Suspendohet edhe një zyrtar policor e arrestohet një në MPB

Periskopi.com Lajme

Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka vazhduar aksionin e vet, përfshirë zyrtarët e saj që, sipas burimeve të gazetës Koha Ditore, ka pasur nën hetim që 3 muaj, me ç’rast dyshohet se janë të përfshirë nën bashkëpunim me zyrtarin e ARC-së, Arben Mustafën, që kanë marrë ryshfet dhe kanë keqpërdorur detyrën për të krijuar favore në disa raste që të dyshuarit i kanë pasur nën ndikim.

Një zyrtar policor i Krimeve Ekonomike është suspenduar sot gjatë ditës, por burime të Kohës Ditore tregojnë se së shpejti merret vendimi për arrestim.

Edhe një tjetër zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, është arrestuar sot.

Mbrëmë Drejtoria e Krimeve Ekonomike së bashku me IPK-në, ka bastisur shtëpinë e policit Lutfi Menxhiqi, me ç’rast dyshohet se janë gjetur prova që ndërlidhen me rastin që e ka nën hetim drejtoria e Krimeve Ekonomike.

Nga hetimet, rezulton se edhe hetuesi Skënder Xhema, mund të jetë i përfshirë, mirëpo rrethanat ndaj tij do të sqarohen gjatë hetimit në proces. Ai është suspenduar, por priten hetime tjera rreth tij, shkruan Koha.net

Për dyshime për korrupsion, mbrëmë është arrestuar hetuesi i krimeve ekonomike, Lavdim Osmani. Pak më vonë, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe policin Lutfi Menxhiqi, nën dyshime për korrupsion, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I vrari gjatë vjedhjes në Shtime dyshohet se është djali i një zyrtari policor

Periskopi.com Lajme

I vrari gjatë vjedhjes në Shtime dyshohet se është djali i një zyrtari policor, ka thënë për Koha.net zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Në bazë të informacioneve/verifikimeve të deritanishme dyshohet se personi në fjalë është djali i një zyrtari policor. Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti”, ka thënë Kelani për Kohën.

Katër persona të maskuar kanë hyrë mëngjesin e së mërkurës në shtëpinë e një mërgimtari nga qyteti i Shtimes, për ta grabitur. Hajnat plagosën pronarin e shtëpisë, pasi ai rezistoi të dorëzohej, e ai bashkë me të vëllanë, i ndoqi ata dhe vrau njërin prej grabitësve pak metra larg shtëpisë.

Policia, deri më tani, ka ndaluar vetëm vëllanë e pronarit të shtëpisë, derisa në arrati mbesin tre grabitësit e tjerë, të cilët dyshohet se me vete morën mbi 20 mijë franga.

Jo zyrtarisht mësohet zyrtari policor, babai i të vrarit në Shtime, punon në Graçanicë. E gjithashtu, i vrari në Shtime ishte i njohur për Policinë dhe Prokurorinë për disa vepra penale të kryera më herët.

Drejtori i komunës e rrah policin në Klinë

Periskopi.com Lajme

Naser Morina e ka sulmuar fizikisht policin Rrahman Gashi, e Komuna e Policia nuk e bënë të madhe.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Klinës, Naser Morina ka rrahur një zyrtar policor. Ngjarja e cila ka ndodhur para objektit të Policisë në Klinë të hënën e kësaj jave, nuk është bërë e madhe nga udhëheqja e komunës dhe Policia. Drejtori Morina, ish pjesëtar i UÇK-së, përmes një mesazhi nga pushimi, e ka mohuar rastin. Për këtë është i informuar mirë edhe Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, ndërsa në Polici thonë rastin se e kanë proceduar në Prokurori.

Të hënën, Drejtori i Bujqësisë në Klinë, Naser Morina e ka sulmuar fizikisht policin Rrahman Gashi në orar të punës dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja sipas burimeve të Frontal ka ndodhur para objektit të Policisë ku Morina ishte duke u fjalosur me një person tjetër, dhe gjatë përleshjes ku kishte ndërhyrë polici Gashi për ti ndarë ai e ka goditur edhe atë.

Pa përmendur emra këtë e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

“Policia e Kosovës, përkatësisht stacioni policor në Klinë me datën 5 ka evidentu një rast sulmit ndaj personit zyrtar në krye të detyrës zyrtare. Aty janë ndaluar dy automjete dhe shoferët kanë filluar të grinden mes veti dhe ka identifiku të dyshuarin dhe e ka parandalu përleshjen dhe pas kësaj ndërhyrje dhe personi dyshuar ka ik nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Ibraj.

Por një ditë pas Morina është lajmëruar vullnetarisht në Polici.

“Me datën gjashtë i dyshuari është paraqit në polici dhe është intervistuar edhe është liruar në procedurë të rregullt”, ka treguar Ibraj.

I kontaktuar nga Frontal, Morina, ish luftëtar i UÇK-së, përmes një përgjigje elektronike e ka mohuar se e ka sulmuar policin, Rrahman Gashi.

“I nderuar sa i perket qeshtjes se ati problemit apsolut asgjê ska ndodh sepse me at policin njicemi qe 20 vite familjarisht te gjitha kan qen keq interpretime!,prandaj dhe juve mediave ju lutem qe mos te mirri me keto raste perdedisa kemi te gjithê si popull mëse te mirremi. Me respekt Naser Morina”

Për rastin është i njoftuar edhe kryetari i kësaj komune Zenun Elezaj, por thotë se nuk ka pasur rast të bisedoj me drejtorin në fjalë pasi ky i fundit gjendet në pushim vjetor.

“Paraprakisht drejtori Naser Morina, është në pushim vjetor edhe nuk kam pas mundësi me bisedu me të. Mirëpo në vija zyrtare jam i informuar prej Policisë për rastin. Realisht jemi në pritje të një raporteve ose procedurave gjygjesore pasi të vjen drejtori do ta diskutojmë dhe të shohim se cka do të vendosim”, është shprehur Elezaj.

Kryetari nuk ka treguar nëse e ka ndërmend ta largoj nga detyra apo suspendoj drejtorin në fjalë, por ka thënë se vendimet e tij do të jenë konform vendimit të Gjykatës për këtë rast.

Megjithatë, i pari i Klinës kërkon nga drejtoret e tij, të jenë më të disiplinuar.

“Realisht drejtoret duhet të jenë më të disiplinuar dhe të përgjegjshëm para qytetarëve. Këtu ka sjellje korrekte me kolegë, deri tash skam pas ndonjë vërejtje për rastin s’kam informata të detajuara por askush se ka luksin që të sillet jashtë normave qytetare. Vendimet që i bijnë organet e drejtësisë janë ligje dhe do i zbatoj”, tha ai.

Prokuroria themelore e Pejës është duke u marr me rastin.