Kampioni i kik-boksit i bashkohet Nismës Socialdemokrate

Periskopi.com Lajme

Azem Maksutaj, kampion i shumëfishit në sportin e kik-boksit i është bashkuar sot zyrtarisht Nismës Socialdemokrate. Ai u prit nga kryetari i partisë, Fatmir Limaj, i cili tha se Nisma është kthyer në një subjekt që po fton burrat dhe gratë e suksesshme të gjakut shqiptar që janë në diasporë dhe që të njëjtit kanë treguar rezultate të mëdha.

Limaj tha se Maksutaj ka qenë çdoherë me zemër të kombi i tij, ani pse ka jetuar dhe vepruar jashtë atdheut.

Për të, Limaj tha se është njeri që është kthyer në idealet e shumë fëmijëve të Kosovës, dhe se nuk ka hequr dorë asnjëherë nga flamuri i tij.

“Nisma Socialdemokrate është kthyer në një subjekt i cili po i afirmon dhe po i fton burrat dhe gratë e suksesshme të gjakut tonë që janë në diasporë dhe që kanë treguar rezultatet të jashtëzakonshëme, na kanë nderuar si komb e si vend me sukseset e tyre në te gjitha fushat. Siç po e shihni sot para jush edhe zyrtarisht po i dëshiroj mirëseardhje kampionit te shumëfishtë botëror, e ju e dini që deri më tani 14 herë kampion në kik-boks, burrit të madh të këtij vendi, i cili nga tani do të jetë pjesë e pandashme e Nismës Socialdemokrate, Azem Maksutaj, nipin e të madhit Dervish Shaqa”, tha Limaj.

Limaj tha se Maksutaj është dëshmia më e mirë se mërgata shqiptare çdoherë di të pozicionohet drejtë në momente historike.

“Azemi është dëshmia më e mirë se mërgata jonë shqiptare përherë ka ditur të organizohet dhe pozicionohet drejtë në momente historike për të mirën e vendit, sportit e rinisë në veçanti. Diaspora jonë përherë ka dëshmuar që di të jetë afër zhvillimeve politike duke ndihmuar dhe duke u bërë pjesë e ndryshimeve pozitive”, tha ai.

Ndërsa Azem Maksutaj që sot zyrtarisht iu bashkua Nismës, tha se ka ardhur koha që diaspora të kthehet në Kosovë për të ndihmuar.

“Ka ardhur koha që edhe ne në diasporë të kthehemi në Kosovë dhe t’i ndihmojmë Kosovës. 30 vite karrierë jo vetëm në Zvicër, LasVegas, Tokyo, jemi mësuar t’i ndihmojmë edhe rinisë së Kosovës dhe t’i bashkangjitemi Kosovës”, tha ai.