​Meta: Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e pakalueshme nga armiqtë e saj

Periskopi.com Lajme

“Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve”, tha sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediet, Presidenti i Republikës Ilir Meta, ndërsa solli në vëmendje 22 nëntorin që përmes referendumit popullor solli Kushtetutën e re.

Në 21-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti Meta e konsideron Kushtetutën e miratuar në vitin 1998 si Kushtetuta më demokratike që ka parë vendi.

“Kushtetuta mbetet e para dhe e fundit vijë e kuqe, e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron prej popullit. 22 nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët.  Për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë post-komuniste.  Falë urtësisë politike dhe një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga i ndjeri Sabri Godo dhe zoti Arben Imami, si dhe në bashkëpunim të shkëlqyer me Komisionin e Venecias, u zhvillua një debat dinjitoz kushtetues dhe një referendum shembullor, duke na dhuruar Kushtetutën më demokratike që ka patur Shqipëria deri më sot”, tha ai.

Meta tha se Kushtetuta e 98-tës mundësoi rivendosjen e paqes sociale dhe rotacionin normal politik në vend.

“Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive. Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin. Së pari, Kushtetuta, nga dokumenti themeltar i shtetit që lartëson parimet, u kthye në një rregullore me data dhe afate, të cilat për fat të keq janë shkelur që të gjitha. Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon në paralizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion”, tha ai.

Meta tha se zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe jo trasparent.

“Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare.  Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë.  Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet. Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës”, tha Meta.

Në vijim Presidenti tha se kushtetuta shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.

“Në fakt, Komisioni i Venecias i ka thënë të gjitha, për ata që kanë veshë për ta dëgjuar dhe vullnet për ta zbatuar! Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.  Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë, Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ; Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës; Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh; Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetu es të autonomisë vendore”, tha ai.

Meta thekson se vendi është lënë qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë

“Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta; Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot; pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon. Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë; Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës;Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë hapur interesin publik; Ku qeveria për tà « pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme;Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës;Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut;Ku vendi po shpopullohet pa ndalim;Ku si rezultat i sukseseve imagjinare në Shqipëri nuk ka më asnjë investim serioz as nga SHBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania”,tha ai.

Gjithashtu Meta apelon, është koha për t’i thënë ndal këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë!

“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure!”Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si krye garant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare.  Shqipëria nuk mund të drejtohet me Rezolutë, por vetëm me Kushtetutë!Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre!”, shprehet Meta.

Po ashtu Meta tha se Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themelore të Popullit Shqiptar!

“Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën. Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë. Kjo është Detyra ime, për të cilën jam betuar solemnisht dhe me gjithë zemër me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe do ta mbroj, ashtu sikundër dhe jam betuar, deri në fund! Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë! Shqipëria e Para!”, tha ai./ATSH/

 

“Më lini të qetë” Borchardt flet pas vendimit të Metës

Periskopi.com Lajme

Pas vendimit të presidentit Ilir Meta, i cili i dërgoi një letër Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE në Kopenhagen, asaj në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit pranë MEPJ në Tiranë në të cilën thuhej se Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchadt nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit, vjen një reagim nga ky i fundit.

Teksa hynte në një takim në selinë e PD-së, ambasadori u pyet nga gazetarët për vendimin e Metës, ndërsa tha se; “OSBE organizatë legjitime në Shqipëri. Më lini të qetë”.

Meta: Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi të jetë e qëndrueshme

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha sot gjatë një takimi në Bruksel me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kosova ka të drejtë legjitime për t’i shndërruar Forcat e Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese dhe multietnike, përmes një procesi ligjor, transparent dhe demokratik.

Pas takimit zyrtar, presidenti Meta u ndal edhe tek misioni i NATO-s në Kosovë ku inkurajoji vazhdimësinë e këtij misioni si dhe rivendosjen e dialogut Kosovë- Serbi.

“E drejta legjitime e Kosovës për t’i shndërruar gradualisht Forcat e Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese dhe multi-etnike të NATO-s, përmes një procesi ligjor, transparent dhe demokratik, është një burim i sigurisë së përforcuar. Inkurajova gjithashtu rivendosjen e dialogut Kosovë-Serbi duke synuar një marrëveshje përfundimtare e të detyrueshme juridikisht, e cila duhet të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme, dhe që njeh pavarësinë dhe sovranitetin e pakthyeshëm të Kosovës, që kontribuon për paqen dhe stabilitetin e rajonit si dhe normalizon plotësisht marrëdhëniet mes të dy vendeve”, tha presidenti Meta.

​Balla: Meta shkeli ligjin

Periskopi.com Lajme

Pas publikimit të draftraportit të Komisionit të Venecias mbi anulimin e zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Që e shkele, e shkele Ilir, po sa e shkele do ta vendosë procesi ligjor, ndërkohë që të sugjeroj të lexosh me vëmendje këtë pjesën që mua më pëlqeu më shumë: “Bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të fitonin të drejtën të pengonin çdo proces zgjedhor në të ardhmen”, nënvizoi Balla.

“E ka thënë Edi Rama pa u lodhur, kur i thoshin si mund të bëhen zgjedhjet pa ato parti, dhe sot e ka shkruar Komisioni i Venecias, e zeza mbi të bardhë”, thotë Balla.

Në raportin e Venecias thuhet se Kreu i Shtetit shqiptar ka tejkaluar kompetencat kushtetuese me anulimin e 30 qershorit, duke sqaruar se një vendim i tillë duhet të merret vetëm në një situatë që plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme.

Komisioni i Venecias ka dalë në konkluzionin se Presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën

Periskopi.com Lajme

Komisioni i Venecias ka kthyer përgjigje në lidhje me çështjen e Komisionit Hetimor parlamentar për Presidentin Meta.

Në raportin e siguruar nga Top Channel thuhet se “Presidenti shkeli Kushtetutën kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetence të tillë në Kushtetutë e në ligj”.

Sipas raportit të Komisionit të Venecias, ‘zgjedhjet lokale mund të anulohen vetëm në situatë emergjente, por edhe në këtë rast duhet vepruar në përputhje me parashikimet kushtetuese, dispozitat e ligjit ose në bazë të zgjidhjeve ligjore ad-hoc, (rregullat e vendosura me ligj, të përkohshme).’

Presidenti nuk e ka këtë pushtet. Anulimi i zgjedhjeve sipas legjislacionit vendas bëhet kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme, procedurë që normohet nga Kushtetuta.

Ne rastin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, kjo procedurë nuk është respektuar. Anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti nuk i ka paraprirë as ndonjë marrëveshjeje politike për të krijuar zgjidhje ligjore ad-hoc.

Përkujtimi i Azem Hajdarit – Meta: 12 shtatori solli vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në përkujtim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, vendosi një kurorë me lule tek memoriali i tij në Tiranë.

Meta tha se 12 shtatori solli vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë.

“Sot ishte një detyrim për të nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, të liderit të lëvizjes studentore që solli pluralizmin politik në Shqipëri. 12 shtatori është dita më e rëndësishme e Shqipërisë që ndan dy epoka dhe vendosi vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë, të pluralizmit politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme që janë kolona vertebrore e cdo shteti dhe që duhen mbrojtur me çdo çmim.”, tha ai për mediat, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

Meta këshillon politikanët e Shqipërisë të mësojnë nga Kosova si zgjidhet kriza

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë një takimi me Zëvendëskryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert, ka thënë se politika shqiptare nuk duhet ta humbasë 13 tetorin, pasi kjo do të përshkallëzonte më tej krizën dhe nëse politikanët shqiptarë e kanë pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mësojnë nga një shtet i ri si Kosova.

“Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mesojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, theksoi kreu i shtetit, raporton K.J.

Rama nga Shkodra: Berisha, Basha e Meta janë në hall

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili njëherësh është edhe lider i Partisë Socialiste, ka thënë se Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe disa të tjerë janë në hall, meqë e dinë që drejtësia mund të merret me ta.

Rama megjithatë ka folur mbrëmjen e të enjtes në Shkodër, në mitingun e partisë tij, por një organizim që zgjoi reagime në këtë qytet, ku kryebashkiakja Voltana Ademi dhe qytetarë të tjerë u konfrontuan me Policinë.

“Ata kanë hall. Janë haxhiqamilët e rinj të Shqipërisë, që thonë sa të kemi Voltanën nuk pyesim as për SHBA-në e as askën”, ka thënë Rama, duke përsëritur se zgjedhjet me 30 qershor do të mbahen.

Ai ka thënë se nuk do t’u lirohet rruga atyre që sot po e pengojnë Shqipërinë.

Meta për Batalionin Atlantiku: Lanë gjithçka që kishin për t’i dhënë fund gjenocidit të Millosheviqit

Periskopi.com Lajme

Presidenti Ilir Meta i ka dhënë titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” disa luftëtarëve të Batalionit “Atlantiku” të shqiptarëve në SHBA.

“Liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ashtu sikurse kemi të gjithë një rrugë të madhe përpara për t’i dhënë Kosovës??, Shqipërisë?? dhe rajonit tonë edhe më shumë paqe, siguri, demokraci edhe begati afatgjatë”, shkruan Meta.

 

 

Postimi i Plotë i Metës:

Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Batalionit “Atlantiku” të shqiptarëve të SHBA??, pata sot nderin e veçantë të vlerësoja me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”??, këta luftëtarë të lirisë që lanë gjithçka kishin ndërtuar në Amerikë, për t’u betuar mbi flamur për lirinë dhe çlirimin e Kosovës?? dhe dhënien fund të genocidit e spastrimit etnik të Millosheviqt.

Liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ashtu sikurse kemi të gjithë një rrugë të madhe përpara për t’i dhënë Kosovës??, Shqipërisë?? dhe rajonit tonë edhe më shumë paqe, siguri, demokraci edhe begati afatgjatë.

Pas Kurtit, edhe Thaçi shkon dhe takohet me Ilir Metën

Periskopi.com Lajme

Ndërsa në Kosovë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar një vizitë dy ditore, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavën.

Në vizitën e tij në bregdetin shqiptar, Thaçi ka drekuar me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Gjatë dits së djeshme Meta ka takuar liderin e VV-së, Albin Kurti.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Meta në Facebook, duke shkruar:

‘Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët.

Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme’,

Kitaroviç: Shqipëria miku ynë, kur miqtë ishin të paktë

Periskopi.com Lajme

Presidenti Ilir Meta priti me një ceremoni zyrtare, homologen e tij kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila ndodhet për një vizitë dy ditore në vendin tonë.

Pas takimit, dy presidentët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku nënvizuan miqësinë shekullore mes popullit shqiptar dhe atij kroat.

“Kroacia dhe Shqipëria kanë një miqësi mjaft të hershme dhe kjo vërtetohet nga shumë momente të rëndësishme historike. Falënderoj miqtë tanë kroatë, që na kanë mbështetur pa kushte në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Meta në konferencë për shtyp.

Presidenti Meta nuk ngurroi të komplimentojë homologen e tij kroate, në lidhje me suksesin e Kroacisë në Botërorin “Rusi 2018”, evidentoi edhe faktin se kjo vizitë e saj në Tiranë, vjen në vitin e Skënderbeut.

Nga ana tjetër, presidentja kroate evidentoi gjithashtu miqësinë shqiptaro-kroate në fjalën e saj dhe tha se diskutimi i sotëm lidhet me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Shqipëria ishte miku i Kroacisë, atëherë kur miqtë ishin të paktë. Dialogu ynë ka lindur që në vitet e para të pavarësisë tonë dhe ne sot diskutuam për të fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Në 18 mijë shqiptarë që jetojnë në Kroaci, 2500 prej tyre ishin vullnetarë në luftë dhe disa humbën jetën e të tjerë u zhdukën”, deklaroi Kitaroviç.

Ndërkohë, gjatë vizitës së saj Presidentja e Kroacisë do të pritet në takime të veçanta nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu Presidentja e Kroacisë gjatë qëndrimit në Tiranë do të takohet edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të pritet edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe do të vizitojë qytetin e Durrësit, portin e tij ku edhe do te lancohet projekti kroat për mbrojtjen e mjedisit, qytetin e Beratit si dhe qytetin e kalanë e Krujës.

Hahn në Tiranë, injoron Ruçin dhe Bashën

Periskopi.com Lajme

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, do të nisë sot zyrtarisht punën përgatitore në Tiranë për hapjen e negociatave.

Vizita e Hahn vjen pas vendimit të Këshillit të BE-së për vendosjen e një afati kohor për hapjen e negociatave për Shqipërinë në qershorin e vitit 2019, shkruan Top Channel.

Aktualisht ai ndodhet në Shkup ku më pas do të vizitojë Tiranën. Agjenda e publikuar bën të ditur se në Tiranë eurokomisioneri Hahn do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësuesë të qeverisë së Shqipërisë por jo me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe atë të PD-së, Lulzim Basha.