Sejdiu: S’kemi vijë të kuqe për LVV-në, nuk e kemi armik

Periskopi.com Lajme

Zyrtari i lartë i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka adresuar kritika të shumta kundrejt ish-partisë së tij – Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo nuk e ka përjashtuar mundësinë e lidhjes së një koalicioni paszgjedhor me këtë parti. Sejdiu ka thënë se ndonëse kanë mospajtime me LVV-në, ata nuk i cilësojnë si armiq. 

Ish-shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, ndonëse ka adresuar kritika të shumta kundrejt ish-partisë së tij – Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një interviste për “Zërin” nuk e ka përjashtuar mundësinë të bashkëpunojë po me këtë parti pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sejdiu ka potencuar se PSD-ja vijë të kuqe ka vetëm për PDK-në e Kadri Veselit, parti kjo e cila është përgjegjëse për gjithë katrahurën e krijuar në vend pas vitit 2001.

Prandaj si rrjedhojë, sipas Sejdiut, në këto zgjedhje PDK-ja duhet të marrë biletën për në opozitë.

Në anën tjetër zyrtari i PSD-së gjatë kësaj interviste ka theksuar se Kosovës i nevojitet një qeveri e re, e cila është në gjendje t’u bëjë ballë proceseve, të cilat e presin Kosovën si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë vendor.

Në krye me Ramush Haradinajn si kryeministër, Sejdiu ka thënë se partia e tij është e gatshme të ballafaqohet me vështirësitë që e presin Kosovën, me theks të veçantë te dialogu me Serbinë.