Policia jep detaje për tentimvrasjen ndaj policit të njohur si Tarkani

Periskopi.com Lajme

Në raportin e saj 24 orësh, Policia e Kosovës e ka kategorizuar si “vrasje në tentativë” ndaj zyrtarit policor, incidentin e mbrëmjes të së premtes në të cilën është përfshirë polici Avni Berisha, i njohur si Tarkani.

Thotë se nuk e njeh sulmuesin, e se hetimet po vazhdojnë.

“Raportohet se një i dyshuar i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull shqiptar (zyrtar policor). Nuk raportohet për te lënduar ndërsa, ne vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja te kalibrit 7.65 mm. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante policore”, thuhet në raportin 24 orësh.

 

Mbrëmë u raportua se polici Avni Berisha, i njohur me nofkën Tarkani, është i përfshirë në incidentin me armë që ka ndodhur rreth orës 20:00 të së premtes, në Dragodan, në rrugën “Vicianum”, te ndërtesa e re e Komunës së Prishtinës.

Avokati, Naim Rudari i ka thënë mbrëmë Kohës Ditore se dikush ka gjuajtur me armë në drejtim të klientit të tij, Avni Berisha, përderisa ky ishte afër banesës së tij.

Berisha i është përgjigjur me armë zyrtare, por fatmirësisht nuk ka të lënduar, kishte thënë tutje Rudari.

Sipas Rudarit, klientin e tij e kanë gjuajtur me armë edhe me datën 24 të muajit të kaluar.

“Të dyja rastet janë lajmëruar në Polici. Unë dhe klienti im i kemi dyshimet tona por nuk mund t’i bëjmë publike pasi që Policia është në hetim e sipër”, ka thënë ai.

Edhe kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka e ka konfirmuar rastin për Kohën Ditore. Ai ka thënë se është njoftuar nga prokurorja e rastit por nuk i di detajet.