që është çështje e policisë, por edhe Prokurorisë së Kosovës që t’i identifikoj personat e tillë të cilët kanë bërë shkelje gjatë fazës zgjedhore në Kosovë dhe me siguri do të ngritën edhe aktakuza kundër tyre, por besoj që ende nuk është një njoftim se mund të kemi të akuzuar dhe deri më tani nuk kemi ditur numrin e atyre që janë të dyshuar. Besoj që këto shkojnë si procedura të rregullta dhe rrallë herë dikush arrestohet apo paraburgoset për çështje të tilla dhe pse ka ndalime për një periudhë kohore”.

Gashi beson se shumë shpejt do të bëhen publike rastet dhe personat që kanë shkelë rregullat zgjedhore. Megjithatë thotë se numri nuk mund të jetë i madh krahasuar me vitet e kaluara.

“Kjo është çështje e ditëve dhe e javëve që këta numra të bëhen publike se sa ka qenë numri i atyre që i kanë shkel rregullat zgjedhore në Kosovë. Nuk është një numër i frikshëm apo i madh se më herët kemi pasur një numër jashtëzakonisht të madh apo kemi pasur shkelje të mëdha që janë identifikuar dhe për këtë arsye Prokuroria e Shtetit ka caktuar një koordinator i cili është marrë me çështje të tilla dhe kohën e fundit apo zgjedhjet e fundit kemi pasur prokurorë jashtëzakonisht të aftë që së bashku me policinë e Kosovës janë identifikuar gjithmonë ata që kanë shkel rregulla”, tha Gashi për Ekonomia Online

KQZ e njofton zyrtarisht Thaçin për certifkimin e zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot zyrtarisht e ka njoftuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi me rezultatet zgjedhore të 6 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se gjatë ditës së sotme presidentit i është dërguar shkresa njoftuese e rezultateve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar presidentin e Republikës së Kosovës Thaçi lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur me datë 6 tetor”, tha ai.

Elezi bëri të ditur se presidentit i është dërguar edhe një kopje e rezultateve të certifikuara edhe për kandidatët për deputetë që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

“Së bashku me shkresën njoftuese Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bashkangjitur edhe një kopje të rezultateve të certifikuara. Pra, për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka bërë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

KQZ certifikon sot rezultatet e zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Supreme, përmes të cilit është refuzuar ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e  392 pakot e ardhura me vonesë nga diaspora, i është hapur rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, shkruan Periskopi.

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 6 tetor 2019.

Kështu ka konfirmuar për Persikopin zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

“Sot në orën 16:00 mbahet mbledhja e KQZ me të vetmen pikë të rendit të ditës certifikimi I rezultatit përfundimtar për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit”, tha Elezi./Periskopi/

Pas ankesës së Vetëvendosjes në Supreme, KQZ nuk mund t’i publikojë rezultatet përfundimtare

Periskopi.com Lajme

Pas përfundimit të rinumërimit të 1409 vendvotimeve, KQZ-ja nuk do të mund t’i shpall rezultatet përfundimtare deri në një vendim nga Gjykatës Supreme.

Kjo për shkak se Lëvizja Vetëvendosje ka parashtruar një ankesë në Gjykatën Supreme, ndaj vendimit të një dite më parë të PZAP-së.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se si pasojë e kësaj, pas procesit të rinumërimit, KQZ nuk mund t’i publikojë në këtë fazë rezultatet.

“Më lejoni t’iu informoj se kemi marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar ankesë ndaj vendimit të një dite më herët të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, prandaj, rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojmë në këtë fazë”, ka thënë Elezi.

Rezultatet do të publikohen pas një vendimi nga Supremja.

“Rezultatet nuk mund të publikohen pa një konfirmim, në këtë rast nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim”.

KQZ tregon kur publikohen rezultatet pas rinumërimit

Periskopi.com Uncategorized

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret afatin ligjor nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit.

Kështu ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Rinumërimi është përmbyllur në orën 14:00 të ditës së diele, prandaj duhet të presim afatin ligjor 24 orësh nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit”, ka thënë ai.

Përndryshe, në QNR së fundmi janë rinumëruar 1407 vendvotime, nga të cilat përfaqësuesit e koalicionit Nisma-AKR, thonë se iu mundësohet hyrja në Kuvendin e Kosovës

KQZ nesër i publikon rezultatet e rinumërimit

Periskopi.com Lajme

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1408 vendvotimeve, pë të cilat kishte marrë vendim Paneli Zgjedhor për Ankeca dhe Parashtresa.

Procesi i rinumërimit të këtyre vendvotimeve ka përfunduar në ditën e 12-të.

Sipas Valmir Elezit brenda 24 orëve mund ta paraqiten ankesat në PZAP, ndërsa publikimi i rezultateve në faqen e KQZ-së pritet të bëhet më së largu ditën e nesërme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para certifikimit të rezultatit përfundimtar merr konfirmimin nga PZAP dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje në zhvillim.

Berisha: PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive

Periskopi.com Lajme

Janë bërë më shumë se 6 javë nga përfundimi i zgjedhjeve dhe ende nuk ka certifikim të rezultateve. Kjo për shkak të disa parregullsive që u evidentuan gjatë procesit të numërimit. Por edhe problemeve në formularët e prodhuar nga KQZ-ja.

E krejt këto kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hysen Berisha, po i vlerëson si elemente që lënduan tërë procesin zgjedhor.

Në një intervistë për EkonomiaOnline, Berisha thotë se institucionet e dala si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit nga një proces i tillë i deformuar nuk do të jenë kredibile.

“Procesi i numërimit, pastaj gjetjet të cilat janë prezantuar vet nga kryetarja e KQZ-së znj. Daka, flasin për një proces të penalizuar, ngase ato që ajo ka adresuar, qofshin formularët e prodhuar gabim, qofshin veprimet e komisionerëve që kanë dëmtuar shumë vota. 40 mijë vota pothuajse janë votat e një partie më kalua pragun, por edhe qofshin veprimet e liderëve lokalë, të degëve të partive ndryshme, organizimin e komisionerëve për dëmtimin e votës, si elemente të penalizuara atëherë e sjellin në pikëpyetje edhe vet kredibilitetin e institucioneve që do të ndërtohen nga këto zgjedhje”, thotë si.

Pavarësisht ngjarjeve që ndodhen gjatë procesit të numërimit e rinumërimit, Hyseni thotë se partia nga ai vjen dëshiron që sa më shpejt të themelohen institucionet e reja.Dhe për këtë thotë se nëse VV-së dhe LDK-së u duhet vota e tyre janë të gatshëm t’ia japin.

“Ne si subjekt kemi qëndrimin tonë në qoftë se vjen të ngërçi për numër simbolik votash brenda parlamentit, kryetari i PDK-së ka deklaruar se nëse vjen për një votë unë do të përkrah vetëm bëni institucionet. Unë personalisht mendoj se këto institucione duhet të bëhen. Do të provojmë të jemi opozitë konstruktive, ta mbështesim procesin politik në të gjitha temat e përbashkëta që janë të hapura për tërë Kosovën dhe kuptohet të bëjmë politikë opozitare ndaj temave që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe çështje tjera të mirëqenies së qytetarëve brenda Kosovës”, thotë ai.

Berisha paralajmëroi se do të qëndrojnë stoik në respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se do të përkrahin vetëm një marrëveshje të mundshme me Serbinë, e cila garanton kufijtë me të cilët Kosova u njoh nga më shumë se 100 shtete të botës.

Thotë se tendenca për korrigjim kufijsh qon në zhvillime të papritura në tërë Ballkanin.

“Bisedimet me Serbinë me objektivin që të ketë ndryshim kufijsh, korrigjime, shkëmbime, etj, tema që janë lansuar si thashetheme publike, përderisa për këto nuk ka një qëndrim të prerë të ShBA-së që janë sponsor i luftës, lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Unë i konsideroj të gjitha këto tendenca për ta devijuar Kosovën nga kompromisi i madh që ka arritur për Kosovën shtet të pavarur me diçka që do ta zhbënte Kosovën si shtet. Pastaj hapja e këtyre temave, do ta qojë edhe regjionin në zhvillime të tjera që nuk do të kursejnë më asnjë vend të fqinjëve të shqiptarëve”, thotë ai.

Ish-komandanti i luftës së Koshares, në këtë intervistë për EkonomiaOnline ka komentuar edhe nismën e vendeve fqinje për formimin e një platforme të quajtur Mini-shengen.Ai këtë ide po e konsideron të rrezikshme dhe në dëm të Kosovës.

“Tendenca për të krijuar union të rinj shtetesh që po e quajnë tani mini-shengen, janë një revansh ndaj mbylljes që e deklaroi presidenti francez Macron. Shtetet nismëtare të këtij mini-shengeni duke dështuar të përmbushin obligimet standardet me të cilat mund të jenë pjesë e Evropës hapën një temë të re tash të krijimit të një mini-shengeni i cili do të përfshinte vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën”, thotë ai.

Berisha thotë se pa njohjen nga Serbia, përfaqësimi i Kosovës në këtë platformë është e pamundur dhe për këtë po e fajëson edhe kryeministrin shqiptar Edi Ramën.

“Kosova dhe Serbia ta rregullojnë raportin shtetëror në mes vete pra Serbia duhet ta njoh Kosovën si shtet ose Kosova duhet të heq dorë nga shtetësia e vet dhe t’i bashkohet Serbisë ose Shqipërisë përndryshe nuk ka shanse të jetë palë nënshkruese në një kohë që ajo nuk e njeh fare si shtet dhe e ka si pjesë të vetën, dhe një fazë që po e prezantojnë dhe që mund të jetë edhe fiktive Kosova nuk figuron fare dhe del kryeministri i Shqipërisë dhe na flet me teorinë e domateve se si Kosova duhet të jetë dhe si Kosova po vet izolohet”, thotë ai.

Mini-shengeni po kundërshtohet nga të gjithë liderët politikë në vend.

Rinumërimi përfundon sot

Periskopi.com Lajme

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet të përfundojë sot procesi i rinumërimit të 1,407 vendvotimeve, të cilat hynë në rinumërim pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, për Periskopin ka thënë se ky proces do të përfundojë gjatë ditës së sotme.

“Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotime sipas vendimit të PZAP-it do të përfundonë sot (e diele). Janë vetëm edhe 37 vendvotime që do të rinumërohen sot.”, u shprehë ai.

Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit. Mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, prej orës 08:00 deri në mesnatë, ishte rreth 130.

Ndërkaq dje është njoftuar se më 12 nëntor, në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora. Për këto, Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP, me pretendimin se edhe ato duhet të pranohen siç u pranuan edhe votat e mëparshme që erdhën me vonesë nga jashtë. Me vendim të Gjykatës Supreme, ato u pranuan dhe u numëruan.

PZAP-ja pritet që deri të hënën të vendos rreth këtyre votave para se të certifikohet rezultati final i zgjedhjeve që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

KQZ deklarohet për 392 pakot me fletëvotime nga diaspora

Periskopi.com Lajme

Pas gati dy muajsh,  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar edhe 392 pako fletëvotime nga diaspora.

Lajmin pë Periskopin e ka konfirmuar zyrtari i KQZ-së për Informim, Valmir Elezi, i cili ka thënë se lidhur me pakot në fjalë, është informuar edhe PZAP-ja.

“Mund ta konfirmoj se KQZ-ja i ka kthyer përgjigje PZAP-së, ku i kemi shpjeguar si qëndron puna me këto pako që janë pranuar më 12 nëntor. Nuk kemi diçka tjetër tani”.

Periskopi ka siguruar dokumentin e ankesës së Vetëvendosjes, përmes së cilës përmend edhe vendimin e 30 tetorit nga Gjykata Supreme që të numërohen 4639 pako me fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

‘’Mos numërimi i këtyre fletëvotimeve nga ana e sekretariatit të KQZ’së, për mos verifikim dhe mos numërim të 392 pakove të fletëvotimeve të dërguara me postë brenda afateve ligjore, nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit, përbën veprim kundërligjor dhe kundërkushtetues’’, thuhet në ankesën e VV’së.

Periskopi ka tentuar të kontaktojë edhe me dikë nga KQZ, por nuk ka marrë përgjigje

Vetëvendosje edhe para disa javësh kishte shprehur ankesë në Gjykatën Supreme në mënyrë që të numëroheshin të gjitha votat e ardhura nga diaspora. Si rezultat, kjo gjykatë kishte aprovuar kërkesën e tyre.

Aktualisht, Qendra e Numërimit të votave po rinumëron votat e kontestuara, ndërsa pritet që të hënën të përfundojë ky proces. KQZ ka paralajmëruar se me certifikim do të dalin gjatë javës së ardhshme, por nëse vendoset për numërimin edhe të këtyre 392 votave, ky proces do të vazhdojë të zvarritet.

Rinumërohen 88.13% e vendvotimeve

Periskopi.com Lajme

Në Qendrën e Numërimit dhe rezultateve po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në ditën e dhjetë (e premte) në QNR janë rinumëruar edhe 138 vendvotime të tjera.

Ai ka thënë se numri i përgjithshëm i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani është 1240 vendvotime apo 88.13%, ndërsa, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 167 vendvotime të tjera.

KQZ përfundon të dielën rinumërimin

Zana Rugova Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka më shumë se një javë që ka filluar me rinumërimin e 1472 vendvotimeve pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan Periskopi.

Deri tani janë rinumëruar votat e mbi 1000 kutive apo afro 80% të vendvotimeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një përgjigje për Periskopin ka sqaruar se kur do të përfundojë rinumërimi. Sipas tij, KQZ ka kaluar pritshmëritë e tyre dhe del se rinumërimi do të përfundojë një ditë para kohës së planifikuar.

‘’Po besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces dhe sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i’’, tha Elezi.

Tutje, ai shton se kanë mbetur edhe 438 vendvotime të pa rinumëruara deri tani ndërsa të dielën pritet të përfundojë i gjithë procesi i rinumërimit.

‘’Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën. Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime’’, përfundon Elezi nga KQZ.

Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kishte vendosur për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PZAP kishte vendosur për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, kishte vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia. /Periskopi/

KQZ: Edhe 35.5 për qind të votave kanë mbetur për rinumërim

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe 35.82 për qind të votave të kontestuara pa u rinumëruar, transmeton Periskopi.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi në një njoftim për Periskopin ka thënë se veç sot janë rinumëruar 63 vendvotime.

‘’Edhe 63 vendvotime të tjera janë rinumëruar gjatë ditës së sotme, deri në orën 16, sipas vendimit të PZAP-it. Pra, në total numri i vendvotimeve të rinumëruara është 903. Kanë mbetur edhe 504 vendvotime për t’u rinumëruar apo 35.82%’’.

Ndryshe pritet që Komisioni Qendror Zgjedhor të bëjë certifikimin e rezultateve të gjashtë tetorit pasi të bëhet rinumërimi i kutive për të cilat ka vendosur PZAP dhe pas njoftimit për vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që i shfaqën subjektet politike.

Deri të hënën e ardhshme pritet që të përmbyllet procesi i rinumërimit të 130 vendvotimeve./PERISKOPI/

 

Rinumërohen 60 përqind e votave

Periskopi.com Uncategorized

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhdua  procesi i  rinumërimit të 1400 vendvotimeve, për të cilat vendosi Paneli Zgjedhor për Ankesa.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se gjatë ditës së djeshme janë rinumëruar 68 vendvotime.

Në përgjithësi, nga totali i vendvotimeve janë rinumëruar 840 vendvotime.

“Procesi i rinumërimit sipas vendimit të PZAP-it po vazhdon dhe vetëm gjatë ditës së martë janë rinumëruar 68 vendvotime. Në përgjithësi, deri më tani në ditën e 7 janë rinumëruar 840 vendvotime apo rreth 60%”, ka bërë të ditur Elezi.

PZAP ditë më parë ka vendosur që mbi 1400 vendvotime të shkojnë në rinumërim,  proces ky që pritet të zgjasë deri javën e ardhshme.

 

Edhe pas certifikimit të zgjedhjeve, nuk pritet formim i shpejt i institucioneve

Periskopi.com Lajme

Ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo edhe pas certifikimit sipas njohësve të rrethanave politike, nuk pritet një konstituim i shpejtë i institucioneve të reja. Ndërkaq nëse Presidenti nuk e fton seancën konstituive, këtë mund ta bëjnë deputetët e legjislaturës së kaluar.

Pas certifikimit të rezultateve, Presidenti në afat prej 30 ditësh cakton seancën konstituive për t’u zgjedhur organet e reja dhe në afat prej 15 ditësh mandatari obligohet të formojë kabinetin.

Sipas njohësit të çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu, nëse dështon tentimi i parë presidentit, ai cakton një mandatarë të dytë i cili është i obliguar në afat prej 10 ditësh të formojë kabinetin qeveritarë, e nëse dështon edhe tentimi i dytë atëherë vendi shkon në zgjedhje.

Mirëpo nëse Presidenti nuk e fton seancën konstituive, këtë mund ta bëjnë deputetët e legjislaturës së kaluar.

Njohësi i rrethanave politike, Blerim Burjani shprehet se duke parë disponimin aktual politik  të partive fituese, nuk pritet një konstituim i menjëhershëm i institucioneve të reja.

“LDK vazhdimisht ka refuzuar që të merren përfundimisht vesh deri ne certifikim të rezultatit zgjedhor. Nëse është kështu siç thotë LDK-ja, formimi i institucioneve nuk do të ndodh bash menjëherë në javën e parë pas certifikimit të rezultateve. Por kjo mund të ndodh në periudhën 30 ditore. Pra është një afat kushtetues ku subjektet politike mund të kalkulojnë në tema tjera”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerim Burjani.

Aktualisht janë duke u rinumëruar edhe mbi 1400 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit të Rezultateve,  pas ankesave nga subjektet politike në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ thotë se janë rinumëruar 50 përqind e vendvotimeve

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri më tani janë rinumëruar 50 për qind e vendvotimeve, shkruan Periskopi.

Sipas KQZ kanë mbetur për tu rinumëruar edhe 701 vendvotime të tjera.

“Në ditën e gjashtë, të hënën, janë rinumëruar 132 vendvotime. Sipas të dhënave të deritashme janë rinumëruar 706 vendvotime nga 1407 sa janë gjithsej. Kjo shifër përbën 50% të vendvotimeve të rinumëruara deri më tani. Kanë mbetur për tu rinumëruar edhe 701 vendvotime të tjera”, ka thënë nga KQZ.

Ndrysh ky rinumërim po bëhet pas vendimi të PZAP’it./Periskopi/

Pas raportimit të Periskopit, KQZ sqaron nenin që i mundësoi Krasniqit të bëhet deputet

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas artikullit të Periskopit ku tregohej se Partia Liberale Egjiptiane e Kosovës kishte fituar dyfishin e votave në krahasim me IRDK-në, parti tjetër e komunitetit egjiptian.

Nga të dhënat e KQZ-së dilte se PLEK kishte marrë 4881 vota për dallim nga IRDK që kishte marrë 1754.

Veç kësaj, tre deputetë të PLEK-së kishin qenë më të votuar se Elbert Krasniqi i IRDK-së, i cili ia doli të bëhej deputet.

Veton Berisha u bë deputet me mbi 3 mijë vota, ndërkohë që Artan Berisha dhe Bashkim Krasniqi, edhe pse më shumë vota se z.Elbert Krasniqi nuk ia dolën mbanë.

Por, pse ndodhi një gjë e tillë?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se Ligji për Zgjedhjet, më saktë neni 1,1 i tij kërkon që numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të subjekteve politike të pjesëtohej sipas numrave tek 1,3,5,7,9 e kështu me radhë.

Ky është sqarimi i plotë i KQZ-së:

  1. Struktura e Kuvendit të Republikës së Kosovës është përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin 64. Duke u ndërlidhur me çështjen specifike të parashtruar në media, pra për ndarjen e ulëseve të vendeve të garantuara për komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptas, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton si vijon:

“komuniteti Rom një vend; komuniteti Ashkali një vend; komuniteti Egjiptian një vend; dhe një vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali ose Egjiptian që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme”.

  1. Në zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre 2 rome; 2 egjiptiane dhe 2 Ashkali.
  2. Sipas rezultatit përfundimtar, në mesin e këtyre 3 komuniteteve, më së shumti vota kanë subjektet nga komuniteti Egjiptian, dhe rrjedhimisht u takon mandati i dytë, pasi votat e komuniteteve janë si në vijim: komuniteti Egjiptian 6,635 vota; komuntieti Ashkali 5,059 vota dhe komuniteti Rom 1,366 vota.
  3. Ndërkaq, ligji për zgjedhjet e përgjithshme, neni 111 i cili shpjegon ndarjen e vendeve që buron nga neni i Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Ky nen, paragrafi 2, pika B dhe C, sqaron formulën e ndarjes së vendeve:
  4. b) numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të fituara nga secili subjekt politik në zgjedhjet për Kuvend pjesëtohet me 1, 3, 5, 7, 9, 11, 13, 15, e kështu me radhë derisa numri i pjesëtuesve të shfrytëzuar t’i përgjigjet numrit të plotë të vendeve;
  5. c) koeficientët që rezultojnë nga vargu i pjesëtimeve rregullohen në renditje zbritëse. Vendet u ndahen subjekteve politike sipas koeficientëve në mënyrë që vendi i parë i takon subjektit që e ka koeficientin më të madh, vendi i dytë subjektit që e ka koeficientin e radhës më të madh, e kështu me radhë derisa të ndahen të gjitha vendet;
  6. Tabela në vazhdim tregon rezultatin brenda komunitetit Egjiptian:

Sipas rezultateve të shpallura më 7 nëntor 2019, subjektit politik Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës i takon mandati pasi sipas pikës C të lartëcituar ka koeficientin më të lartë të radhës. Pra 1,754 është më i lartë se 1,627.

 

 

 

KQZ tregon se kur do të përfundojë rinumërimi i votave

Periskopi.com Lajme

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) deri në orën 16:00 janë rinumëruar 639 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se përfundimi i këtij procesi varte nga dinamika e punës në QNR.

Ndonëse nuk jep  afat se kur mund të dihen saktë rezultatet e zgjedhjeve, ai thotë se procesi i rinumërimit mund të përfundojë të hënën tjetër.

“Ne nuk mund ta themi me saktësi se kur përfundon procesi i rinumërimit të pjesës së mbetur të vendvotimeve, sepse kjo varet krejtësisht nga dinamika e punës në QNR, por edhe se sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në këto vendvotime”.

“Nëse shohim dinamikën e rinumërimit gjatë këtyre 5-6 ditëve, e cila është rreth 130 vendvotime brenda dy ndërrimeve, atëherë besojmë se deri të hënën tjetër mund të përmbyllim ky rinumërim”.

Numri i vendvotimeve që duhet të rinumërohen është rreth 1 410, ndonëse fillimisht në vendim të PZAP-it ishte shkruar së bëhet fjalë për 1 472 vendvotime.

Por, KQZ-ja pasi ka rishikuar listën e paraqitur në vendim ka vërejtur se 38 vendvotime ishin shënuar nga dy herë, 18 të tjera ishin rinumëruar më parë dhe 7 të tjera nuk përputhen me listën e vendvotimeve.