Nenad Rikalo dyshohet se bashkë me tre zyrtarë shqiptarë çuan në veri 2 milionë euro

Periskopi.com Lajme

Si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë Haradinaj, Nenad Rikalo vitin e kaluar kishte arritur t’i çojë 2 milionë euro në Mitrovicën Veriore, në një mënyrë që për Prokurorinë është krejtësisht e kundërligjshme.

Prokuroria Speciale e Kosovës dje ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër ish-ministrit Rikalo dhe 7 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Gazeta Sinjali e ka siguaruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën pretendohet se Rikalo, ish-sekretari i ministrisë, Kapllan Halimi dhe dy ish-zyrtarët, Shefki Zeqiri e Ekrem Gjoka në bashkëveprim u kanë mundësuar përfitime të mëdha disa kompanive të paregjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Dy grupe punuese por krejtësisht të papuna, sipas Prokuorisë ia ka mundësuar ish-ministrit Nenad Rikalo që ta krijojë një “program të veçantë” pa buxhet të veçantë të ndarë dhe t’i vendos krye më vete kriteret me të cilat i kishte përcaktuar regjionet dhe shumën e grantit, duke i anashkaluar krejtësisht procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë.-

Grupi fiktiv i punës për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale në Kosovë i formuar nga Kapplan Halimi dhe grupi punues për kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe konstatim të projekteve të masës së infrastrukturës rurale, kanë kontribouar që projekti i kundërligjshëm i Nenad Rikallos të çohej deri në fund.

Si bazë për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Speciale i ka marrë edhe deklaratat e këtyre ish-zyrtarëve dhënë në Policinë e Kosovës dhe deklaratat e 8 dëshmitarëve.

 

 

Rikalo flet i inatosur pas shkarkimit: Lajmin ma dhanë përmes një SMS’i

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme ka shkarkuar nga detyra, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

E lidhur me këtë ka reaguar Rikalo, i cili për RTS, ka thënë se ky ndryshim tregon se serbët nuk kanë vend në institucionet e Kosovës.

Nenad Rikalo ka treguar se lajmin për shkarkim e kishte marrë me mesazh SMS, derisa ka shtuar se lidhur me shkarkimin nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare.

“Ky ndërrim nga Haradinaj është dëshmi se për serbët nuk ka vend në Kosovë. Ai në Facebook ka shkruar se përpiqet për punë me të gjitha komunitetet, se taksa 100 për qind nuk është kundër serbëve. Nuk është problem çfarë thotë ai, por rezultatet tregojnë se me vendimet që i marrin çdo ditë, si ky për Trepçën, tregojnë se serbët nuk kanë vend në Kosovë dhe se në Kosovë nuk ka jetë për ta”, ka thënë Rikalo.

Shkarkimi i tij ishte një prej 5 kushteve të PSD’së për ta votuar buxhetin 2019,  i cili pas një seance të gjatë u miratua nga Kuvendi.

 

Analisti: Keqpërdorimet e Rikallos nuk dallojnë asgjë nga ato të Lekajt, Pacollit, Bytyqit e Beqajt

Periskopi.com Lajme

Agron Demi, që aktualisht është analist politik në institutin GAP, e ka komentuar shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo, i cili u shkarkua si kusht i Partisë Socialdemokrate.

Kryeministri Ramush Haradinaj, sot e largoi Rikalon vetëm për shkak se shkarkimin e kishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që t’ia votonte Buxhetin e vitit 2019 dhe jo për shkak të skandaleve. Demi thotë se skandalet e Rikalos, nuk janë hiç më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie, si Pal Lekaj, Shyqiri Bytyqi, Behgjet Pacolli, e Besim Beqaj.

Koha Ditore ka raportuar se një “masë e veçantë” e Ministrisë së Bujqësisë i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek disa biznese, prej të cilave ka edhe që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me politikën.

Demi, në një postim në Facebook thotë se Rikalo nuk e kishte vendin në ministri, për shkak të keqpërdorimeve milionëshe me buxhetin e shtetit. Por, siç shkruan ai, keqpërdorimet e Rikalos nuk janë hiq më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie.

“Pal Lekaj në Ministrinë e Infrastrukturës i dhuroi 53 milionë euro Bechetl&Enka në emër të vonesave, kurse nuk po penalizohet kjo kompani kur ka kalu mbi një muaj afati kur është dashur të përfundohet autostrada. Po Ministria e Lekajt po e vazhdon monopolin në homologim, po shpërblen me punë kompaninë e zëvendësministrit në autostradën e Gjilanit, po mban mbyllur kontratat e autostradave në kundërshtim me vendimet e gjykatave… Hiq ma i mirë se Rikalo nuk është ministri i MASHT, Bytyqi, i cili e ka politizu në tërësi këtë ministri dhe ka keqpërdorur me buxhet të ministrisë në dhjetëra raste. Hiq ma i mirë nuk është Behgjet Pacolli në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili e ka shndërrua ministrinë në produksion skandalesh diplomatike dhe po e rrënon edhe më tej shërbimin diplomatik. Kjo Qeveri ka me vaxhdu me pas ministër Besim Beqajn e “Prontos”, shkatërruesin e PTK e përgjegjësin kryesor për faljen e katër hidrocentraleve. E mos të flasim për shefin e kësaj Qeverie, lista e skandaleve e keqpërdorimeve të të cilit nuk ka fund. Andaj, me reduktu të keqen e kësaj Qeverie vetëm në Rikallon dhe me deklaru fitore shkarkimin e tij është manipulim i paturpshëm dhe amnestim i krejt të keqpërdorimeve tjere të kësaj Qeverie”, ka përfunduar Demi.

Krasniqi: Nesër shkarkohet Rikalo

Periskopi.com Lajme

Deputeti i Partisë SocialDemokrate, Frashër Krasniqi ka thënë se nesër do të shkarkohet ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Krasniqi po ashtu ka shkruar në Facebook se në seancën plenare të së shtunës e cila nis në orën 10:00, do të miratohet ligji për paga, ligji për dialog dhe do të formohet komisioni ad-hoc për sistemin pensional.

‘’Nesër shkarkohet Rikallo. Nesër miratohet ligji për paga, që ua rritë pagat të gjithë punëtorëve të sektorit publik, kurse ua ulë politikanëve. Nesër miratohet ligji për dialog. Nesër bëhet komisioni ad-hoc për sistemin pensional. Nesër dëshmohet edhe njëherë që në Kosovë mund të bëhet politikë e vërtetë, konkrete, pa përfitim personal, për të mirën e qytetarëve të Kosovës’’, ka shkruar Krasniqi, transmeton Periskopi.

Kujtojmë që shkarkimi i Rikalos është një prej 5 kushteve të PSD’së për votimin e buxhetit 2019, i cili pritet të ndodh nesër.

LDK dhe VV kanë theksuar se nuk do të japin votën e tyre./Periskopi/

 

Haradinaj: Ministri Rikalo është gati në dorëheqje

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë është pyetur nëse do ta shkarkojë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, e që është kërkesë e Partisë Socialdemokrate në këmbim të votës pro miratimit të buxhetit, ka thënë se do t’i qëndroj pas marrëveshjes që kanë me PSD-në.

“Nëse shkarkohet Rikallo nuk është që unë po i bëjë një vlerësim të punës, ai është gati në dorëheqje. Me Listën Serbe nuk kam komunikuar, me PSD-në kemi folur për përkrahje të buxhetit. Ne jemi tash në bisedime dhe unë jam me PSD-në. Unë kam problem edhe për kuorum për mbledhje të qeverisë sepse gjithmonë 3 ministra janë mangët”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë konferencë Haradinaj ka folur edhe për afatin e liberalizimit të vizave. Tha se Presidenti Hashim Thaçi ka pasur të drejtë kur ka deklaruar se muaji qershor do të jetë mundësi për  liberalizimit të vizave.

“Sa i përket liberalizimit, presidenti ka të drejt, qershori është opsion real, por jemi marr vesh mos me fol shumë. Unë pres edhe më herët të ndodh, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar pas qëndrimit të Berlinit”, ka thënë Haradinaj.

Rikalos s’guxon askush t’ia prishë tymin, shpërfillë vendimet e gjykatës pa asnjë trembje syri

Periskopi.com Lajme

Elhami Hajdari nuk ka mundur të kthehet në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (ABZH), pavarësisht se këtë e ka kërkuar një vendim i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, si dhe dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë, një nga të cilat ka mbërritur të hënën në Ministrinë e Bujqësisë.

Ministri Nenad Rikalo është i vendosur të mos i zbatojë këto dokumente, shkruan sot Koha Ditore.

Vendimi i dytë i Themelores është përgjigje në një ankesë të Rikalos. Me të është refuzuar kërkesa e ministrit, për anulimin e një vendimi të së njëjtës gjykatë, lidhur me përmbarimin e vendimit të mëhershëm të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

E vendimi i këshillit e shfuqizonte vendimin e Rikalos për pezullim nga puna të Hajdarit dhe kërkonte që ai të kthehej në pozitën e kryeshefit.

Hakmarrja e Rikalos për bashkëshorten konfirmohet edhe nga gjykata

Periskopi.com Lajme

Nenad Rikalo e ka kthyer Ministrinë e Bujqësisë në institucion që funksionon si shtet më vete. Edhe vendimet gjyqësore janë të pazbatueshme në këtë dikaster qeveritar, të drejtuar nga ministri Rikalo, të cilin kryeministri është duke e mbajtur në detyrë, ndonëse prej muajsh ka dhënë dorëheqje, sikurse edhe partia e tij ka dalë në opozitë, shkruan sot Koha Ditore.

Gjykata Themelore në Prishtinë, nëpërmjet një aktvendimi, u ka dhënë vulë pohimeve se ishin të paqena “faktet” që i kishte listuar Rikalo si arsye për ta shkarkuar nga pozita e kryeshefit Elhami Hajdarin, njeriu që kishte refuzuar t’ia përcillte jashtëligjshëm mbi 80 mijë euro një biznesi me bazë në Prizren, me të cilin kishte raport afarist Biljana Rikalo, bashkëshorte e këtij ministri serb.

Në fakt, gjykata ka kërkuar përmbarimin e një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, i cili kërkon kthimin e Hajdarit në pozitën nga e cila është shkarkuar.

Rikalo u premton përkrahje kultivuesve të mjedrës

Periskopi.com Lajme

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e qendrave grumbulluese të mjedrës në Kosovë, si dhe kryetarin e Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka.

Në këtë takim, ministri i ka njoftuar ata me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, veçanërisht në sektorin e prodhimit të mjedrës, si dhe me programet mbështetëse të ministrisë për vitin 2018, si dhe me mundësitë që ofrojnë këto programe për prodhuesit e mjedrës në vend.

Ministri Rikalo, i ka njoftuar ata edhe për nismën e përbashkët të MBPZHR-së me USAID-in për programin “Përkrahje e zhvillimit bujqësor dhe rural në Kosovë”, e cila tashmë është aprovuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Nga ky projekt i përbashkët, që kap vlerën prej 3.8 milionë euro, sipas ministrit do të përfitojnë sektorët me eksportin më të madh në bujqësi, sektori i pemëve të imëta dhe i bimëve mjekësore aromatike.

Ai ka treguar se qendrat grumbulluese do të përkrahen në vazhdimësi nga MBPZHR-ja, me qëllim të shtimit të kapaciteteve të tyre prodhuese dhe ruajtëse. Po ashtu, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për mundësinë e përkrahjes së shitjes së mjedrave nga ministria me 0.20 cent, në mënyrë që fermerët të tejkalojnë këtë krizë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare të mjedrës. Gjithashtu është biseduar për problemet me të cilat ballafaqohen fermerët e mjedrës në baza ditore dhe janë pajtuar që shoqata në bashkëpunim me MBPZHR-në të koordinojnë aktivitetet që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë sektor me rëndësi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qendrave grumbulluese dhe kryetari i Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës, Sami Uka, falënderuan ministrin për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe shprehën përkushtimin e tyre për mbështetjen e prodhuesve vendorë, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të tyre. Ata prezantuan edhe sfidat nëpër të cilat po kalojnë, dhe theksuan se do të bashkëpunojmë me institucionet që këto sfida të tejkalohen.