Fatmir Rexhepi: LDK po merr masa ndëshkuese edhe ndaj meje dhe deputetit Haxhi Avdyli

Periskopi.com Lajme

Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, tha se partia e tij ka filluar të hakmerret padrejtësisht ndaj deputetëve që s’e votuan Qeverinë Hoti.

Ai tha se nuk e ka pritur që LDK-ja do të shkojë kaq larg dhe pikërisht në këtë kohë që të propozojë shkarkimin e Vjosa Osmani nga posti i nënkryetares, me të cilën nuk pajtohet assesi, njofton Klan Kosova.

“Nuk e kam pritur që do të shkojë kaq larg në këto rrethana kur ne kemi 100 punë në Parlament dhe parti për vendin dhe shtetin. Në momentin kur na duhet më së shumti uniteti, përkundër dallimeve të caktuara e vlerësoj si shumë të dëmshme dhe politikisht të pavend, sepse mendoj që Vjosa dhe cilido kuadër që është përfshirë në këtë listë ka dhënë kontributin në parti”.

“Ëshë gabim i madh në radhë të parë. Është një diferencë që godit keq dhe është jashtë frymës së LDK-së. Kjo s’i bën nder LDK-së, por është edhe në kundërshtim të anëtarësisë dhe elektoratit jo vetëm dhe jo vetëm në zgjedhjet e 6 tetorit, që ishte mesazh i qartë se çfarë koalicioni dhe ndryshime në vend përkrah elektorati i LDK-së, por edhe më herët nëpër vite”.

Për Rexhepin është i papranueshëm edhe paralajmërimi i LDK-së se do të merren masa ndaj tij dhe ndaj deputetit Haxhi Avdyli duke thënë se këta ishin ata që përfaqësuan me korrektësi votën e elektoratit.

“Dënimi do të bëhet për ata që kanë qenë konsistentë dhe parimorë. Është keqpërdorim i Kryesisë por edhe për të përgatitur skenarë për të ardhmen”.