Arti i realizmit kriminal: standardizimi i modelit të kriminelit përmes këngëve

Periskopi.com Kulturë

Në vitet 1950-të, dy teoricienët e njohur të Shkollës së Frankfurtit, Theodor Adorno dhe Max Horkheimer, shpjegonin konceptin e tyre të industrisë së kulturës në shoqëritë kapitaliste, duke marrë shpesh si shembull botën e kinematografisë. Ata tërhiqnin vëmendjen se si në Shtetet e Bashkuara, pothuajse, gjithmonë personazhet e filmave ishin të pashëm, kishin veshje të bukura, familje, shtëpi dhe makina të mahnitshme. Kishin Pasuri dhe stil të lakmueshëm jetese.

Adorno dhe Horkheimer e shpjegonin këtë dukuri si fabrikim modelesh nga industria e kulturës. Për ta, kinematografia dhe televizioni ishin mjetet që mund të standardizonin gjërat që duheshin konsumuar. Konsumimi në masë i këtyre gjërave përbënte atë kulturën popullore.

Nga ana tjetër konsultimi i shpeshtë me këto mjete të industrisë së kulturës çonte deri në atë pikë sa prej tyre mund të merreshin deri edhe standardizime të modeleve të jetesës. Me të tillë mënyrë, sipas Adornos dhe Horkheimerit, televizioni dhe kinematografia e Shteteve të Bashkuara në ato vite prodhuan versionin viziv të asaj që mbeti si: Ëndrra amerikane!.

Nëse analizojmë me të tillë qasje se kush është Ëndrra shqiptare! mund të themi se ajo buron nga pavetëdija shoqërore e ekzistencës së një kapitalizmi kriminal dhe është krijuar nga standardizimi i modelit të të bërit pasuri sa më shpejt pavarësisht kostove.

Pavarësisht nëse bëhet në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, të gjithë e kanë ëndërr të bëhen me para dhe në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Kjo ndodh sepse në shoqërinë shqiptare ai që ka më shumë para dhe e ekspozon atë, ka më shumë vlerë sociale.

Në Shqipëri nuk ka kinematografi të zhvilluar. Televizioni gjithashtu u zhvillua vonë dhe kryesisht prodhimtaria e tij është e huazuar. Sidoqoftë përtej këtyre dy mediumeve kultura popullorediktohet jashtë mase prej prodhimtarisë muzikore në internet, prodhimtari që duhet thënë se është tejet masive.

Nuk ka teoricien që mundet ta shpjegojë se si një popullatë 3-4 milionshe të mundet të gjenerojë një konsum shikueshmërie prej dhjetëra e qindra milionë shikime të videoklipeve në platformën YouTube.

Këngët dhe artistët që kanë më shumë shikueshmëri janë gjithmonë të rinj, kanë gjithmonë gjuhë të rëndë, kontekst të fortësh të dhunshëm dhe mënyrë jete prej të jashtëligjshmi. Promovimi kryesor i tyre është konsumi dhe trafikimi i drogës, kësaj pjese i thurret lavda dhe i bëhet jehonë, ndërsa – pothuajse – të gjitha videoklipet duhet të kenë makina të mahnitshme e të rralla, rroba të shtrenjta dhe aksesorë luksi.

Konsultimi deri në overdozë me miliona klikime i kësaj prodhimtarie 3-4 minutëshe standardizon konsumimin e një modeli të atillë të të riut që pasurohet shpejt, të riut që bën një jetë të shfrenuar, të riut që jeton kamjen dhe kamja që vjen nga droga.

Ky është arti i realizmit kriminal për një shoqëri që në pavetëdijen e saj ka kthyer në vlerë krimin. I riu që bën para shpejt, që e tregon në mënyrë materiale pasurinë dhe forcën është Ëndrra e çdo shqiptari.

Si arti i realizmit kriminal po normalizon kriminalen

Në shkrimin Arti i realizmit criminal, treguam se si shoqëria shqiptare ndërtoi një model artistik të kundërt me “ëndrrën amerikane“, duke u bazuar në shembuj të standardizuar nga bota e krimit. Në këtë shkrim të radhës, analizojmë se si, përmes kësaj rryme dhe medias, ndryshohen perceptimet e audiencës rreth të jashtëligjshmes dhe se si e jashtëligjshmja bëhet normalitet.

Realizëm kriminal quajmë rrymën e stilit, deri diku, realist, që përdoret përgjithësisht në muzikën hip-hop dhe nënkategoritë e saj. Kjo lloj rryme ka si qëllim përhapjen e një kodi vlerash dhe pikëpamjesh për jetën, që bazohen kryesisht te rruga, dhe, në disa raste, te krimi. Artistët që ndjekin këtë rrymë jo gjithmonë thonë të vërteta, por jo gjithmonë gënjejnë.

Në vitet ’70, duke studiuar ndikimet e televizionit tek audienca, George Gerbner pikasi se bota e televizionit funksiononte duke ripërsëritur vazhdimisht shfaqje dhe mesazhe, në thelb, të njëjta dhe se këtë formulë e aplikonin edhe mediume të tjera.

Gerbner shtjelloi se ekspozimi i gjatë i audiencës përballë kësaj ripërsëritjeje në vazhdimësi mund t’i ndryshonte asaj perceptimet dhe idetë për realitetin.

Teoria, që Gerbner e quajti teori e kultivimit, tregonte se, përmes ripërsëritjes, mediat ndjellin tek audienca modele të standardizuara idesh, sjelljesh, perceptimesh, rrymash të kohës, të cilat audienca i përthith dhe i përvetëson në raport me ekspozimin ndaj produktit mediatik.

Pa shkuar më tej në këtë teori të komunikimit masiv, le të ndalemi te karakteristikat e ripërsëritjes, ndjelljes së perceptimeve të standardizuara, dhe të analizojmë me një rast specifik të realizmit kriminal.

Në vitet e fundit, rryma e kohës ka qenë e mbushur me suksese muzikore, të cilat trajtojnë në mënyrë lëvduese sjelljen prej banditi, mbajtjen e armëve, trafikun e drogës, apo jetën ultraluksoze. Një nga ata që ka spikatur më tepër me këto mesazhe është Noizy (Rigels Rajku), i cili numëron mbi 1,3 milionë ndjekës në Instagram dhe mbi 740 milionë shikime në kanalin e tij në YouTube.

Së fundmi, ai botoi bashkëpunimin e ri New Benz (Benzi i ri) me artistin grek Sink (Dimitris Giannoulis). Në një fragment të këngës, pasi rikujton se ka 100 mijë euro te dora, Noizy rimon “transportojm’ me vaporra”.

Ky është varianti më i fundit i një motivi të zakonshëm të këngëve të tij, që nënkupton para të përfituara nga trafiku i drogës.

Vlera e orës që Noizy ekspozon në një nga videoklipet e tij.

Po me Sink, në një bashkëpunim tjetër të titulluar Gango, Noizy thotë se dikur jetonte nëpër rrugë “t’u sill veç me banda”, ndërsa tanimë shkon për shopping në Zurich e “mezi i çon çantat”.

Ka shumë këngë ku Noizy përmend direkt apo nënkupton veprimtari kriminale, por kënga 100 kile,përveçse jashtëmase e suksesshme, është edhe një ndër më të ngarkuarat me të tilla mesazhe.

Pasi thotë në shumës se “s’bën transport nën 100 kile”Noizy përmend kodin moral të bandave se “puna e pastër nuk ka hile”, duke nënkuptuar drogën me fjalët “pastërti”, “100 kile” dhe “e bardhë a jeshile”. Në këngë ai përmend, gjithashtu, armë si “Beretta” (lloj pistolete italiane) dhe e rimon me fjalën e zezë në “bizneset e zeza”.

Noizy shkon edhe më tej, duke bërë insinuatë se edhe ai vetë është pjesë e botës së krimit, në vargjet “Google my name! Google my name! Thjesht do t’dali këng’tari, por nësë ti sheh pak ma thell’, hëhë! Dije, n’k’to punë jam i pari”.

Jo çdo gjë në këngët e Noizy-it është e vërtetë, por jo çdo gjë është e gënjeshtërt.

Ora, makina, luksi që ai ekspozon në videoklipe është i vërtetë.

Makina Ferrari që Noizy shfaq në videoklipet e tij.

Në videoklipin e këngës 100 kile, Noizy shfaq për herë të parë makinën e tij Ferrari 488 GTB. Në një nga këngët e tij, ai këndon “çantën plot pare edhe pse kurrë s’mbajta libra”, duke vazhduar “shoh jashtë prej dritares, kam parku nja 5-6 bisha, prej 3.2 CDI tash me 488 GTB” (Gango).

Ky është aspekti viziv, të cilin audienca e merr të vërtetë dhe ia mbivendos narrativës së këtij artisti, narrativë që kryesisht tregon ose nënkupton veprimtari kriminale.

Narkotikët, bandat, armët dhe paratë e majme janë mesazhet kryesore të dhjetëra këngëve të Noizy-it, këngë që shihen qindra miliona herë.

Me këtë ripërsëritje të vazhdueshme, audienca është zhveshur nga perceptimet dhe idetë fillestare rreth këtyre veprimtarive.

Edhe pse armëmbajtja është e ndaluar dhe evazioni fiskal, trafiku i drogës dhe organizimi i bandave janë vepra të rënda penale, falë artit të rrymës së realizmit kriminal, audienca ka filluar t’i pranojë si diçka normale këto dukuri dhe si shembull për t’u ndjekur.

Noizy e “ka alltin krejt injorante, domethon s’ka edukat, nuk ja nin del cullak mes njerzvet ban shamat”—Gunz Up (Armët lart). Çunat e Noizy-it “jan on the grind 24/7, nëse s’kan’ përfitime çunat s’t’lejn’ rehat”—The baddest (Më i keqi)

Ripërsëritja e vazhdueshme e mesazhit, se transporti i së bardhës dhe jeshiles sjell para të majme sa për të blerë Ferrari, e bën audiencën ta besojë dhe lakmojë këtë mënyrë të të pasuruarit shpejt.

Në narrativën e realizmit kriminal shembulli i përcjellë në ripërsëritje të vazhdueshme tregon pandëshkueshmëri absolute. Asnjëherë Noizy dhe artistë të tjerë nuk thonë se u ndaluan, u arrestuan apo u burgosën nga policia.

Ky është mesazhi tjetër i tërthortë për audiencën: pandëshkueshmëria. Ndërsa në kronikat e lajmeve audienca mund të mësojë shpesh për arrestime kriminelësh, për trafikantë që kapen me sasi të mëdha droge, apo për persona të cilëve u sekuestrohet pasuria, në artin e realizmit kriminal nuk ndodh asnjëherë kështu—ndëshkimi apo pësimi nuk gjejnë vend në të.

Numri i madh i ndjekësve, si dhe ndikimi i jashtëzakonshëm që rrjetet sociale kanë te njerëzit, bën që personazhet si Noizy të diktojnë apo përcaktojnë se çfarë është e kohës dhe çfarë jo. Për këtë është i vetëdijshëm vetë Noizy, i cili deklaron se“nëse ti s’ke ni për ne, atëhere do t’thot’ që s’ke hec’ me kohën” (Grande). Pra, Noizy është diktues i rrymës se çfarë është e kohës dhe çfarë jo.

1,3 milionë ndjekës shohin përtej videoklipeve, shohin aspekte të përditshmërisë së Noizy-it, që megjithëse në to ka po aq aktrim sa edhe në videoklipe, audienca i percepton si të vërtetën e përditshmërisë së jetës së tij dhe ndërton pika referimi që bazohen mbi shembullin e tij.

Qëllimi justifikon mjetin dhe, nëse qëllimi i shoqërisë shqiptare është realizimi i ëndrrës shqiptare,për të cilën kemi shkruar më parë, atëherë kjo shpjegon se përse audienca nuk skandalizohet më, nuk tronditet dhe nuk i dënon aspak këto shfaqje të rrymës së realizmit kriminal.

Sepse pas një ekspozimi në vazhdimësi ndaj ripërsëritjeve të mesazheve të tilla, për perceptimin e audiencës shqiptare, e jashtëligjshmja tashmë është kthyer në normalitet./Exit.al/

 

Cila nga 15 bukuroshet shqiptare duken më joshëse në bikini: Nga Tayna e Oriola Marashi deri te Luana Vjollca

Periskopi.com Showbiz

Temperaturat tashmë janë rritur dhe së bashku me to  edhe bukuroshes shqiptare kanë nisur të ekspozojnë hiret e tyre.

Tash e disa ditë jemi edhe zyrtarisht në stinën verore dhe të famshmet tona gjithnjë e më tepër po sjellin imazhe të nxehta në Instagram.

Diell, verë, plazh, det, bikini dhe linja seksi shohim thuajse çdo ditë në rrjetet sociale të femrave më të njohura të ekranit shqiptar.

Por, shtrohet pyetja se cila prej tyre duken më bukur të veshur në bikini.

Telegrafi ka bërë një përmbledhje me femrat më seksi të showbizit shqiptar dhe lexuesve u mbetet të zgjedhin se cila është e bukura.

Shikoni imazhet e mëposhtme të personaliteteve tona shqiptare.