Letra rrëqethëse e presidentit të FFK-së, Agim Ademi pas vdekjes së Shefqet Sinanit: Kujtimi për ty do të jetë i përjetshëm

Periskopi.com Sporti

Ish-futbollisti legjendar i FC Prishtinës, Shefqet Sinani ka vdekur.

Sinani ka qenë njëri prej futbollistëve më të mirë të kryeqytetasve në periudhën e ish-Jugosllavisë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka kushtuar atij një tribut tejet të vecantë, të cilin mund ta lexoni më poshtë.

Ndjehem thellësisht i trishtuar sidomos nga fakti se ngadalë po më ikin njerëzit që kisha ndarë me ta  sakrificën dhe krenarinë, në rrugëtimin tonë të futbollit të pavarur të Kosovës. Miku im, ishe brezi i artë i futbollit të Kosovës dhe vazhdove i qetë gjatë gjithë jetës duke dhënë gjithçka për të mirën e futbollit dhe të vendit. Modestia, këmbëngulja në të mirën, ngrohtësia, respekti  dhe  dashuria ndaj njerëzve ishin disa nga virtytet e tua, që të spikatën duke mbetur shembulli më i mirë i një njeriu të pavdekshëm për veprën që le mbrapa.

Miku im, ndjehem dyfishë i trishtuar jo vetëm si bashkëkohës dhe bashkëveprimtar i një periudhe të vështirë, por edhe nga pozicioni që mbaj, kur shoh se po shkëputet një hallkë e zinxhirit që e farkuam me mund e sprova nga më të ndryshmet. Çka do që shkruaj e flasë me duket tepër minore, karshi veprimtarisë tënde.

Miku im, jo vetëm unë por i gjithë komuniteti i futbolllit do të kujtojë me pietet, derisa puna e jote do të jetë udhërrëfyes i denjë për brezat që do të vijnë.

Kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm. Shpirti yt u bëftë dritë dhe u prehtë në paqe.

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Mikut yt
Agim ADEMI, president i FFK-së