Kosova ka ngecje në zbatimin e ligjit për barazi gjinore

Periskopi.com Lajme

Kosova ka kornizë të mirë ligjore për barazi gjinore, por ka ngecje në zbatimin e saj, gjë e cila vë në pah nevojën që ka vendi për më shumë gra në politikë.

Kështu u tha në takimin “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë” të Rrjetit të Grave të Kosovës, ku u theksua se fuqizimi i vajzave dhe grave do të thotë fuqizim i tërë shoqërisë.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, tha se lobi i grave gjatë këtyre viteve ka realizuar shumë takime nëpër komuna.

“Ne kemi menduar që të bëjmë një projek katër vjeçar. Synimi kryesor është fuqizimi i grave në politikë. Për ndryshim, na duhet të ketë gra në vendimmarrje”, tha ajo.

Annette Fath Lihic nga Zyra e Përfaqësueses së Posaçme të BE-së në Kosovë, tha se bashkësia evropiane mbetet e përkushtuar që të ndihmojë në rritjen e përqindjes së grave në politikë. Sipas saj, solidariteti mes grave është thelbësor.

“Falë këtij projekti, sot kemi rezultatet e para që më bënë të lumtur. Kjo është në vazhdim me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sepse fuqizimi i grave është çështje qenësore. Korniza për barazinë gjinore në Kosovë është formuar mirë, por problemi qëndron te zbatimi. Duhet të shfrytëzoj këtë mundësi që të thërras autoritet kosovare që të mbyllin këtë hapësirë mes zbatimit dhe legjislacionit”, tha ajo.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson tha se barazia gjinore ka të bëjë me fuqinë dhe fuqia lidhet me politikën. Ajo tha se duhet të ketë iniciativa për rritjen e kuotave për gratë.

Edhe pse ka kritika ndaj kuotave, ajo u shpreh se kjo i ka dhënë rezultatet e veta. Sipas saj, ka ende rrugë për të bërë për barazinë gjinore.

“Kemi nevojë për më shumë gra në politikë. Në vendet ku kemi gra në politikë, impakti është më i madh. Kur kemi gra në politikë kemi pasur kujdesin për shtëpinë, kujdesin për të moshuarit, pushimin e lehonisë. Mirëpo kjo nuk është vetëm ajo ku gratë janë të interesuara, ato janë të mira në ekonomi, infrastrukturë dhe fusha të shumta tjera. Të mos vijë puna që gratë të zgjedhin të jenë profesioniste ose të kenë familje. Duhet të kombinohen të dyja”, u shpreh ajo.

Richardson tha se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, teksa shtoi se shpreson që kjo të ndodhë së shpejti.

“Kosova nuk ka mundur të jetë anëtare e Agjendës 20-30, por në mënyrë vullnetare ka hartuar rezolutën në Kuvend dhe kjo është gjë e mirë sepse caqet e qëndrimeve të qëndrueshme.Do të thotë është një fuqizim. Në agjendë i kemi 17 caqe, dhe të gjithë e fusin fuqizimin e grave në kuadër të tyre”, tha ajo.

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli tha se ky projekt jo vetëm që do të arrijë të lëvizë gjërat që janë në interes për qytetarët, do të arrijë t’i bëjë bashkë të gjitha gratë për të mbështetur njëra-tjetrën.

Duke rritur numrin e grave në poste publike, ajo tha se ndihmohet ndryshimi i opinionit publik me aftësinë e grave për të marrë pjesë në politikë.

“Ndërsa ligji që thotë se gratë duhet të jenë 50 për qind në vendimmarrje nuk është zbatuar. Partitë duhet të respektojnë kuotën, duke mbështetur gratë si udhëheqëse në parti dhe në qeveri. Shoqëria civile dhe mediat duhet të angazhohen për vetëdijesim të qytetarëve për rëndësinë që ka ajo”, tha Mjaku-Topalli.

Rrjeti i Gravë kërkon të ndryshohet logoja e 11 vjetorit të pavarësisë ku shihet veç një burrë

Periskopi.com Lajme

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) janë të indinjuara me lansimin që iu bë rishtazi logos së 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku në plan të parë paraqitet vetëm silueta e një burrë, duke thënë se logoja aktuale është diskriminuese dhe e papranueshme, pasi sipas tyre, nuk njeh kontributin e grave në shtet-ndërtim.

RrGK dhe Lobi nuk pajtohen me deklaratën e dhënë nga përfaqësuesi i protokollit të shtetit, Orhan Hajrizi, sipas të cilit logoja është dizajnuar në mënyrë që të konsiderohet si dedikim drejt formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Jemi të bindura që puna dhe përfaqësimi i identitetit tonë shtetëror është promovuar shumë herë në këto vite nga gratë kosovare, e madje arritjet e tyre janë brohoritur nga vetë zyrtarët shtetërorë. Këto merita duhet të konsiderohen si të barabarta për nga niveli i rëndësisë dhe ri-theksojmë se njohja e kontributit të grave në ndërtimin e imazhit shtetëror duhet të reflektohet edhe në logon e 11-vjetorit të pavarësisë”, thuhet në reagim.

Rrjeti i Grave: Duam burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecajn

Periskopi.com Lajme

Pjetër Nrecaj është dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Valbonës, dhe vajzës së tij.

Ky vendim i marrë sot nga Gjykata Themelore e Gjakovës është tejet i ulët sipas Rrjetit të Grave, i cili kërkon burgim të përjetshëm për të pandehurin Nrecaj.

“Ne jemi shumë të pakënaqur me vendimin e marrë, vendimi është katastrofal i vogël në krahasim me krimin e bërë, ne si Rrjet i Grave jemi të pakënaqur me dënimin dhe kërkojmë burgim të përjetshëm”, ka thënë për KP Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Valbona Nrecaj u qëllua për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit, kurse  pesë orë më herët ajo kishte njoftuar policinë për kërcënimet që po i bëheshin nga ish-bashkëshorti.

Përmes protestës kërkohet drejtësi për Antigonën, e cila vdiq nga gjakderdhja tri ditë pas martesës

Periskopi.com Lajme

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon nesër protestë paqësore para objektit të Gjykatës në Rahovec, për të kërkuar drejtësi për Antigonën.

“Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Antigonës”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Rrejti nëpërmes protestës kërkon  urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec për rastin e të ndjerës Antigona Morina dhe dënim meritor për shkaktarin e vdekjes së saj, Hilmi Zenën.

I njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë, ndërsa ankesa e bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët në Gjykatën Themelore në Rahovec.

Andaj, RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti por edhe rasteve tjera të ngjashme, në përputhshmëri me Kodin Penal të Kosovës.

“Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.