Maria Suokko merr detyrën si përfaqësuese e Përhershme e UNDP’së në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Maria Suokko (Finlandë) është emëruar Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë duke filluar punën që nga sot . Ajo zëvendëson Alessandra Roccasalvo, e cila ka qenë në këtë detyrë nga 1 janari 2019.

Para emërimit në këtë detyrë, Suokko ishte këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës në Helsinki që nga shtatori 2017. Ajo gjithashtu shërbeu si Udhëheqëse për Bashkëpunim pranë MPJ të Finlandës në Myanmar (2014-2017) dhe Këshilltare e Lartë në MPJ të Finlandës (2012-2014).

Përvoja e saj me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përfshin postin e Specialistes të Programit në Byronë Rajonale për Azi dhe Paqësor (2006-2010), Ndihmës Përfaqësuese e Përhershme në UNDP Kinë (2001-2005), Menaxhere e Programit Mjedisor të UNDP-së në Kamboxhia (2000- 2001) dhe Zyrtare e Programit në UNDP Tajlandë (1998-2000).

Ajo ka një diplomë Master në Shkencat Sociale (Ekonomi) nga Universiteti i Helsinkit.

Pas emërimit të saj si Përfaqësuese e Përhershme në zyrën e UNDP-së në Kosovë, Suokko tha se do të vazhdojë përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.

“Unë po e marr këtë detyrë në një moment shumë të rëndësishëm pasi zyra po shënon 20 vjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm në Kosovë. Me padurim pres që të takoj të gjithë partnerët tanë kosovarë dhe ndërkombëtarë dhe të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta në mbështetjen e rrugës së zhvillimit që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”.