Aksioni në Veri – Njohësit e sigurisë flasin për Periskopin

Periskopi.com Lajme

Në veri të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka zhvilluar një aksion të gjerë, prej ku kanë mbetur  19  persona të arrestuar dhe pesë zyrtar policorë të lëndurar, ndër ta edhe 6 qytetar. Gjatë këtij aksioni, i cili kishte filluar të hetohet një vit më parë, u konfiksuan armë e para. Operacioni i policisë ngjalli reagime të shumta në vend, por edhe jashtë vendit, reagime kishte nga Serbia dhe Bashkimi Evropian – shkruan Periskopi.

E ndërsa, njohësit e sigurisë kanë mendime të ndryshme se si duhet të vepruar pas këtij aksioni.

Nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë bëjnë thirrje që deklarimet e institucioneve të jenë të kujdesshme, raporton Periskopi.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë rrëziku për destabilizimin e situatës së sigurisë nuk ka të bëjë me intervenimin e policisë, por me vendin se ku ka ndodhur aksioni dhe se veprime rivanshuese mund të ekzistojnë.

“Kështu që në esencë rreziku për destabilizimin e situatës së sigurisë pas këtyre aksioneve nuk ka te bëjë aq me intervenimin e Policisë së Kosovës atje. Kjo më tepër ka të bëjë me faktin se rajonin ku kanë ndodhur aksioni, pjesë përbërëse të aktiviteve kriminale janë edhe eksonent me ndikim edhe në rrafshin politik atje”, tha Vranjolli për Periskopi.

“Madje, në shumë raste këta eksonent janë përflitur se kanë lidhshmëri të drejtpërdrejtë me Beogradin zyrtar dhe kanë shërby si marionetë për të mbajtur të ngrirë konfliktin në këtë pjesë të Kosovës. Andaj rreziku që këta eksonent të aktivizohen dhe të synojnë që të ndërmarrin veprime rivanshuese gjithsesi ekziston”, u shpreh Vrajolli.

Ai gjithashtu ka apeluar që institucionet të kenë kujdes në deklarimet e tyre dhe të jenë të matura.

“Ajo çfarë duhet të kemi kujdes është se institucionet e vendit duhet të jenë tejet të matura me deklaratat e tyre. Aksionet e këtilla si ky i sotmi asesi nuk duhet të prezantohet si aksion gjoja ‘më patrotik’ se sa cilido aksion tjetër që ka ndodhur në Kosovë, e që kanë pasur qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit në vend”, tha ai.

Ndër të tjera Vranjolli tha se aksionet të tilla duhet të vazhdojnë në tërë Kosovën.

“Andaj, aksione të permasave të tilla duhet të vazhdojnë edhe në pjesët e tjera të vendit e jo ato te vihen nën hije të aksioneve si ky i sotit”, tha ai për Periskopin.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami në një prononcim për Periskopin ka thënë se nga ky aksion në aspektin e sigurisë nuk do të ketë implikime të tjera.

“Mendoj se në aspektin e sigurisë nuk do të ketë implikime të mëtutjeshme, përshkak se për ruajtjen e sigurisë tokësore dhe ajrore të territorit të Kosovës është i autorizuar KFOR’i dhe kësisoj Policia e Kosovës po e kryen punën e vetë në përputhshmëri të plotë më ligjin”, tha Islami.

Sipas tij, Serbia po tenton para BE’së ta paraqes veriun si pjesë të ‘okopuar’ e që në fakt është territor i Kosovës.

“Kinse aksioni i tillë është ndërmarrë t’i frikësoj serbët në veri është tendencë e Serbisë që ta paraqet para BE’së veriun si pjesë të ‘okupuar’  e që është territor i Kosovës dhe kinse atje  po mirren masa për t’i frikësuar qytetarët”,  u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai tha se ky aksion u dashtë të ndërmirret më herët sepse në veri funksionon ligji i xhunglës.

“Operacioni policorë është aksion i cili u dashtë të ndërmirret më parë, kur dihet se krimi i organizuar në Kosovë po lulëzon, pavarësisht tendencave të institucioneve të sigurisë, dihet që në Veri të Kosovës atje funksionon ligji i xhunglës, ata e kanë ba vet ligjin dhe atje nuk ka funksionu as ligji i Kosovës as i Serbisë. Me vet faktin që në veri arrestohen njerëz të strukturave paralele serbe me uniforma të Kosovës tregon se atje është dashtë kaherë të mirret aksion policorë, mendoj se aksioni i Policisë së Kosovës është aksion i drejtë dhe duhet të vazhdoj më tutje dhe nuk ka asgjë të keqe”, tha Islami për Periskopin.

Kujtojmë, se aksioni i Policisë së Kosovës filloi në orët e hershme të mengjesit dhe hasi në një rezistencë nga strukturat kriminale në veri, duke i bllokuar rrugët dhe penguar këtë aksion./PERISKOPI/