Madonna largohet nga pallati portugez

Periskopi.com Showbiz

Pop-diva Madonna (60) po shpërngulet nga një pallat në Portugali, ku ka jetuar dy vjetët e fundit. Pronari i pronës ia ofroi këngëtares ta blinte pallatin për 7.5 milionë dollarë, ndërsa ajo nuk u pajtua.

Këngëtarja u transferua në një shtëpi luksoze të shekullit të 18-të për ta mbështetur ëndrrën e djalit të saj Davidit (13), i cili dëshironte të luante futboll në ekipin e të rinjve të Benfica, sipas “The Sun”.

Një burim për mediat britanike zbuloi se Madonna së shpejti do të niset në turneun ‘Madame X’, i cili zgjat deri në mars të vitit të ardhshëm, andaj ajo nuk do të kalonte kohë në pallat, kështu që ishte më e dobishme ta lëshonte atë me qira. Gjë që edhe e bëri.

Javën e kaluar ajo performoi në New York dhe iu ankua publikut se po ndihej e vetmuar në Portugali.

“U transferova në Lisbonë për të qenë një nënë e futbollistit. Doja të isha nënë e futbollistit. Mendova se do të ishte diçka aventureske, por e kuptova që ndihesha e vetmuar, se nuk kam miq. Fillova të mërzitesha”, – zbuloi këngëtarja.

Përveç pallatit në Portugali, këngëtarja e ka blerë një shtëpi në New York ku e ka një ndërtesë katërkatëshe në “Upper East Side”, një lagje luksoze me pamje nga Central Parku, shkruan KOHA Ditore.

Ajo e bleu shtëpinë luksoze për 33 milionë dollarë, 4.3 milionë dollarë më pak se çmimi i kërkuar. Mbretëresha e popit dhe fëmijët e saj i kanë në dispozicion 13 dhoma gjumi, 14 banja, një ashensor, një bodrum vere, një garazh dhe një kopsht të madh.

Shtëpia dhe prona në Londër vlerësohen në 26.7 milionë dollarë. Ajo i ka 15 banja, dy dhoma të ditës dhe dy shtëpi për mysafirët. Mbretëresha e popit u rrit në Rochester Hills, Michigan, ndërsa shtëpia e saj e fëmijërisë u shit për 48.000 dollarë.

Çmimi do të kishte qenë më i lartë, por këngëtarja zbuloi se shtëpia e saj e dikurshme ishte dëmtuar në një zjarr në vitin 2008.