Indikacione se Akademia mund ta anulojë çmimin Nobel për Handken, veprimtari i njohur menjëherë i çon letër

Periskopi.com Lajme

Veprimtari i njohur shqiptar, dikur përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti, i ka shkruar një letër Akademisë Suedeze, rreth çmimit Nobel për Letërsi që i ndau ditë më parë shkrimtarit austriak, Peter Handke.

Nobeli për Handken, i njohur si adhurues i diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq, bëri që ndaj Akademisë Suedeze të vërshojnë kritika nga e mbarë bota.

Pas indikacioneve se Akademia mund ta anulojë çmimin Nobel për Handken, Mahmuti menjëherë i ka çuar një letër sekretarit të saj, Mats Malm.

“Sado që dikush të përpiqet ta shohë ndaras veprën artistike të Peter Handkes nga angazhimet e tij në mbështetje të një ideologjie, që ka shkaktuar tragjedi të mëdha në Ballkan, mllefi “artistik” i këtij autori nuk meriton çmimin për letërsi, për shkak se kreativiteti i intelektit njerëzor në fushën e letërsisë duhet t’u rezistojë ideologjive shkatërrimtare”, ka shkruar Mahmuti, ndër të tjera.

Letra e plotë e Mahmutit:

Letër publike z. Mats Malm, sekretar i Akademisë Suedeze

I nderuari z. Malm,

Në shkrimin e publikuar më 17 tetor në gazetën “Dagens Nyheter”, të titulluar “Mats Malm: Nëse zbulohet diçka e re për Handken, ne do ta rivlerësojmë”, thuhet se “në shkrimet e Peter Handkes Akademia nuk ka gjetur asgjë që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose mosrespektim të barazisë mes njerëzve”.
Premtimi juaj, se do të rishikoni vendimin në rast se “zbulohet diçka e re për Handken…”, që do të dëshmonte të kundërtën e asaj që dini ju për laureatin e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2019, më shtyu t’ju drejtohem publikisht nëpërmjet kësaj letre.

Do të përmend vetëm disa argumente të mbështetura në veprën “artistike” të shkrimtarit Peter Handke, që dëshmojnë se, kur bëhet fjalë për projektet ideologjike serbe me të cilat mishërohet tërësisht autori në fjalë, atëherë respekti i barazisë ndërmjet njerëzve nuk është qasje e huaj për shkrimtarin Peter Handke. Në këto projekte ai mishërohet me tërë qenien e vet dhe sulmon në mënyrë të papërmbajtur këdo që merr guximin të rrezikojë realizimin e atyre projekteve.

Në këtë letër publike do të kufizohem vetëm në veprën “Die Kuckuckevon Velika Hoča” (Qyqet e Hoçës së Madhe), sepse më duket e mjaftueshme, për të dëshmuar se në shkrimet e Peter Handkes Akademia Suedeze mund gjejë shumëçka që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose mosrespektimin e barazinë mes njerëzve. (Të gjitha citatet e mëposhtme janë marrë nga përkthimi frëngjisht i kësaj vepre: “Lescoucous de Velika Hoča”, botuar nga “La Différence”, Paris, 2011).

Në fillim të kësaj vepre, Peter Handke tregon se kishte vendosur që, për festën e Pashkës ortodokse të vitit 2008, të vizitonte “Kosovën serbe”.

Përkufizimi i Kosovës si “Kosovë serbe” dëshmon për identifikimin e Peter Handkes me interpretimin ideologjik të historisë. Ky qëndrim i tij është shtrembërim i realitetit historik dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve. Të gjithë ata që kanë njohuri për historinë, e dinë fare mirë se shqiptarët janë banorë autoktonë të kësaj pjese të Europës dhe se historia e Kosovës nuk fillon me ardhjen e sllavëve në Ballkan. Në këtë kontekst, do të citoj historianin francez, Alain Ducelier, i cili thotë: “Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe e arkeologjisë, dëshmojnë se ilirët janë, pa asnjë dyshim, paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve.

Çdokush di se sllavët janë populli indoeuropian, që ka ardhur më së voni në Europë, sepse vala e dyndjeve të tyre shtrihet në shekullin VI dhe VII të erës sonë. Të gjitha argumentet e tipit historik për gjoja ‘”Kosovën serbe” kthehen kundër tezës serbe, sepse historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë pushtues që kanë ardhur shumë vonë”. (Alain Ducellier, “Les Albanais sont-ils des envahisseurs au Kosovo?” (A e pushtuan shqiptarët Kosovën?).

Përkundër fakteve historike, në veprën e vet “artistike” Peter Handke përvetëson tërësisht gjuhën ideologjike të nacionalizmit serb dhe këmbëngul se “Kosova është tokë serbe, ku edhe drurët e blirit janë drurë sllavë(…). E drejta serbe mbi Kosovën mbështetet në të drejtën mbi atë tokë të mbjellë me drithëra nga serbët, që qëndrojnë tani në atë tokë, bashkë me jetën dhe punën e mëparshme të prindërve, të gjyshërve, të stërgjyshërve, të katragjyshërve dhe të stërgjyshërve të katragjyshërve të tyre… Kjo e drejtë nuk ka nevojë për legjenda e, hiç më pak, për mite (…). E drejta serbe mbi Kosovën buron mbi këtë bazë dhe nuk e di se çfarë loje po luan historia, që ua ka konfiskuar Kosovën serbëve dhe, në këtë mënyrë, është bërë një padrejtësi e madhe (…)”.

Përkufizimi i Kosovës si “Kosovë serbe” në librin e Peter Handkes, është shembull i trajtimit të njëanshëm të fakteve shoqërore dhe mungesë e respektit për barazinë e të gjithë njerëzve në Kosovë. Shpifjet se gjoja “shqiptarët kanë konfiskuar Kosovën” dhe se gjoja kanë “ndryshuar emërtimet e toponimeve”, siç bën Peter Handke, janë sulme të drejtpërdrejta kundër shqiptarëve dhe luftënxitëse, sepse kanë për qëllim të mobilizojnë forcat ekstremiste serbe për të “çliruar Kosovën nga shqiptarët”!

Sado që dikush të përpiqet ta shohë ndaras veprën artistike të Peter Handkes nga angazhimet e tij në mbështetje të një ideologjie, që ka shkaktuar tragjedi të mëdha në Ballkan, mllefi “artistik” i këtij autori nuk meriton çmimin për letërsi, për shkak se kreativiteti i intelektit njerëzor në fushën e letërsisë duhet t’u rezistojë ideologjive shkatërrimtare.

Përveç mllefit antishqiptar të Peter Handkes, për shkak të gjoja “konfiskimit të Kosovës serbe”, për “padrejtësinë që u janë bërë serbëve”, Peter Handke fajëson edhe “praninë e forcave të KFOR-it në Kosovë”. Për këtë laureat të çmimit “Nobel”, pjesëtarët e KFOR-it janë “shpezë të çuditshme, që nuk mund të konsiderohen as si vizitorë, as si mysafirë, të cilët, para bombardimeve të NATO-s, kishin ardhur në Kosovë si ndërmjetësues, si arbitra ose thjesht si vëzhgues ndërkombëtarë…”. Në penën “artistike” plot helm të Peter Handkes, pjesëtarët e kësaj force janë “njerëz pa atdhe, që kishin ardhur në Kosovën serbe për të gjetur në atdheun e tyre të ri së paku një strehë, për arsye se çdonjëri prej tyre kishte probleme ligjore në vendin e vet dhe nuk mund të kthehej atje. Janë si qyqe, që kanë ardhur të bëjnë vezët në foletë e të tjerëve: në Kosovën serbe”!!!

Prezantimi i pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Kosovë (KFOR-it) si të ishin kriminelë, që nuk mund të kthehen në vendet e tyre, të cilët kanë ardhur si qyqe për të bërë vezë në Kosovën serbe, është tejet përbuzës dhe shembull i mungesës së respektit dhe i paragjykimeve që mbretërojnë në penën e këtij laureati të çmimit “Nobel”. Përtej përbuzjes dhe mungesës së respektit që tregon ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur i trajton si “kriminelë” dhe si “qyqe”, Peter Handke shpreh urrejtje të papërmbajtshme ndaj shqiptarëve. Për laureatin e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2019, “shqiptarët nuk mund të krahasohen metaforikisht me asnjë kafshë. Të krahasohen shqiptarët me qyqet, është tepër e butë si metaforë”. Shqiptarët janë më të këqij se kafshët në veprën “artistike” të Peter Handkes! Për ta ilustruar se sa përbindësha janë shqiptarët, autori përmend një femër, që kishte ardhur për festën e Pashkës në Hoçë të Madhe dhe ishte prezantuar si “gazetare shqiptare e krishterë, që simpatizonte këtë enklavë. Por një javë më vonë, në gazetën “Der Spiegel” të Hamburgut, ajo kishte publikuar një shkrim jo për mënyrën si kremtohej Pashka në këtë vend, por paraqiste Hoçën e Madhe si strehë kriminelësh, kurse priftin si njeri të sferës politike…”.

Çdokush që ka lexuar veprën “Qyqet e Hoçës së Madhe”, ka vërejtur se me çfarë urrejtjeje fetare përshkruhen dy pjesët e qytetit të Mitrovicës. Në përshkrimin e pjesës veriore të Mitrovicës, Peter Handke sheh vetëm“katedrale të bukura ortodokse, ku përveç serbëve, në këtë pjesë të qytetit jetojnë edhe popuj të tjerë. Ndërkaq, në jug, sipas tij, jetojnë vetëm shqiptarët dhe mbizotërojnë kupolat e xhamive, si tenda të rrethuara me minare si raketa…, ku duhet të jesh i kujdesshëm të mos shqiptosh ndonjë fjalë në gjuhën serbe, të mos dukesh kureshtar dhe të mos prezantohesh si “écrivain”, “writer”, “shkrimtar” ose “poet”, sepse do të ngjallte dyshim te shqiptarët, të cilët tolerojnë vetëm gazetarët…”!

Prezantimi i pjesës jugore të Mitrovicës si vend, ku gjoja jetojnë vetëm shqiptarët dhe fshehja e faktit se në këtë vend jetojnë edhe boshnjakë, romë, ashkali dhe turq, është tendencioz, për të arsyetuar pretendimin e propagandës ideologjike serbe, për gjoja “konfiskimin e Kosovës serbe nga shqiptarët”. Nuk mund të ketë mungesë më të madhe respekti për barazinë e të gjithë njerëzve, sesa mohimi që i bën Peter Handke ekzistencës së boshnjakëve, romëve, ashkalinjve dhe turqve në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, malazezët, ashkalinjt, egjiptianët, turqit janë gjithandej ku kanë qenë edhe më parë, dhe përfaqësohen në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës. Është problem i Peter Handkes, që ka përqafuar pa asnjë rezervë ideologjinë e nacionalizmit serb dhe që pretendon se aty ku nuk ka serbë është tokë e askujt, një “noman’s land”, që e përmend aq shpesh.

Për të ngjallur urrejtjen kundër shqiptarëve, në “Qyqet e Hoçës së Madhe” ai shpif se gjoja “një serb me probleme në veshkë, i cili duhet të bënte dializë dhe të trajtohej çdo javë në spitalin e Prizrenit, është përballur me fyerje nga shqiptarët”. Për të qenë më bindës në rrëfimin e vet, autori sajon “një mjeke me origjinë turke, që ishte treguar shumë e sjellshme me këtë serb, e paskësh trajtuar si pacientët e tjerë dhe e gjithë kjo për arsye se turqit kanë mësuar të sillen si zotërinj, kurse shqiptarët kurrë nuk mund të sillen si zotërinj”!

Në përshkrimin e festës së Pashkës ortodokse në Hoçë të Madhe, kjo vepër e Peter Handkes arrin kulmin e urrejtjes religjioze dhe etnike. Sipas përshkrimit “artistik” të këtij autori, “sapo filluan të binin kambanat e kishës, u dëgjua njëkohësisht zëri kumbues i myezinit të fshatit shqiptar, që ishte afër fshatit Hoçë e Madhe, i cili bënte thirrje për faljen e orës 11, si dhe lehjet e qenve endacakë”!!! Shqiptarët e përkatësisë religjioze islame dhe qentë endacakë ua prishën banorëve të Hoçës së Madhe festimin e Pashkës!

Një gënjeshtër e tillë mund të përhapet vetëm nga mendjet e robëruara prej ideologjisë së ngarkuar me urrejtje etnike dhe religjioze. Edhe pse është i vetëdijshëm, se falja e drekës në asnjë rast nuk bëhet në orën 11, Peter Handke gënjen qëllimisht, për të krijuar përshtypjen se kleri mysliman ndryshon edhe orën e kohës së faljes, vetëm e vetëm për të penguar festën e krishterë! Mungon vetëm akuza e koordinimit me qentë endacakë, për t’u bërë edhe një të padrejtë serbëve në Kosovë!
I nderuari z. Malm.

Mund të vazhdoj me shembuj të shumtë dhe të arrijmë tek i njëjti rezultat: vepra e Peter Handkes ka më shumë nxitje të urrejtjes religjioze dhe ndëretnike sesa art të mirëfilltë. Si e tillë, autori i këtyre veprave nuk e meriton të jetë laureat i çmimit “Nobel” për letërsi, sepse do të përligjte përbuzjet, talljet dhe fyerjet që u bëhen viktimave të ideologjisë së nacionalizmit serb, të “ambalazhuara me stofin artistik” të Peter Handkes.

P.S.

Në vitin 2014 Peter Handke fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Henrik Ibsen”. Shumën prej 50 mijë eurosh ua dërgoi banorëve serbë të Hoçës së Madhe në Kosovë.

Nuk duhet të habitet askush, në rast se Peter Handke ua dhuron forcave ekstremiste serbe vlerën monetare të çmimit “Nobel”, për të “çliruar Kosovën nga konfiskimi shqiptar”.

Me respekt
Bardhyl Mahmuti,
politolog Zvicër

Komiteti i çmimit Nobel nderon një mbrojtës të gjenocidit

Slavoj Žižek Op-Ed

Dhënia e çmimit Nobel për Peter Handke është incidenti më i fundit fatkeq në një seri sosh për çmimin Nobel në letërsi, nga vendimi i çuditshëm për t’ia dhënë Bob Dylan-it në vitin 2016 deri te skandali i sulmeve seksuale të vitit të kaluar. Kur Handke kërkoi shfuqizimin e këtij çmimi në vitin 2014 e pati bërë duke thënë se është një “kanonizim falls” i letërsisë. Fakti që tashmë pikërisht ai e ka fituar vërteton se ka patur të drejtë.

Kjo është Suedia e sotme. Nëse komiteti i Nobel-it do të kishte patur sado pak guxim do t’ia kishin dhënë çmimin për paqe Julian Assange-it (njërit prej heronjve të kohës tonë), ndërsa në vend të kësaj preferuan të nderojnë një apologjet të gjenocidit.

Këtu kemi të bëjmë me shembullin më të fundit të asaj që Robert Pfaller e quan “Interpasiviteti” i majtistëve Perëndimore: duan të jenë autentikë përmes një Tjetri i cili jeton autentikisht në vend të tyre. Për vite me radhë Handke e kaloi jetën e tij autentike në interpasivitet, i çliruar nga korrupsioni i kapitalizmit konsumerist Perëndimor, përmes sllovenëve (mamaja e tij ishte sllovene). Për të, Sllovenia ishte një vend ku fjalët përshenjonin menjëherë objektet (në dyqane, qumështi emërtohej “qumësht”, duke anashkaluar emrat tregtar të markave, etj). Pavarësia e Sllovenisë dhe gatishmëria e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian kanë ndërsyer tek ai një agresivitet të dhunshëm ndaj sllovenëve duke i shpërfillur si skllevër të kapitalit austriak dhe gjerman, me arsyetimin se ia kanë shitur trashëgiminë e tyre Perëndimit. E gjithë kjo sepse loja e tij interpasive u trazua. Me fjalë të tjera, sepse sllovenët nuk vazhdonin më të silleshin në mënyrën që ia mundësonte atij të jetonte autentikisht përmes tyre. Prandaj, nuk përbën çudi kthesa e tij nga Serbia si mbetja e fundit autentike në Europë, duke i krahasuar serbët e Bosnjes tek rrethonin Sarajevën me indigjenët amerikanë kur rrethonin një kamp të kolonizatorëve të bardhë.

E thënë shkurt, ashtu siç shprehej Gilles Deleuze, “nëse ke ngecur në ëndrrën e tjetrit, ta kanë futur”: ne sllovenët kishim ngecur në ëndrrën e Handke-s ku pritej të jetonim sipas asaj. Ironia e madhe këtu është fakti se ai ka përzgjedhur Millosheviçin si Tjetrin e tij autentik që ia mundëson të mbahet pas nostalgjisë Jugosllave, pikërisht politikanin më përgjegjës për vdekjen e Jugosllavisë.

Në Fenomenologjinë e Shpirtit, Hegeli përmend ‘valëvitjen e heshtur të shpirtit’: puna e nëndheshme e ndryshimit të koordinatave ideologjike, më së shumti e padukshme për syrin publik, e cila më pas papritmasi shpërthen, duke i kapur të gjithë gafil. Kjo po ndodhte në ish-Jugosllavinë e viteve ’70 dhe ’80, sa kur gjithçka shpërtheu në fundin e viteve ’80, tashmë ishte tepër vonë, konsensusi i vjetër ideologjik ishte tërësisht i kalbur dhe u shkërmoq përbrenda vetvetes. Jugosllavia në vitet ’70 dhe ’80 ishte si macja proverbiale e filmave vizatimorë e cila vazhdon të ecë edhe pse është përmbi greminë dhe e cila bie vetëm kur, më në fund, bëhet e vetëdijshme se nuk ka themel të palëvizshëm nën këmbët e saj. Millosheviçi ishte i pari që na detyroi të vërenim poshtë këmbëve tona greminën. Aktorët kryesorë të këtij korruptimi sekret ishin poetët nacionalistë, dhe për të shmangur iluzionin e kompleksit poetiko-ushtarak si një specialitet ballkanik, mund të përmendim të paktën Hassan Ngeze, Karaxhiqin e Ruandas i cili, në gazetën e tij Kangura, sistematikisht shpërndante urrejte anti-Tutsi dhe bënte thirrje për gjenocid ndaj tyre.

Kjo është arsyeja pse unë nuk mendoj se mundemi t’i ndajmë konsideratat politike dhe etike nga letërsia. Pothuajse një shekull më parë, duke iu referuar ngritjes së Nazismit në Gjermani, Karl Kraus ia pati qëlluar kur thoshte se Gjermania, vendi i poetëve dhe mendimtarëve, u bë vendi i gjykatësve dhe ekzekutorëve – sot, në epokën tonë të spastrimeve etnike, po ndodh i njëjti shndërrim. Edhe në tekstet e tij më apolitike (mjafton të kujtojmë poezinë mufatëse të Himmel über Berlin), Handke mbajti rolin e poetit në dyshen Poet dhe Ekzekutorë. Përsiatjet apolitike mbi natyrën komplekse të shpirtit dhe gjuhës janë stofi përmes të cilit thuret spastrimi etnik.

Përktheu nga origjinali Pavjo Gjini nga Nyje.al, sqarimet e mëposhtme i takojnë kësaj faqeje:

Ky shkrim është botuar me datë 15 tetor 2019, në website-in e revistës javore të politikës, kulturës dhe aktualitetit botëror “The Spectator”.

Për përkthimin dhe ribotimin e tij kemi respektuar të drejtat e autorit duke marrë paraprakisht miratimin e kryeredaktorëve të revistës.

Fakte për Nobelin e Paqes

Periskopi.com Lajme

Çmimi Nobel për Paqen, i dhënë për herë të parë në vitin 1901, nderon ata që kanë bërë punën më të madhe ose më të mirë për miqësinë midis kombeve, për heqjen ose zvogëlimin e ushtrive, si dhe për mbajtjen dhe promovimin e kongreseve të paqes.

Fakte të tjera për çmimin:

Çmimi për paqen e ka marrë emrin nga industrialisti suedez, Alfred Nobel, i cili shpiku dinamitin.

Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore kontribuan në vendimin e komitetit për të mos dhënë çmime në disa nga vitet në vijim, 1914, 1915, 1916, 1918, 1923, 1924, 1928, 1932, 1939, 1940, 1941, 1942, 1943, 1948, 1955, 1956, 1966, 1967 dhe 1972.

Pesë anëtarët e komisionit emërohen nga parlamenti norvegjez për një mandat gjashtë vjeçar. Ata janë të pavarur nga parlamenti.

Politikanët, akademikët, ish-fituesit e çmimit, drejtorët e instituteve të kërkimit të paqes dhe anëtarët aktual dhe të kaluar të Komitetit Nobel janë mes atyre që kanë të drejtë të propozojnë kandidatë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka fituar tre herë çmimin (1917, 1944, 1963), ndërsa Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, dy herë (1954 dhe 1981).

Themeluesit të Kryqit të Kuq, Henry Dunant dhe themeluesit francez të shoqërisë së paqes, Frederic Passy, iu dha çmimi i parë Nobel për Paqen.

Fituesja më e re ka qenë Malala Yousafzai, 17 vjeçe, në vitin 2014.

Më i moshuari, Joseph Rotblat, 87 vjeç, në 1995.

Që nga viti 1905, 17 gra kanë fituar çmimin, e para në vitin 1905 dhe e fundit në 2018.

Le Duc Tho, i cili fitoi çmimin së bashku me Henry Kissinger, në vitin 1973, për negocimin e marrëveshjes së paqes që do të përfundonte luftën e Vietnamit, deklaroi se nuk mund ta pranonte pasi paqja nuk ishte vendosur akoma.

Tre fitues u burgosën në kohën e çmimeve të tyre, pacifisti gjerman dhe gazetari Carl von Ossietzky (1935), avokatja e demokracisë në Mianmar, Aung San Suu Kyi (1991) dhe aktivisti kinez për të drejtat e njeriut, Liu Xiaobo (2010).

Dag Hammarskjold-it iu dha çmimi pasi humbi jetën, në vitin 1961.

Nga viti 1974, fondacioni ”Nobel” vendosi që çmimi nuk mund të jepej pas vdekjes, përveç rasteve kur ndodh pas shpalljes së Nobelit.

Emrat e të nominuarve për çmimin Nobel për Paqe mund të mos bëhen të ditur për 50 vjet. Tashmë e dimë se Joseph Stalin, ishte nominuar dy herë, dhe Adolf Hitler, në vitin 1939. Mahatma Gandhi u nominua në vitet 1937, 1938, 1939, 1947 dhe 1948, pak para vrasjes së tij.

Në vitin 2016, u paraqit një numër rekord me 376 nominime, ku 228 ishin për individë dhe 148 për organizata. 301 nominimet në vitin 2019 përbëjnë numrin e katërt më të madh të kandidaturave.

Që nga viti 2019, janë dhënë çmime për 107 individë dhe 24 organizata.

Çmimi i këtij viti vlen 9 milion korona (908 000 dollarë).

Vinca: Skandaloz vendimi i Nobel për Handke, Kadare të tërhiqet përfundimisht nga kandidatura

Periskopi.com Lajme

Studiuesi i Letërsisë dhe shkrimtari, Agim Vinca, ka thënë se nuk e konteston talentin e Peter Handke si shkrimtar, i cili dje fitoi Çmimin Nobel për Letërsi.

“Por ne e kontestojmë integritetin moral të këtij shkrimtari sepse arti, letërsia e ka mision humanizmin. Handke ka cenuar rëndë imazhin e shkrimtarit, të intelektualit, të krijuesit…”, ka thënë Vinca, njofton Klan Kosova.

“Hankde ka marrë pjesë në varrimin e Sllobodan Millosheviqit dhe ka mbajtur një fjalim. I ka bërë vizitë Millosheviqit në Hagë, madje edhe Karaxhiqit. Është pozicionuar gabimisht. Ai ka fyer rëndë viktimat e luftës në Kosovë – 12 mijë të vrarë, në Bosnjë edhe më shumë. Komiteti i Nobelit ka bërë një gafë të rëndë me të cilin e ka cenuar rëndë integritetin e çmimit Nobel”.

“Veprimet e Hankde janë skandaloze. Ai nuk është se ka bërë ndonjë artikull por si qytetar është vënë në anën e gabuar.  Zgjedhja e Akademisë suedeze këtë herë është skandaloze, e paprecedent. Përveç që është fyerje për të gjithë ne ky vendim provokon rëndë ndjenjat e popullit.

Vinca ka thënë në Info Magazine se pas vendimit skandaloz që Handke të shpallet fitues i Nobel, kandidati për këtë çmim, shkrimtari i madh nga Shqipëria, Ismail Kadare nuk duhet të kandidojë më.

“Nobel edhe më përpara ka pasë huqje. Nuk besoj se do të revokohet, por duhet të kërkojmë nga toka në qiell, që çmimi të revokohet bile mendoj se Ismail Kadare do të duhej të dilte me një deklaratë. Qe 30 vjet kur Shqipëria ka kaluar në pluralizëm kjo nuk po ndodh. Siç janë gjërat ai nuk ka gjasa që ta fitojë këtë çmim”.

“Kadareja ynë duhet të heqë dorë përfundimisht nga kandidatura a dhe se të thotë se nuk do që ta marrë këtë çmim, në bazë të vendimit për Handke dhe nëse nuk revokohet ky çmim”.

‘Nënat e Srebrenicës’ kërkojnë tërheqjen e Nobelit për Handken

Periskopi.com Lajme

Shoqata e njohur boshnjake ”Nënat e Srebrenicës” dënuan ashpër vendimin për dhënien e çmimit Nobel për Letërsinë për shkrimtarin austriak, Peter Handke i akuzuar se ka mbështetur krimet e Slobodan Milosheviqit, Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit.

Ato shtuan se do të kërkojnë zyrtarisht tërheqjen e këtij çmimi.

“Në emër të ‘Nënave të Srebrenicës’ do t’i dërgojmë një letër zyrtare komitetit të Nobelit për tërheqjen e çmimit për Peter Handke”, tha Munira Subashiq, presidente e shoqatës.

”Një njeri që ka mbrojtur kasaphanën e luftërave ballkanike nuk mund të marrë një mirënjohje të tillë”, theksoi ajo.

Handke është një filo serb dhe është akuzuar nga boshnjakët për mohim të krimeve të kryera nga serbët gjatë luftërave të viteve ’90 në ish-Jugosllavi.

Kritika të ashpra për austriakun u bënë edhe nga anëtari boshnjak i presidencës së vendit Shefik Xhaferoviq.

”Kjo është skandaloze dhe e turpshme”, deklaroi ai.

 

VV: Nobeli për Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb

Periskopi.com Lajme

Lëvizja Vetëvendosja vlerëson se çmimi Nobel për Peter Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb.

Përmes një reagimi në Facebook, Vetëvendosje thotë se Akademia Suedeze vendosi që për vitin 2019 çmimi Nobel t’i shkojë shkrimtarit austriak Peter Handke.

“Justifikimi i vendimit që ka marrë akademia ka qenë tërësisht letrar, mirëpo letërsia ka një autor, të cilit i jepet çmimi. E ky autor, Peter Handke, ka qenë mbështetësi më i famshëm i spastruesit etnik, Millosheviqit, gjatë kohës kur elitat ndërkombëtare të kulturës, e më pas edhe ato të politikës, u distancuan dhe e dënuan politikën e tij gjenocidale. Ç’prej 1996 Handke u angazhua me publicistikë në mbështetje të veprimeve kriminale të Serbisë në Bosnjë, duke u përpjekur të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ku humbën jetën mijëra të pafajshëm. E në 1999, kur miliona shqiptarë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre, Handke doli në përkrahje të Millosheviqit. Në 2006, kur kryeshovinisti serb vdiq i padënuar kurrë, në burgun e Hagës, shkrimtari austriak mori pjesë në ceremoninë funerale, ku mbajti një fjalim lavdërues për Millosheviqin para dhjetëra mijëra adhuruesve të atij krimineli”, thuhet në reagim.

Për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, thuhet në reagimin e VV-së, për mbi 12.000 të vrarët gjatë luftës, për mbi 20.000 gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë.

“Plagët ende të pambyllura, dhembin e djegin. Nuk është letërsi e mirë, nuk është letrar i mirë, ai që i bashkohet dhunës së luftës, ai që poshtëron e fyen viktimat. Lëvizja VETËVENDOSJE! zyrtarisht proteston ndaj dhënies së këtij çmimi për këtë autor”, thuhet në reagim.

 

Peticion për revokimin e çmimit Nobel për Handken

Periskopi.com Lajme

Në rrjetet sociale tashmë ka nisur një peticion për revokimin e çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Në këtë peticion, theksohet se Handke ishte përkrahës i “kasapit të Ballkanit” Slobodan Millosheviq.

PETICIONIN E GJENI KËTU

“Ishte mbështetës ndaj personit që ishte përgjegjës për vdekjen e qindra mijëra njerëzve të pafajshëm dhe dhjetëra mijëra grave dhe burrave të dhunuar. Një person që mbron një përbindësh të tillë nuk meriton një njohje më të thjeshtë letrare, e lëre më një çmim Nobel”, thuhet ndër tjera në peticion.

Sot gjatë ditës pati reagime të shumta ndaj ndarjes së këtij çmimi për Handke.

Handke njihej si përkrahës i Sllobodan Millosheviqit dhe si person që haptas kishte mohuar masakrat në Ballkan.