Spitali i Gjakovës nuk i do politikanët: Mos ejani për foto

Periskopi.com Lajme

Spitali rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë ka kërkuar nga politikanët që të qëndrojnë larg institucioneve shëndetësore.

Zyra për Informim e këtij institucioni thotë se spitali ka nevojë për maska e mantele dhe jo për vizitat boshe të politikanëve vetëm për foto.

“Jemi në situatë emergjente për shëndetin publik në nivel kombëtar, si rrjedhojë e kësaj apelojmë te klasa politike të qëndrojnë sa më larg institucioneve shëndetësore. Kemi nevojë për maska, mantele, dezificent për duar, nuk kemi nevojë për vizitat tuaja boshe, mos ejani në institucione shëndetësorë për foto, mos na shpenzoni maska apo mantele kot, respektojeni ligjin e emergjencave”, thuhet në postimin e këtij spitali.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, nga ajo që tashmë dihet publikisht është se këtë institucion shëndetësor e kanë vizituar dy deputetët nga Gjakova të AAK-së, Pal Lekaj dhe Teuta Haxhiu.

Spitali i Gjakovës pezullon operacionet për një javë

Periskopi.com Lajme

Spitali i përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” që nga data 16 korrik e deri më datën 22 korrik ka pezulluar operacionet efektive (jourgjente) në Repartin e Kirurgjisë, të Urologjisë, si dhe në Repartin e Ortopedisë.

Këtë vendim thuhet se e kanë marrë në mënyrë që t’u japin përparësi rasteve emergjente, për shkak se fluksi i pacientëve në këtë spital është i madh, ndërsa numri i personelit mjekësor i pamjaftueshëm.

Ndërsa për vendimin që ka marrë ky spital një javë më parë nuk ka qenë i informuar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se vendimin për pezullimin e rasteve elektive e ka marrë Këshilli Drejtues në këtë spital.

Sipas tij, fillimisht është menduar që për një muaj të mos kryhen operacionet elektive, por që ky vendim është pezulluar pas një jave.

“Ne përpara e kemi bërë këtë gjë kur kemi pasur pak staf. Ata e kanë bërë një kërkesë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, që t’u japin rasteve emergjente përparësi. Këshilli Drejtues ka marrë vendim me kërkesën e njësive të bllokut operativ të anestezionit, mirëpo e kemi shfuqizuar atë. Në Gjinekologji nuk kemi pasur ndërprerje të programeve efektive, por në Kirurgji, në Urologji dhe në Ortopedi. Vendimin e kemi mbajtur në fuqi për 1 javë, por që kemi menduar për një muaj. Vendimin e kemi marrë diku pas datës 15 korrik”, ka thënë ai.