Albin Kurti paralajmëron prokurorët specialë: Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë, nuk mund të qëndroni pasivë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka kujtuar miratimin e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, më 30 maj të këtij viti.

Ky kod ia ka  mundësuar sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë.

Kurti ka thënë se ende pas gjashtë muajve Prokuroria Speciale nuk ka nisur hetimet dhe akuzat ndaj masakruesve të popullit kosovar.

“Gjashtë muaj më parë, me 30 maj, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke ia mundësuar sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë. U gëzuam kur u amandamentua ky ligj, sepse më në fund edhe Kosova po ndiqte shembullin e Kroacisë, duke fituar të drejtën për t’i përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë, e jo vetëm brenda kufijve tanë. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht, sepse janë ende gjallë të mbijetuarit e familjarët e viktimave”, ka shkruar ai.

“Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj?”.

Kurti ka thënë se prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë aq pasivë në lidhje me këtë çështje.

“Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë, jo vetëm përballë kombit tonë, por përballë gjithë njerëzimit. Prokurorët specialë nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në lidhje me këtë”, ka thënë ai.