Analisti Maliqi: Në muajt e ardhshëm do ta shohim Albin Kurtin të zhveshur, jopopulist

Periskopi.com Lajme

Analisti Agon Maliqi është i ftuar në emisionin Rubikon të KTV-së përballë moderatorit Adriatik Kelmendi për të folur për zhvillimet politike që e presin Kosovën në muajt dhe vitet e ardhshme.

Ai ka folur gjatë për mandatarin për formimin e qeverisë së re, z.Albin Kurti, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i ri i Kosovës pas koalicionit të partisë së tij me LDK-në.

“Albin Kurtin do ta shohim të zhveshur në tre-katër muajt e ardhshëm, si jopopulist,” deklaroi z.Maliqi, transmeton Periskopi.

Më tej, ai ka shtuar se Kurtit do t’i duhet të përballet me Listën Serbe, e të cilën Gjykata Kushtetuese e kërkon si pjesë të Qeverisë së Re.

Rezultati i keq zgjedhor i partive serbe lojale ndaj Kosovës e ka dëmtuar rëndë Kosovën por edhe Kurtin, ka theksuar ai, duke shtuar se në rrethanat aktuale mundësitë janë të kufizuara.

Sa i përket dialogut, Maliqi ka thënë se nuk ka pasur qëndrime të qarta se si shihet kjo temë.

“Vizitat jashtë i kanë pasur në vende të ndryshme. Nuk e kemi idenë se ku qëndron ky koalicion rreth kësaj teme. Dhe jo vetëm rreth taksës e reciprocitetit.” – ka thënë ai. /Periskopi