Vdes në moshën 100-vjeçare pionieri i rokut, Dave Bartholomew

Periskopi.com Showbiz

Pionieri i rockut, Dave Bartholomew, i cili ka punuar ngushtë me Fats Domino dhe e ka kompozuar këngën e vetme nr. 1 të Chuck Berry, “My Ding-A-Ling”, ka vdekur në moshën 100- vjeçare, deklaroi familja e tij.

Ai e kremtoi ditëlindjen e tij të 100 më 24 dhjetor të vitit të kaluar, pas një karriere që e përfshinte pranimin në Rock and Roll Hall of Fame, Songwriters Hall of Fame dhe Louisiana Music Hall of Fame.

“Trupi i tij thjesht u dorëzua. Babi ishte 100 vjeç e gjashtë muaj. Kishte ardhur koha”, tha djali i tij Dave Bartholomew Jr. për Associated Press. Ai la pas vetes gruan, tetë fëmijë dhe 25 nipër e mbesa, shkruan KOHA Ditore.

I frymëzuar nga Louis Armstrong, Bartholomew (nga New Orleans) filloi të interpretonte në trombë në moshën pesëvjeçare dhe filloi të punonte në big-band në vitet ’30, duke u ngritur në pozitën e udhëheqësit dhe aranzhuesit të bendit. Në dekadën pasuese ai e filloi partneritetin e tij me Domino, gjë që e bëri këngëtarin dhe pianistin emër të njohur me hite, që përfshinin “Ain’t That a Shame”, “I’m Walking” etj. Në periudhën e tyre fillestare të bashkëpunimit 14-vjeçar nga viti 1949 deri në vitin 1963, ata i arritën më shumë se 100 këngë që u përfshinë në top-lista.

“Në fakt, asnjëherë nuk u ulëm për të shkruar diçka. Ai dhe unë vetëm interpretuam”, tha Bartholomew në vitin 2010. “E mbaj mend një herë në ‘I’m in Love Again’, dolën jashtë dhe dikush tha, ‘Mos lejo të të kafshojë qeni.’ (‘Don’t let the dog bite you.’). Dhe kështu u kthyem dhe e vendosëm atë në këngë.”

Materiali i tij u këndua nga Elvis Presley, Ricky Nelson, Pat Boone dhe shumë të tjerë, ndërkohë që edhe ai e kishte një numër të hit singleve, më i suksesshmi nga të cilët ishte “Country Boy”, i cili arriti në vendin e 14-të në top-listën R&B, në vitin 1950.